Opozita mungon, sot PD e LSI ndajnë tortën në 5 njësi
Mbahen sot, zgjedhjet e pjesshme për kryetar të 5 njësive vendore. Në konkurrim vetëm kandidat të PD-së, LSI dhe PPSHr
Në listat e zgjedhësve janë rregjistruar 45 mijë zgjedhës, ndërsa janë hapur 65 qendra votimi
TIRANË- Gati pesë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, 45 mijë zgjedhës janë thirrur sërish për të votuar, por kësaj here për të zgjedhur pesë kryetar njësish vendore, në dy bashki, një minibashki dhe dy komuna, të cilat mbetën pa drejtues pasi krerët e tyre u zgjodhën deputetë më 28 qershor.
Në këto zgjedhje do të përballen në një garë pothuajse formale kandidatët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, parti të cilat bashkëqeverisin vendin falë krijimit të koalicionit qeveritar paszgjedhor. Ndërsa partia më e madhe opozitare në vend, Partia Socialiste, nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke i bojkotuar ato me justifikimin se ato janë thjesht vazhdim i zgjedhjeve të 28 Qershorit, për të cilat ajo vazhdon të protestojë dhe bojkotojë Kuvendin duke kërkuar hapjen e kutive për të bërë transparencën.
Partia tjetër opozitare, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve por vetëm me anëtarë komisionesh por pa kandidatura për kryetar komunash dhe bashkish. Ajo thjesht ka propozuar anëtarët e saj në Komisionet Zonale Zgjedhore, ndërsa nuk u rregjistrua si forcë politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje të pjesshme. Pjesëmarrja e PBDNJ-së me komisionerët e saj në këto zgjedhje, mundi të zgjidhë, ngërçin që kishte krijuar vendimi i Partisë Socialiste, për të mos u bërë pjesë e këtij procesi. Por mospjesëmarrja e PS-së në të, ka sjellë nga ana tjetër që PBDNJ të ketë shumicën e anëtarëve në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta zgjedhore, pasi në bazë të kodit asaj i ka kaluar e drejta për të marrë edhe anëtarët e tjerë të majtë.
Për zgjedhjen e kandidaturave të LSI-së dhe PD-së, në këto zgjedhje, do të thirren për të votuar 45 mijë e 138 zgjedhës, numër i cili, figuron në listat e zgjedhësve në të pesë njësitë vendore, i miratuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Njësia që ka dhe numrin më të madh zgjedhësve dhe që pritet të ketë më shumë interes, pavarësisht se s'do të ketë garë është ajo për zgjedhjen e kreut të minibashkisë numër 10 në kryeqytet, ku për të zgjedhur mes Blendi Fugës si kandidat i Partisë Demokratike dhe Gjergji Thomait si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në listat e votuesve janë regjistruar plot 22 mijë e 257 shtetas me të drejtë vote, ku janë ngritur 26 qendra votimi. Konkurrimi në këtë zonë, ashtu si edhe në katër njësitë e tjera vendore, megjithëse do të jetë krejt formal, u parapri nga një fushatë e pajustifikuar nga ana e kandidatit demokrat, i cili edhe pse pa rival nuk nguroi të mbushë rrugët e kësaj zone me postera dhe banderola elektorale. Në komunën Otllak të Beratit, 20 mijë e 405 votues do të kenë mundësi për të zgjedhur midis tre kandidaturave: Hektor Beqollari përfaqësues e PPSHr-së, Muharrem Hoxha i PD-së dhe Nasi Gjoka i LSI-së. 7 mijë e 337 zgjedhësit e Bashkisë Klos do të zgjedhin për kryetarin e ri të tyre midis emrave, Ramazan Mjeshtrit si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe Xhevdet Reçi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Zgjedhje do të zhvillohen edhe për kreun e ri të Bashkisë Fushë-Arrëz ku konkurrojnë Alfred Qafa për kampin blu dhe Ded Gjergji për LSI-në, ndërsa të drejtën e votës do ta kenë 3 mijë e 290 votues. Për drejtimin e komunës Fierzë gara do të zhvillohet mes kandidatëve Gjelosh Perlokaj të PD-së dhe Mehmet Ponarit të LSI-së. Kjo komunë ka edhe numrin më të vogël të zgjedhësve me 1 mijë e 752 veta. Duke iu referuar numrit të zgjedhësve, të paraqitur më lart për çdo bashki dhe komunë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar edhe sasinë e fletëve të votimit që tashmë janë prodhuar dhe shpërndarë në të 65 qendrat e votimit ku do të zhvillohen zgjedhje. Në bazë të detyrimit të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon që të porositen 2 për qind më shumë fletë votimi sesa është numri i zgjedhësve, firma kotraktore me porosi të KQZ-së ka prodhuar 46 mijë e 41 fletë votimi. Ndërsa fleta e votimit ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme do të jetë më e thjeshtë dhe në përbërje të saj në rastin minimal do të jenë dy emra dhe në rastin maksimal tre emra.