E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, sërish goditje e gabuar, vret civilë, në vend të militantëve

Tragjedia 27 njerëz të zakonshëm humbën jetën, ndërsa po shkonin në punën e tyre

Forcat e NATO-s në jug të Afganistanit kanë bombarduar një karvan me civilë dhe kanë marrë si pasojë jetën e 27 personave, mes të cilëve gra e fëmijë dhe ndërkohë kanë shkaktuar shumë të plagosur. Bëhet fjalë për një sulm ajror në një zonë të largët të Afganistanit. Kështu është përmbyllur një javë e përgjakshme për sa u përket civilëve të vrarë, numri i të cilëve vetëm këto 7 ditë ka shkuar në 60. Bëhet fjalë për viktima të shkaktuara nga sulmet e NATO-s. Kabineti afgan e ka cilësuar menjëherë sulmin e fundit “tepër të rëndë dhe të pajustifikueshëm” dhe e ka dënuar atë përmes një retorike nga më ekstremet. Zyrtarët thanë se u bombarduan nga avionët e NATO-s tre kamionë mbushur me civilë dhe menjëherë kanë humbur jetën 27 civilë dhe janë plagosur shumë të tjerë. Makinat po kryenin një udhëtim rutinë në zonat malore të largëta të vendit dhe NATO ka kujtuar se bëhej fjalë për makina në të cilat po udhëtonin militantë talebanë dhe ka qëlluar. Sipas burimeve të menjëhershme të trupave të NATO-s, fillimisht ushtarët i kishin marrë kamionët për kamionë të armiqve, dhe vetëm pas bombardimit e kuptuan se bëhej fjalë për gra dhe fëmijë të pafajshëm, që humbën jetën si pasojë e një gabimi, që nuk po kryhet për herë të parën nga forcat e NATO-s. Më pas, një njoftim zyrtar ka bërë të ditur se të gjitha viktimat kanë qenë civilë. Vetë gjenerali amerikan, Crystal, që është edhe komandant i forcave të NATO-s, shprehu keqardhjen. “Unë ua kam bërë të qartë forcave tona që janë këtu për të mbrojtur afganët dhe vrasja e civilëve sigurisht që minon besimin e njerëzve të thjeshtë te trupat e NATO-s. Ne do t’i dyfishojmë përpjekjet për ta rifituar atë besim”, ka deklaruar gjenerali i NATO-s. Por ndërkohë ditët e fundit, madje java e fundit, ka qenë shumë larg situatës së paqes dhe qetësisë. Të tjerë civilë janë vrarë, gjithmonë gabimisht, edhe në krahina të tjera të vendit, ndërsa janë ndërmarrë sulme kundër talebanëve. Bëhet fjalë për gabime në gjykim. Në dhjetor, NATO u akuzua për vrasjen e 10 civilëve, përfshi 8 fëmijë të shkollës. Ngjarja e fundit e rëndë është një tjetër goditje ndaj qëndrimit të NATO-s në Afganistan. Ndërsa holandezët pritet të vendosin për vijimin e qëndrimit të trupave të tyre në këtë vend, vende të tjera po mendohen për dërgimin e trupave të tjerë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›