Prometeu i lidhur, përplasja e botës së pafajshme me botën e dhunshme
Prometeu i lidhur vjen nesër në skenën e Teatrit Kombëtar. Një Promete i kohëve moderne, i zhgënjyer nga vetja e vet dhe nga njerëzimi është ai që regjisori Arbër Jakllari ka zgjedhur për të sjellë para publikut nesër në mbrëmje në skenën teatrore. Nën titullin Prometeu i lidhur, regjisori ka zgjedhur një histori të antikitetit, për ta sjellë atë me mesazhe aktuale në
ditët e sotme. Në këtë shfaqje, ku përveçse si regjisor ai është edhe aktor në rolin kryesor në atë të Prometeut, Jakllari ka zgjedhur një trupë prej 4 aktorësh të tjerë, të cilët me lojën e tyre aktoriale premtojnë për publikun një shfaqje me vlera artistike Regjisori tregon se shfaqja Prometeu i lidhur është një shikim i mitologjisë. Zanafillën e ka që nga antikiteti, në momentin kur Prometeu merr zjarrin dhe ua jep atë njerëzve. Është e vërtetë që figura e Prometeut dhe ngjarja në fjalë është pothuajse e njohur nga të gjithë. E veçanta e shfaqjes është se aty kemi pikërisht kalimin nga kjo periudhë e antikitetit në atë moderne, të ditëve të sotme ku zjarri ka marrë si të thuash përmasa galopante, në drejtim të përdorimit të keq që njerëzit i kanë bërë kësaj dhurate. Pra ata e kanë përdorur atë vetëm për qëllime të shkatërrimit e vrasjeve mes tyre, duke përmendur këtu krijimin e armëve bërthamore, të cilat cënojnë ekzistencën tonë nga dita në ditë, pohon regjisori. Sipas tij në shfaqje trajtohen edhe tema të tjera si ajo e përplasjes së dy botëve të ndryshme Konkretisht kemi një botë të pafajshme dhe një tjetër botë të dhunshme që vendosen përballë njëra tjetrës, ku e para është pre e botës së dytë, e cila nga dita në ditë dhe po përparon me mënyrat e veta, duke përmbushur kështu qëllimin e saj, tregon regjisori Jakllari. Për këtë pjesë regjisori ka zgjedhur një kastë aktorësh të rinj, të cilët qëndrojnë në harmoni me njëri-tjetrin, duke krijuar një ansambël aktorial, i cili premton një shfaqje me vlera të larta artistike. Në shfaqje janë 5 aktorë të cilët, përmes lojës së tyre aktoriale do të sjellin një histori të antikitetit në kohët e sotme. Unë jam protagonist në rolin e Prometeut të lidhur, ndërkohë që 4 aktorët e tjerë janë pjesë e korit. Ata janë Orjana Cama, Xheni Demi, Endri Ccela dhe Aldion Matarangasi, pohon regjisori. Sipas regjisorit Arbër Jakllari kjo shfaqje ka disa detaje të tjera që e plotësojnë dhe e bëjnë të veçantë këtë pjesë për publikun. Në këtë drejtim dua të përmend faktin që kjo shfaqje ka tre elemente kryesore, të cilat konkretisht janë videoprojektori, kënga dhe kërcimi, që do të shoqërojnë publikun gjatë shfaqjes, vijon regjisori, ndërsa më tej ia shton se: Të gjitha këto vijnë në një mënyrë postmoderne ku videoprojektori është një etyd filmik (prej gati 4 minutash) dhe nëpërmjet tij bëhet kalimi nga epoka e zjarrit në ditët e sotme. Sipas regjisorit, pasojat e këtij filmimi jepen edhe në shfaqje përmes lojës së aktorëve, përmes atyre personave që i kanë përjetuar këto ngjarje në kohërat e kaluara. Sa i takon detajeve të veshjes, sigurisht që Prometeu është një figurë e Antikitetit dhe si e tillë ajo do të vijë me veshjen përkatëse të një perëndie. Kjo e fundit ka ardhur e tillë dhe nuk mund ta ndryshojmë dhe le të themi se kam preferuar që ajo të ngelet e tillë, pohon ai. I pyetur mbi mesazhin që sjell kjo vepër regjisori tregon se: Prometeu i lidhur është heroi i njerëzve dhe i njerëzimit. Kjo është e ditur dhe e njohur pothuajse për të gjithë. Dua të theksoj që edhe në ditët e sotme, ai vjen si hero i njerëzve dhe i njerëzimit, por konteksti është disi ndryshe. Ky personazh identifikohet me njerëzit me anë të zemrës. Madje, kjo duket edhe në fjalët e tij kur ai shprehet: Ata njerëz, me zemrën time. Dhe që nga ky moment ai merr vendimin për t`u dhuruar zjarrin e për t`i ndihmuar ata. Bashkë me zjarrin u dha jetën, mënyrën si ta jetonin atë, por mënyra sesi njerëzit e trajtuan këtë dhuratë lë për të dëshiruar. Pikërisht këtu vjen edhe ideja dhe qëllimi i shfaqjes. Njerëzit e përdorën zjarrin, pra këtë dhuratë për të vrarë e madje, rrezikuar ekzistencën e tyre. Prometeu vjen sot i zhgënjyer nga njerëzit dhe i lidhur pikërisht nga ky zhgënjim, i cili në mënyrë simbolike është edhe një zhgënjim nga vetvetja e tij. Shfaqja Prometeu i lidhur do të vijë e realizuar, apo përshtatur duke marrë fragmente nga vepra e Eskilit, pra nga e gjithë antika.
Nga Julia Vrapi