Chountis-zv.ministres Harxhi: Dënoj skandalin e videos
Zv.Ministrja Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, zhvilloi një takim me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolaos Chountis, eurodeputet, anëtar i grupit konfederal të Unionit të majtë - e majta e gjelbër veriore në PE. Harxhi prezantoi qendrimin e Shqipërisë në kuadër të një politike të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, ç'ka i shërben forcimit të stabilitetit në rajon dhe afrimit me Bashkimin Europian. Ndërsa eurodeputeti grek vlerësoi maksimalisht rolin e Shqipërisë në kuadër të politikës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhëniet shumë të mira me vendet fqinje. Si eurodeputet i Greqisë, zoti Chountis dënoi dhe aktet e vëna re gjatë paradës ushtarake në Greqi, duke nënvizuar nevojën për evitimin e tyre. Nga ana tjetër ai shprehu bindjen se këto akte sporadike nuk mund të ndikojnë në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Gjithashtu, Harxhi informoi lidhur me hapat e kryera nga autoritetet shqiptare në drejtim të plotësimit të kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave drejt hapësirës Schengen, si dhe me hapat përfundimtarë drejt mbylljes së Pyetësorit të Komisionit Europian. Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë dhe marrja e një përgjigjeje pozitive për marrjen e statusit kandidat, janë dy ambiciet tona kryesore për vitin 2010, theksoi Zv.Ministrja Harxhi. Eurodeputeti Chountis theksoi se personalisht, në detyrën si raporter për Shqipërinë, por dhe i gjithë Parlamentit Europian, është pro heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më parë. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është tashmë në rrugë të mbarë, ç'ka do të ndikojë në forcimin e stabilitetit në rajon, si dhe në mirëqënien e popujve.