Ciao Italia! Në shtëpi me turp

E mundur nga Sllovakia 3-2, Italia la Kupën e Botës duke dalë nga porta e vogël. Ashtu si Franca në vitin 2002, kampionët në fuqi të Botës nuk do të jenë në një të tetat e finaleve. Një dënim logjik për atë që shfaqën italianët.
Italia tani është thjesht një kujtim. I hidhur. Është ekipi i dytë që ka fituar Kupën e Botës që largohet nga Afrika e Jugut. Të martën këtë fat e kishte Franca, fituese e vitit 1998.
Katër herë kampionia e botës (1934, 1938, 1982, 2006) u nxor jashtë me forcë nga debutuesja historike e Kupës së Botës, Sllovakia.
Edhe në vitin 1982, Italia kishte shkuar deri në fund të Botërorit, duke marrë tri barazime në fazën e grupeve, por në vitin 2010, ajo nuk e pati këtë fat.
Ajo nuk do të jetë më kampione e botës.
Ëndrrat e saj morën fund përballë Sllovakisë, që nuk bëri gjë tjetër veçse shpejtoi rënien e skuadrës “Azurra”.
Me vetëm dy pikë në tri ndeshje në grupin F, kampionët në fuqi të botës u renditën të fundit, pas Paraguait (i pari), Sllovakisë (e dyta) dhe Zelandës së Re (e treta).
Edhe Franca ra pa lavdi në vitin 2002. Ashtu si Brazili në vitin 1966, por edhe vetë Italia në vitin 1950.
Në fakt, pak a shumë sinjalet për një fund të turpshëm të Italisë ishin dhënë përpara ndeshjes me Sllovakinë modeste.
Ndeshjet miqësore të Italisë: 0-0 përballë Kamerunit, 1-2 kundër Meksikës, 1-1 kundër Zvicrës, ishin premisat e para të paralajmërimit të një katastrofe kombëtare.
E kryqëzuar nga Paraguai (1-1) dhe Zelanda e Re (1-1), kjo skuadër ishte në hije, ashtu si Franca (e fundit) në grupin A, madje të dyja nuk arritën të fitonin asnjë nga tri ndeshjet që kishin në dispozicion.
Italia fitoi në “Gjermani 2006”, por katër vjet më pas ajo pagoi gabimet e saj taktike, mungesën e freskisë dhe të imagjinatës.
Dy golat e parë të Sllovakisë, të shënuar nga Robet Vitek, erdhën pas gabimeve katastrofike të mbrojtjes.
Ish-lojtari i Lilës përfitoi nga një ndërmarrje e gabuar e De Rosit (1-0, 25’), dhe më pas nga një mungesë vëmendje e Kielinit (2-0, 75’), të cilat treguan qartë se Italia nuk ishte e qartë.
Goli i tretë i Sllovakisë u shënuan pas një rreshtimi fatal të mbrojtjes italiane, kur zëvendësuesi Kopunek shënoi në topin e parë që preku (3-1, 89’).
Edhe fati (ndoshta dhe gjyqtari) ishte me Sllovakinë, kur Skretel e ndaloi topin (brenda vijës së portës) kur rezultati ishte 1-0 për Sllovakinë, e barazimi do ta çonte Italinë në fazën tjetër të Botërorit.
Katër vjet më parë, Marçelo Lipi kishte bërë zgjedhje të mira, por në Afrikën e Jugut, pikërisht dështimi erdhi edhe prej trajnerit të Italisë.
Edhe pse kishte Gatuzon në mesfushë dhe Iakuintën në sulm, në një skemë 4-3-3, Italia nuk gjuajti më shumë se dy herë në gjashtëdhjetë minuta kundër Sllovakisë.
Goditja e Kualjerelës, e shpëtuar mbi vijën e portës nga gjuri i djathtë i Skërtelit (66’) do t’i mundojë italianët për shumë javë.
Gabimi monumental i Pepes, pikërisht në minutën e 95-të, kur loja ishte 3-2, do të vendoste fatin e ndeshjes, por italiani për një vonesë në fraksion të sekondës bëri të pavlefshëm golat e Di Natales (2-1, 81’) dhe Kualjerelës (3-2, 92’).
Ishte shumë vonë. Tepër vonë.
Këtë fundjavë, Paraguai dhe Sllovakia do të luajnë ndeshjet e tyre në fazën e një të tetave.
Në të njëjtën kohë, italianët do të merren me një punë tjetër: pastrimin e gjithçkaje që kanë mbetur nga gërmadhat.
Duhet të projektojnë ndërtimin e një Italie të re.
Me Cezare Prandelin...
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Enjte, 24 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili