E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciceronin e marrin nga Tirana

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një ndër më të mëdhenjtë në vend si për nga hapësirat e godinës ashtu dhe nga pasuritë, pothuaj është i braktisur, i harruar. Ky muze i konceptuar jo vetëm si një muzeum në të cilin mund të vizitohen eksponatet, por edhe si një institut arkeologjik, tashmë i ngjan një objekti të braktisur. Më e çuditshmja është se edhe ciceroni vjen 2 herë në javë nga Tirana.
Prej afro 1 viti, muzeu u nda në dy pjesë dhe që të dyja kaluan në varësi të Ministrisë së Kulturës, duke humbur rolin të cilin e fitoi brenda pak vitesh, por pas një pune të madhe nga stafi i tij. Ka kohë që edhe arkeologët janë larguar prej mjediseve të muzeut, një pjesë e tyre janë transferuar në sektorë të tjerë, disa punonjës kanë mbetur pa punë e disa të tjerë kanë ndryshuar profesion. Prej afro 1 viti, historinë e Durrësit të lashtë e shpjegon një ciceron që vjen nga kryeqyteti. Dikur në këtë muze funksiononte një bërthamë shkencore e përbërë nga arkeologë të njohur, i cili quhej Instituti Arkeologjik e që kishte lidhje me institute në disa vende me arkeologji të zhvilluar. Instituti organizonte simpoziume, debate shkencore, ekspedita kërkimore, të cilat ka kohë që janë lënë në harresë. Intelektualët e Durrësit dhe arkeologët e tij mbeten me shpresë se situata mund të riparohet.
Sipas tyre, dy janë rrugët që do t’i kthenin muzeut vlerat e tij dhe do ta transformonin në një qendër të vërtetë shkencore. E para ka të bëjë me sugjerimin që japin specialistët e arkeologjisë që ky institucion t’i mbetet në varësi Ministrisë së Kulturës, dhe se duhet që dy pjesët e tij të unifikohen në një muze, që të emërohet një bërthamë e aftë specialistësh që do të menaxhonin pasuritë dhe eksponatet e tij. Sugjerimi i dytë ka të bëjë me kalimin e muzeut në varësi të Bashkisë së qytetit të Durrësit siç ngjet me vendet që i kushtojnë rëndësi antikitetit si Italia, Greqia, apo Kroacia. Por deri tani këto janë mendime të arkeologëve me shpresë që ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, të jetë protagonisti i kësaj zgjidhjeje, por dhe si detyrë politike që muzeut t’i kthehet lavdia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›