Vrau dy policë, burg përjetë Afrim Hasanit
Burgim i përjetshëm për vrasësin e dy inspektorëve të Qarkullimit Rrugor në Policinë e Kukësit. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të pandehurin Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dy policëve, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. Më parë, prokurori kërkoi nga gjykata po të njëjtën masë dënimi me të cilën u dënua i pandehuri, ndërsa avokati i tij kërkoi që klienti të dënohej me një masë të butë dënimi, konkretisht 25 vite burg, me argumentin se vrasja ishte kryer në kushtet e tronditjes së thellë psikike. I pandehuri u shpall fajtor për një sërë akuzash, ndër të cilat më e rënda ajo e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të dy policëve”, “armëmbajtje pa leje”, “shkatërrim prone”, si dhe “tentativë vrasjeje” jo vetëm të policëve, por edhe të personave që ishin në cilësinë e kallëzuesit ndaj tij mbi një konflikt të mëparshëm. Referuar akuzës dhe arsyetimit të vendimit nga gjykata, përplasja mes Afrim Hasanit dhe dy policëve nisi në mars të vitit 2009, kur i riu nga fshati Petkaj i Shëmrisë hyn në një lokal dhe dëmton disa objekte. Pronarët e lokalit denoncojnë dhunën tek punonjësit e policisë Dobrusha dhe Hila, të cilët përpiqen ta bllokojnë 34-vjeçarin, duke qarkulluar si pasagjer në një automjet tjetër. Gjatë kontrollit, dy policët konfliktohen me Afrim Hasanin dhe për këtë incident ata informojnë edhe sallën operative të policisë. Një javë më pas, Afrim Hasanaj me një armë automatike hyn në lokalin ku ndodheshin dy punonjësit e policisë dhe qëllon mbi ta, duke i lënë të vdekur në vend. Prokurori Nezha tha se i pandehuri Hasanaj, pas një jave terrori të shkaktuar në fshatin Shëmri të Kukësit në orët e vona të mbrëmjes së datës 23 mars 2009, ka kryer vrasjen e dy policëve, Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hila, me vetëdije dhe me paramendim. Vrasja ndaj dy efektivëve blu, sipas akuzës, është kryer për shkak të detyrës, të cilët një javë më parë ishin konfliktuar me të pandehurin Hasanaj, konflikt të cilin e kishin denoncuar në prokurorinë e Kukësit për akuzat e "shkatërrimit të pronës" dhe "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë". Afrim Hasanaj ishte kërkuar të shoqërohej në komisariat pas një konflikti dhe shkatërrimit të një lokali në fshatin Shëmri të Kukësit. Për këtë, policia kishte ngritur një postbllok.
Konflikti me policët dhe vrasja
“Sapo u ndalën prej policëve, iu kërkua që të gjithë të dalin nga makina dhe duke i kërkuar dokumentet shoferit. Hasanaj ka dalë nga mjeti dhe menjëherë ka nisur konfliktin me efektivët e policisë, por reagime të dhunshme ka shfaqur me policin Shkëlzen Dobrusha, me të cilin kanë arritur deri konfrontimin fizik dhe përdorimin e dhunës mes tyre. Gjatë sherrit janë afruar edhe kureshtarë të ndryshëm, çka i ka mundësuar largimin nga vendi i ngjarjes të pandehurit Hasanaj”, - tha prokurori gjatë pretencës një seancë më parë. Efektivët e policisë mësohet se më pas kallëzuan të pandehurin për veprat e "kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë" dhe "shkatërrimit të pronës me dashje". Pas kësaj ngjarjeje, policia shpalli në kërkim Hasanajn që mundi t'i fshihet policisë deri më 23 mars kur u shfaq në Shëmri me një "Kallashnikov" në dorë në kërkim të Hilës e Dobrushës. Pasi i gjeti në një lokal afër Postës së Policisë, qëlloi drejt tyre duke i lënë të vdekur. Në ikje e sipër qëlloi edhe mbi autoveturën e bllokuar, ku paraditen e 16 marsit ndodhej me shokët e tij pas konfliktit me policët. Vrasja, sipas akuzës, është kryer pasi dy policët Hila e Dobrusha nuk kishin pranuar të tërheqin kallëzimin ndaj tij. 24 orë pas vrasjes u dorëzua bashkë me armën e krimit, ndërsa rrëfeu arsyen e veprimit të tij. Për këto veprime, sipas prokurorit, i pandehuri Hasanaj ka kryer veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesve Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hilaj; “shkatërrimit të pronës” së makinës së shokut të tij; “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Akuzat
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesve Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hilaj
“Shkatërrim i pronës”, së makinës së shokut të tij
“Kundërshtim me dhunë i punonjësve të policisë”
“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.