Hetuesia, përjashtohet Shoqata e Prokurorëve
Sekretari i shoqatës, Shkëlqim Hajdari, deklaron se nuk është ftuar e pyetur për ligjin e OPGJ-ve
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve është “përjashtuar” nga grupi hartues i ligjit të ri për “policinë gjyqësore”. Sekretari i shoqatës, prokurori Shkëlqim Hajdari, në një prononcim për gazetën “Shqip” tha se nuk ka marrë asnjë “ftesë” nga institucionet që po e hartojnë këtë ligj, i cili konsiderohet shumë i rëndësishëm për funksionimin e organit të akuzës. Statusi i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve është “dëshira për të ndihmuar në realizimin sa më të mirë të funksionimit kushtetues të prokurorisë dhe qëllimi që të garantohet respektimi i Kushtetutës e ligjeve dhe pavarësia në ushtrimin e detyrës”. Por, sqaron Hajdari, hartimi i ligjit për OPGJ-të që ka varësi direkte me punën e akuzës, ka përjashtuar grupet e interesit, siç është kjo shoqatë. Edhe më parë, grupet e interesit nuk janë thirrur për hartimin e ligjeve të rëndësishme për organin e prokurorisë. “Ligji për prokurorinë” filloi të hartohej nga Ministria e Drejtësisë. Pas bërjes publike të reagimit të fortë të Shoqatës së Prokurorëve, ligji ndryshoi, duke u marrë në konsideratë edhe propozimet e vetë prokurorëve. Në këtë rast, ata nuk janë ftuar e thirrur, duke lënë të dyshosh se drafti që po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë mund të jetë kundër organit të prokurorisë dhe duke dëmtuar punën e vetë prokurorëve.
Shoqata
Sekretari i Shoqatës së Prokurorëve deklaron se ka marrë dijeni nga media për hartimin e këtij projektligji, ndërsa nuk ka kurrfarë ideje për propozimet e organit qendror të akuzës. Ai shpjegon se, krahas ekspertëve të prokurorisë, shoqata i ka të gjitha kapacitetet juridike e profesionale për të marrë pjesë në grupin hartues, si edhe të japë mendime e opinione për OPGJ-të, të cilët konsiderohen të rëndësishëm për prokurorinë. Aktualisht, shoqata ende nuk është mbledhur për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, pasi nuk janë njohur me një draft përfundimtar. Megjithatë, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, prokurori Shkëlqim Hajdari, thekson se hartimi i këtij ligji duhet të realizohet në mënyrë transparente, me qëllim që të gjitha grupet e interesit të njihen dhe të japin mendime për punën e OPGj-ve në të ardhmen.
Diskutimet
Disa ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, zhvilluan një takim, ku ndër të tjera u diskutua edhe projektligji i shumëdebatuar i “policisë gjyqësore”. Pika më e “nxehtë” që është diskutuar nga palët dje ka qenë tema për varësinë e hetuesve që janë në marrëdhënie pune me organin e akuzës. Drafti që po hartohet në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë parashikon që këta hetues të kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndërsa organi i akuzës mendon se këta hetues duhet të jenë pjesë e prokurorisë, pasi ikja e tyre dëmton procedimet penale. Palët kanë rënë dakord që të ngrihet një grup pune nga ministria e prokuroria për të përcaktuar çdo detaj që do të parashikohet në projektligjin për OPGj-të. Prokurorët kanë pranuar kushtin që dosjet penale me vendngjarje të hetohen nga hetuesit e policisë, ndërsa dosjet penale me kallëzim të hetohen nga hetuesit e prokurorisë. “Nëse do të shkrihen OPGJ-të në prokurori, atëherë do të kemi një kaos për hetimin e veprave penale me kallëzim. Qindra dosje penale me kallëzime nga institucionet publike nuk mund t’i kalojnë një strukture të re, pasi do të kishim një zvarritje të hetimeve”, deklarojnë burimet nga akuza, të cilat shprehen se këto mendime u janë servirur përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për të verifikuar problematikën që do të krijohej. Megjithatë, në grupin e punës nuk është thirrur shoqata, e cila edhe më parë ka mbrojtur interesat e akuzës dhe prokurorëve.
#