E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cikli i botimeve nga Kruja

"Karakteret natyrore e historike të Shqipërisë së Madhe" është teksti i plotë i Konferencës së mbajtur nga Senatori Mustafa Merlika Kruja, me ftesën dhe nën patronazhin e Akademisë Mbretërore Italiane të Shkencave dhe Arteve, më 30 maj 1941. Hapim me të ciklin e shkrimeve me autor një personalitet të kulturës dhe historisë shqiptare, Mustafa Merlika Krujës (1887-1958).

Ky dimension i intelektualit është mohuar për gjysmë shekulli për shkak të angazhimit të tij në politikë, angazhim që nis qyshkur mbaroi studimet e larta në Stamboll, për të firmosur aktin e shpalljes së Pavarësisë, e deri në detyrat e larta në administratën shqiptare, që nga sekretar i të parit Këshill Ministrash të Shqipërisë së pavarur deri në Kryeministër i vendit të pushtuar, në janar 1943.

Të kësaj kohe janë shkrimet, dokumentet, origjinale që me ndihmën e trashëgimtarëve, sidomos të nipit të tij, Eugjen Merlikës, do të jepen në faqet e "Shekullit".

Do t'i lihet vend edhe kontributit të tij në publicistikë dhe gazetari që prej vitit 1909, atëhere student në Mylkijen e Stambollit, e deri më 1958, pak ditë para vdekjes, tek "Shejzat" e Koliqit.

Do të jetë një rizbulim i publicistit, i gjuhëtarit të jashtëzakonshëm, por që siç thotë Eugjen Merlika, nuk i gjen emrin në botimin e vitit 2005 të një fjalori enciklopedik për "Gazetarë e publicistë shqiptarë".

"Është shprehje e indeksit të vendosur që në fundin e nëntorit 1944 apo, thjesht, padije, mungesë njohjeje e rrugës së shtypit shqiptar të para asaj date?", pyet bashkëpunëtori ynë. Merlika premton për këtë cikël edhe materiale nga Arkivi Qëndror i Shtetit, pra "të pabotuara ndonjëherë e, njëkohësisht, pjesë korrespondencash, që do të konsiderohen të përshtatshme për t'u botuar nga familja."

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›