Në tokën e bazilikave
E shtrirë në cep të Rajonit Perëndimor dhe e përbërë nga vargje të valëzuara kodrash, Mallakastra është një nga krahinat më të mëdha të Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 500 km2 që shtrihet në rrethet e sotme të Fierit, Ballshit dhe Tepelenës, ajo është një trevë e përmendur etnokulturore, e cila fsheh përbrenda edhe historinë e saj fetare
E shtrirë në cep të Rajonit Perëndimor dhe e përbërë nga vargje të valëzuara kodrash, Mallakastra është një nga krahinat më të mëdha të Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 500 km2 që shtrihet në rrethet e sotme të Fierit, Ballshit dhe Tepelenës, ajo është një trevë e përmendur etnokulturore, e cila fsheh përbrenda edhe historinë e saj fetare. Me shumicën e saj bektashiane ajo është e famshme për teqetë e shumta dhe figurat e shquara të këtij sekti. Por objekti i sotëm i këtij shkrimi do të jetë kristianizmi për të cilin Mallakastra ka qenë e përmendur qysh në periudhën antike.
Kristianizmi në Mallakastër
Koha kur u shfaq krishtërimi është kohë e krizës së përgjithshme morale, politike, shoqërore, juridike dhe kulturore që përfshiu gjithë Perandorinë Romake. Në këto kushte feja e re u shfaq si fuqi shpëtimtare e qytetërimit 70 milionësh mesdhetar. Mendohet se Kristianizmi në krahinën e Mallakastrës u përhap gjatë shekullit I pas Krishtit, me të njëjtën skemë si në të gjithë Epirin e Ri dhe Ilirinë e Jugut. Për organizimin kishtar mund të themi se ai përfundoi gjatë viteve të para të administrimit të Perandorisë së Bizantit ku bënte pjesë dhe treva e Bylinëve (Mallakastra). Sipas një ligji të Perandorit bizantin, Zenonit (474-475), të cilin na e jep kodi i Justinianit (Codex Justinianus), thuhet: “Çdo qytet duhet të ketë me çdo kusht një Peshkop të vetin”. Këtë gjë e ndeshim edhe në dokumentacionin historik ku si qendër peshkopale na del edhe qyteti i Bylisit, si kryeqendër e Mallakastrës. Në këto dokumente përmenden disa përfaqësues të lartë të klerit Bylin. Në vitin 431 Peshkopi i Bylisit dhe Apolonisë, Feliks, mori pjesë në koncilin ekumenik të Efesit. Disa vite më vonë përmendet në letrën e drejtuar perandorit Leon në vitin 458 edhe Peshkopit tjetër i qytetit të Bylisit, Filoharis.
Që nga shekulli V me rënien ekonomike të Apolonisë, qyteti i Bylisit del si qendra më e rëndësishme urbane midis Shkumbinit dhe Vjosës, duke u radhitur në shek. VI sipas Udhërrëfyesit të Hieroklit ndër tetë qytetet kryesore të provincës romake të Epirit të Ri. Pas vitit të sipër përmendur 458 Bylisi kthehet në qendrën më të rëndësishme peshkopale në këtë zonë. Këtë fakt e tregojnë edhe ndërtimet e kultit paleokristian siç janë pesë bazilikat e qytetit të Bylisit, të ndërtuara midis shekujve V-VI. Ndërtimi i pesë bazilikave, ku dy të parat kanë përmasa monumentale, tregon për organizimin e konsoliduar të kishës, por dhe për rëndësinë e kësaj qendre kishtare.
Të kësaj periudhe në krahinën e Mallakastrës janë një sërë bazilikash, rrënojat e të cilave i ndeshim në vendbanimet e sotme të kësaj krahine si në: Margelliç, Panahor, Dukas, Gorishovë, Kraps, Plyk, Cakran dhe Ballsh. Gllavinica-Qefalinia përmendet për herë të parë pas shumë shekujsh në aktet historike në vitin 886, sepse në të gjatë shtrirjes në vendin tonë të pushtimit bullgar, ka pasur qendrën e vet një prej peshkopatave të rëndësishme, gjithashtu në këtë qytet që identifikohet se nuk është veçse Bylisi Antik, ku ka ushtruar veprimtarinë e tij Shën Klementi i Ohrit, një nga figurat kryesore të kishës sllave.
Jetëshkrimi i Shën Klementit i shkruar nga Peshkopi i Ohrit Theofilakti (1094-1107) në librin “Biografia e gjatë”, ndër të tjera thuhet: “Princi bullgar, Borisi, i dhuroi Shenjtit vende për pushim në Ohër dhe Gllavinicë”.
Ndërsa në një libër tjetër për jetën e Klementit, të titulluar “Biografia e gjatë” shkruar nga Dhimitër Homatjani (1216-1234), thuhet: “Një pjesë të mirë të kohës Klementi e kalonte edhe në Gllavinicë”.
Këto pasazhe tregojnë se Gllavinica ishte peshkopata kryesore nën varësinë e Kryepeshkopatës Bullgare të Ohrit, derisa Mbreti Boris do të emëronte aty mësues dhe predikues Klementin të cilin vite me vonë e emëroi Kryepeshkop.
Në Bylis Klementi kreu edhe veprimtari ndërtuese siç është rasti i rikonstruktimit të bazilikave të qytetit. Homatjani thotë: “Në Kefalini mund të shihni dhe sot shtylla guri, ku janë gdhendur fjalë që shënojnë kthimin dhe familjarizimin e popullit bullgar me Krishtin.
Si Peshkopë të Gllavinicës kanë qenë figura të tilla të klerit bullgar si: Shën Naumi, Shën Horazdi dhe Shën Angjelari (Engjëllori). Këta dy të fundit kanë qenë varrosur në varrezat e katedrales së Ballshit, e cila ka shumë mundësi të jetë ndërtuar gjatë kësaj periudhe dhe mund të ketë qenë selia e peshkopëve bullgare. Më vonë Gllavinica përmendet në dokumentet e Vasil Maqedonasit. Ky Perandor bizantin në një diplome (Krisovule) të vitit 1019 thotë: “Për peshkopin e Gllavinicës në vetë Gllavinicë urdhërojmë të ketë 40 parikë dhe klerikë”.
Pas braktisjes së Gllavinicës në fillim të shekullit XII për shkak të luftërave normano-bizantine, një pjesë e popullsisë së saj u vendos në vendbanimin e Ballshit, vetëm 6 km më në veri të saj. Këtu me gur e të marrë nga Gllavinica (Bylisi mesjetar) u ndërtua manastiri dhe kisha Episkopale e fjetjes së Shën Mërisë. Në këtë kishë u vendosen lipsanat e Shën Engjëllorit dhe Horazdit të cilat ruheshin me parë në kishën peshkopale të Gllavinicës. Po këtu në vitin 1373 në katedralen e Ballshit u vendos epitafi kushtuar vëllezërve Balsha nga Gjergj Arianiti I, një nga sundimtarët lokale. Bashkë me emrin e tij këtu gjendet dhe emri i Peshkopit të Gllavinicës, Kalistit. Diku para rrezikut të dyndjeve osmane këto lipsana u transferuan drejt peshkopatës së Beratit. Nga studimet e Th. Popes (Monumentet 2 1964) Peshkopata e Gllavinicës u suprimua në vitin 1767. Në vitin 1751 në të u varros Peshkopi i fundit i saj, Niqifori. Pas këtyre viteve vala e islamizimit përfshiu Mallakastrën ku në pjesën e sipërme u përhap riti bektashi ndërsa në pjesën e poshtme u përhap islamizmi sunit. Veç rrënojave të kishave të vjetra paleokristiane si dhe të toponimeve me karakter fetar, sot nuk ka dëshmi të tjera që mund të flasin për kristianizmin në këtë krahinë, aq të pasur me ngjarje të historisë sonë kombëtare.
Objektet e kultit
Nga antikiteti ndeshim si trashëgimi të kultit fetar kristian një sërë kishash mesjetare që sot paraqiten si rrënoja dhe që shfaqin një interes të veçantë arkeologjik. Me interes është fakti se nga gjetjet e mjaft objekteve në to janë shpjeguar me fakte shumë hamendje dhe hipoteza të historisë shqiptare. Sot ndeshim si rrënoja në këtë krahinë disa bazilika paleokristiane, të dhënat për të cilat janë botuar në formën e studimeve shkencore nga zbuluesit e tyre arkeologët Skënder Anamali dhe Skënder Muçaj. Bazilikat ishin ndërtimet më të përshtatshme për godina kulti. Ato ishin të lehta në ndërtim dhe zinin një numër të madh besimtarësh.
Fillimisht bazilikat ndërtoheshin sipas arkitekturës romako-helenistike, më vonë gjatë shekujve IV-VI, në kohën e antikitetit të vonë, ato u kristalizuan si tip i mirëfilltë arkitektonik.
Bazilika përbëhej nga një sërë pjesësh si: Naosi që ishte salla kryesore e cila ndahej në 3 nefe (hapësira), absida që krijonte ambientin për altarin, Narteksi (para-salla), Ekzonarteksi (portiku i jashtëm i pajisur me kolona). Gjithashtu si ambiente ndihmëse të saj për kultin ishin: Diakonikoni, Proteizisi, Katekumeni, Baptisteri etj.
Fillimisht bazilika mbulohej me çati të tipit helenistik. Me kalimin e shekujve gjatë mesjetës së hershme çatia u zëvendësua me qemerë orientalë dhe kupolë.
Tri monumentet më të spikatura të kësaj gjinie janë bazilikat e Bylisit dhe ajo e Ballshit. Ne Bylisin antik janë zbuluar gjithsej pesë bazilika. Studiuesi i tyre, Skënder Muçaj, i emërtoi ato sipas rendit alfabetik me shkronjat A, B, C, D, E. Interes më të madh për ne paraqitin dy të parat të cilat vazhdojnë të studiohen me imtësi.
Bazilika A e Bylisit a ka qenë një kishë peshkopale, përbërë nga Naosi (Salla) prej 3 anijatash, transepti trepjesësh, narteksi, ekzonarteksi, dy kthinat në pjesën jugore dhe shkallarja. Kjo kishë mbulohej me çati tjegullash dhe ishte me sinthron. Përmasat e saj ishin monumentale, prej 38 x 23 m. Mendohet se në këtë kishë shekuj më vonë është kryer ceremonia e kthimit të Mbretit bullgar dhe popullit të tij në fenë kristiane, e cila është përjetësuar edhe me mbishkrim në njërën prej kolonave të kësaj katedraleje peshkopale.
Kjo faltore është ndërtuar njëherësh me gurë gëlqerorë. Muratura është e përbërë përgjithësisht prej gurësh të papunuar mirë dhe të lidhur midis tyre me llaç. Tullat janë përdorur për ndërtimin e dritareve të cilat kanë qenë me dy hapësira drite. Për izolimin e tyre nga ambienti i jashtëm është përdorur xhami. Kjo bazilikë ka qenë e pajisur edhe me një kolonadë, kapitelet e të cilave janë zbukuruar me motive bimore, kryqe dhe monograme me simbolin e Krishtit. Dyshemeja e këtij tempulli ka qene e shtruar me mozaikë që i përkasin një niveli të lartë artistik. Kjo tregon vazhdimësinë e traditave ndërtimore në Bylis dhe zhvillimin ekonomik dhe kulturor të tij në antikitetin e vonë.
Mozaikët janë punuar me gurë kubike dhe copa xhami. Ngjyrat e përdorura në to me tone të forta dhe të buta janë: e kuqja, e zeza, e bardha, e verdha, bojë qielli, roza dhe lejlaja. Si në të gjitha kishat paleokristiane motivet e mozaikëve përbëhen nga figura zoomorfe, floreale dhe figura gjeometrike.
Bazilika B, ashtu si bazilika A, ndodhet në anën jugore të qytetit, brenda territorit të agorasë antike. Mendohet se është ndërtuar pak vite më vonë se bazilika A, midis shekujve V-VI.
Bazilika B është vendosur në një terren të pjerrët. Pjesët përbërëse të saj ishin: Naosi, shkallarja, atriumi, portiku, narteksi dhe ekzonarteksi. Kjo faltore ka patur përmasa gjigande prej 94 x 40 m dhe ne krahun jugor përbëhej nga anekse të shumta. Edhe ky tempull është ndërtuar me gur gëlqerorë dhe dyshemenë e ka patur të shtruar me mozaikë të së njëjtit motiv me bazilikën simotër.
Për t’u përmendur është njëra prej dy skenave të mozaikut të dyshemesë se ekzonarteksit. Midis peshqve, oktapodëve, gjarpërinjve dhe shpendëve të ujit janë paraqitur me mjeshtëri artistike dy peshkatarë. I pari, i cili ndodhet në këmbë, tërheq rrjetën e mbushur, ndërsa i dyti, i ulur, tërheq kallamin në grepin e të cilit i ka rënë një peshk.
Bazilika e Ballshit. Në Ballsh rreth 6 km në veri të Bylisit janë zbuluar mbetjet e një bazilike monumentale me tre anijata. Sipas studiuesit Koço Zheku, duke u bazuar tek planimetria dhe teknika e ndërtimit mendohet se kjo kishë të jetë ndërtuar gjatë mesjetës së mesme pas braktisjes së qytetit të Bylisit (Gllavinicës mesjetare), me materiale të nxjerra nga kishat e tij në një kohë kur kjo qendër peshkopale u shkatërrua. Disa prej materialeve që erdhën nga Bylisi në Ballsh dhe u përdoren në ndërtimin e Bazilikës së Shën Mërisë ishin dhe mbishkrimi i Paktianos, shtylla me mbishkrimin e Borisit dhe Monfortit si dhe katër gurët me mbishkrimet për Viktorinin, rindërtuesin e Bylisit.
Një tezë tjetër mbi origjinën dhe ndërtimin e kishës së Ballshit është ajo e zbuluesit të saj arkeologut, Skënder Anamali. Sipas tij, kjo bazilikë është ndërtuar në shekullin VI dhe mbi të janë bërë rindërtime në shekujt XI dhe XII.
Bazilika e Ballshit përbëhet nga narteksi, ekzonarteksi, naosi etj. Përmasat e saj janë 22.50 m x 17.20 m. Në pjesën veriore të saj ndodhej edhe një kapele e vogël, ndërsa më vonë asaj iu shtua edhe një manastir prej 366 dhomash. Për pak kohë ai shërbeu si seli peshkopale derisa më në fund Peshkopi u zhvendos në Berat duke e braktisur këtë manastir.
Me vlerë të veçantë janë edhe gjetjet arkeologjike në rrënojat e bazilikës së Ballshit të cilat i përmendem me sipër.
Gjatë vitit 1918 në gërmimet e para që kreu në rrënojat e kësaj kishe arkeologu austriak Kamilo Prashniker, gjeti një shtyllë guri që mbante në vetvete dy mbishkrime. I pari ishte në gjuhën greke dhe tregonte kthimin e bullgarëve dhe Mbretit të tyre, Boris, në fenë kristiane. Viti i mbishkrimit është 866. Mbishkrimi i dytë në gjuhën latine i përket viteve 1107-1108. Ai është epitafi i varrit të nëndukës Norman Robert Monfort, i cili u vra gjatë fushatës pushtuese të Mbretit të Napolit, Boemundit, ndaj Gllavinicës që kontrollohej nga trupat bizantine.
Historia e gjetjes se mbishkrimeve me vlera historike në rrënojat e kësaj bazilike do të vazhdojë më tej. Në vitin 1937 mësuesi M. Milova gjeti një gur varri me një mbishkrim në greqishten e vonë, i cili tregonte se në vitin 1751 në varrezat e kishës ishte varrosur Peshkopi Niqifor, ndoshta i fundit i Peshkopatës së Gllavinicës.
Gjatë ekspeditës arkeologjike të vitit 1983 arkeologu Skënder Anamali zbuloi gjatë gërmimeve 3 gurë muri me mbishkrime metrike, në gjuhën greke të sjella nga Bylisi.
Gurët janë të së njëjtës kohë, homogjenë, të dalë nga dora e të njëjtit mjeshtër dhe janë marrë nga rrënojat e murit rrethues të Bylisit. Karakteri i mbishkrimeve është ndërtimor dhe konteksti i tyre lidhet me punimet e rindërtimit të Bylisit nga Viktorini, i ngarkuari me këtë detyrë i Perandorit bizantin, Justinianit.
*Historian