E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabo e braktis penën



Një shkrimtar, si kapiten, shkruan derisa anija të fundoset. Fituesi i “Nobelit” mund të braktisë punën e tij, por historia na tregon se karriera e një shkrimtari mund t’i mbijetojë madje edhe vdekjes. Raportet nga Kolumbia kanë sinjalizuar se Gabriel García Márquez nuk do të shkruajë më libra, duke i zhgënjyer adhuruesit

Spektatorët që e shikojnë David Beckham-in në Wembley të mërkurën mbrëma – apo Andrew Flintoff-in në West Indies – janë plotësisht të vetëdijshëm se ora është duke rrahur mbrapa në karrierën e tyre. Pas një dekade, këta sportistë do të mbesin në kujtime ose do të bëhen komentues. Adhuruesit e gjigandëve letrarë nuk kanë ndjenjë të tillë ankuese të mbarimit. Të shkruarit është karrierë që mund të vazhdojë për aq kohë sa mbijeton truri. Duke e parë “The Diving Bell and the Butterfly”, e dimë se nëse është e nevojshme një libër mund të diktohet me një kapak të syrit.

Kështu që raportet nga Kolumbia kanë sinjalizuar se Gabriel García Márquez nuk do të shkruajë më libra, duke i zhgënjyer adhuruesit. Edhe në moshën 82-vjeçare, fituesi i çmimit “Nobel” mund të ketë qenë i mirë edhe për disa tregime; Diana Athill sapo është futur në listën e ngushtë për një çmim në vitet e saj të 91-a. Ne thjesht nuk presim nga shkrimtarët që të pensionohen, megjithëse Marquez nuk është i vetmi që e ka ndalur vetveten; Gore Vidal u ka thënë intervistuesve se libri i tij më i vonë do të jetë i fundit dhe Philip Roth ka lënë të kuptohet se romani i tij i ardhshëm mund të jetë i fundit në raftin e tij.

Arsyeja që shkrimtarët e mëdhenj parashikojnë ndërprerjen, kur mund të ecin më tutje, është çështje e përmbajtjes së kualitetit. Një shkrimtar në moshë është i përhumbur nga shembujt paralajmërues të atyre që i kanë braktisur penat shumë përpara se të ndahen nga jeta - EM Forster, Thomas Hardy, Philip Larkin - dhe të tjerë që ndoshta kanë qenë të pamatur për të ushqyer bibliotekat: botimet e fundit të Graham Greene - romanet e braktisura dobësisht të përfunduara, shënimet e ëndrrave të tij, deklamimet rreth politikave komunale franceze – do të mbarojnë të copëtuara nga brezat e ardhshëm. Të gjithë shkrimtarët në njëfarë mase janë duke raportuar për jetët dhe kohërat e tyre, dhe ne pashmangshëm dëshirojmë që këto informacione të vazhdojnë sa më afër përvojës përfundimtare njerëzore. Kur John Updike vdiq në janar, lexuesit ishin të trishtuar nga raportet se ai ka qenë shumë i dobët gjatë muajve të fundit për të përfunduar romanin e tij të 24-t, por u gëzuan nga lajmi se një përmbledhje e tregimeve të shkurta do të dalë në qershor. Dhe pastaj u përhap lajmi për një libër të jashtëzakonshëm të botuar në Amerikë gjatë kësaj jave.

“Endpoint” - titull që me qëllim e imiton “Midpoint”, një libër me vargje i vitit 1969 rreth moshës së mesme - përmban një varg të poemave të shkruara në javët e fundit të jetës së Updike, duke raportuar mbi diagnozën dhe trajtimin e pavlerë të sëmundjes së tij të fundit. Kjo është një karrierë tipike letrare e përfunduar me një shembull të fundit të madh-për Updike, shkrimtari ka qenë një kapiten që ka qëndruar në urë të anijes derisa anija fundosej.

“Endpoint” do të jetë libri i 65-të i tij që do të futet në raftin tim dhe tregimet e shkurta, ‘My Father's Tears’, i 66-i. Por nuk i kam humbur ende shpresat se një përmbledhje do të jetë e 70-a sepse historia e fundit letrare ka treguar se vdekja e një shkrimtari është më pak pikë sesa pikëpresje. Për shembull, më shumë faqe të botuara të poezisë dhe fiksionit nga Philip Larkin janë paraqitur që nga vdekja e tij sesa gjatë kohës sa ka qenë gjallë.

Ky presion për përmbushje është i nxitur nga dy grupe ndikuese të ndryshme. Shumica e akademikëve besojnë se madje edhe projektet e braktisura kanë disa vlera biografike apo kritike dhe lexuesit do të tentojnë ta ndajnë këtë ndjenjë: do të dëshiroja ta kem romanin e pambaruar të Updike, pothuajse pa pavarësisht nga gatishmëria e tij për botim, sepse të lexosh atë do të ishte sikur një letër e fundit nga një mik. Por një presion më i vogël sentimental për paraqitjen e teksteve të pakompletuara vjen nga botuesit, të cilët me vështirësi e pranojnë se vdekja duhet të mënjanojë një pasuri tregtare nga bilanci.

Romancieri i aventurave, Wilbur Smith, më ka thënë këtë javë se e ka shkatërruar dorëshkrimin e romanit të tij të parë të pabotuar për t’iu shmangur mundësisë së botimit pas vdekjes së tij.

Kështu që, qoftë nëse Marquez ka shkruar librin e tij të fundit, atij i duhet të jetë i plotë me instruksionet për përmbaruesit për t’u siguruar se asnjë vepër e re e tij nuk do të botohet. Duke e ditur se të shkruarit është një profesion pa datë të pensionimit, botuesit dhe lexuesit nuk janë të gatshëm ta braktisin.

***

Ai është vigani 82-vjeçar i letërsisë latino-amerikane që e ka themeluar shkollën e realizmit magjik dhe ka frymëzuar një gjeneratë të romancierëve. Por Gabriel Garcia Marquez mezi ka shkruar një fjalë që nga koha kur romani i tij i fundit, “Memoirs of My Melancholy Whores” (Kujtim kurvash të trishta), u botua para pesë viteve.

Tani, adhuruesit e shkrimtarit kolumbian po ballafaqohen me shpresën se, pas një karriere që përfshin një gjysmë shekulli, Garcia Marquez përfundimisht e ka braktisur penën e tij për të mirë.

Agjenti i tij, Carmen Balcells, ka thënë për gazetën kiliane “La Tercera”: "Nuk mendoj se Garcia Marquez do të shkruajë diçka tjetër”. Pavarësisht nga thashethemet e vjetra se ai kurrë më nuk do të shkruante, shpresat u rriten në vitin e kaluar kur shkrimtari kolumbian Plinio Apuleyo Mendoza, mik i tij, kishte thënë se Marquez në të vërtetë ishte duke punuar në një roman të ri. Por komentet e Balcell-it duket se i kanë zhgënjyer adhuruesit, dhe ato ishin mbështetur nga biografi i Garcia Marquez-it, Gerald Martin, i cili i ka thënë gazetës “La Tercera” se edhe ai gjithashtu dyshon se diçka e re do të botohet sa është ai gjallë. “Unë gjithashtu besoj se Gabo nuk do të shkruajë ndonjë libër tjetër, por nuk mendoj se kjo është aq e vajtueshme, sepse si shkrimtar ka qenë fati i tij që ka pasur kënaqësinë e pamasë të të pasurit të një karriere plotësisht të kuptueshme letrare shumë vite para fundit të jetës së tij natyrore”, - ka thënë Martin.

Garcia Marquez në të kaluarën ka folur haptazi për lodhjen që i është shkaktuar nga karriera e tij letrare. Dhjetorin e kaluar ai u ka thënë adhuruesve në panairin e librit në Guadalajara të Meksikës se ai ishte i rraskapitur nga të shkruarit: “Është punë shumë e madhe për mua për të shkruar libra”.

Më herët ai e pat pranuar se viti 2005 “ka qenë viti i parë në jetën time në të cilin nuk kam shkruar madje as edhe një rresht. Me përvojën time, kam mundur të shkruaj një roman të ri pa pasur probleme, por njerëzit do të kuptonin se zemra ime nuk do të ishte në të”.

Garcia Marquez është i njohur me romanet “Njëqind vjet vetmi”, “Dashuri në kohën e kolerës” dhe “Lajmi i rrëmbimit”. Është shpërblyer me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1982. Një numër i dorëshkrimeve të plota më të vjetra thuhet se janë në pronësi të tij, por asnjë vendim nuk është marrë nëse do të botohen në të gjallë të tij.

“Ekspress”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›