"S'mund të zbardhim vrasjet e vjetra të Tropojës"
Kreu i Komisariatit tregon problemet për zbulimin e 150 vrasjeve dhe mungesën në organikë. Zbardhet vetëm një vrasje
TROPOJË- "Ngjarjet e vjetra të Tropojës nuk mund të zbulohen me një urdhër nga lart. Janë më shumë se 150 vrasje, të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën dhe shumë të vështira për tu zbuluar në këto kushte që është policia e Tropojës". Me këtë deklaratë i është përgjigjur kreu i policisë lokale kërkesës së kryeprokurores Ina Rama të bërë katër ditë më parë.
"Ngjarjet e vjetra me pasojë vrasjet e ndodhura në Tropojë, janë aq të shumta sa nuk mund t'i zbulojë as FBI dhe jo policia e Tropojës me 50 për qind të organikës së oficerëve të policisë",- është shprehur shefi i komisariatit të policisë Tropojës, Hasan Hasanaj.
Katër ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama kërkoi që të nisë hapja e dosjeve për vitet 1998-2000 dhe të fillojë zbardhja e tyre. Shkak për këtë kërkesë të saj është bërë edhe fakti që pas vitit 1997 ka shumë dosje kriminale të mbetura pezull, të cilat, sipas saj, duhet të rihapen dhe të studiohen.
Por sipas drejtuesve të policisë, kjo kërkesë e prokurores së përgjithshme nuk është shumë e veçantë pasi hapja e dosjeve të vjetra ka qenë prioritet i çdo drejtuesi policie të ardhur në Tropojë pas vitit 2005. Por secili prej tyre ka dështuar në këtë pikë pasi ka munguar potenciali njerëzor për hetimin e këtyre ngjarjeve.
Policia e Tropojës ka filluar hetimin e dosjeve të vjetra, ku ka rezultuar e suksesshme në njërën prej tyre, që ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur para dhjetë vjetësh, por që kishte shkaktuar gjashtë të vrarë. Shefi i Komisariatit të Policisë së Tropojës, Hasan Hasanaj, ka bërë të ditur për "Shekulli"-n se policia kriminale ka filluar hetimin e dosjeve të ashtuquajtura të vjetra ku në dhjetor të vitit kaluar thuajse ka zbërthyer vetëm njërën prej tyre.
Pas hetimit të dosjes ka rezultuar se në këtë ngjarje janë të implikuar katër persona, ku dy prej tyre ndodhen jashtë Shqipërisë. Njëri prej personave që gjendet jashtë është identifikuar si një vrasës profesionist, i cili pas vrasjes ka ekzekutuar me gjakftohtësi edhe dëshmitarët në ngjarje.
I pyetur për numrin e dosjeve të vjetra për vrasje që janë ende të pa zbardhura në Tropojë, shefi i Komisariatit të Tropojës, Hasan Hasanaj, nuk ka dhënë ndonjë numër, por është shprehur se realisht janë shumë. Seriali i vrasjeve të pa zbardhura në rrethin e Tropojës llogaritet të jetë në 150 dhe që i përkasin viteve 1997-2002.
Konflikti i madh në këtë zonë i shkaktuar nga përplasjet mes përfaqësuesve të dy rrymave më të fuqishme politike në Shqipëri, ishte edhe shkaku që solli një numër kaq të madh viktimash. Në mes ishte edhe vrasja e liderit të PD-së, Azem Hajdari. Përplasjet shkaktuan kufoma të panumërta, ndërkohë që mungesa e shtetit krijoi situatën që vrasjet të mos administroheshin e hetoheshin.
Deri tani nuk ka autorë për shumë vrasje të ndodhura në këtë rreth përfshi edhe vrasjet e veprimtarëve të PD-së Abdyl Matoshi, Gjin Kol Buçaj e Naim Dizdari, ashtu si nuk ka autorë për vrasjet e katër vëllezërve Haklaj.