Vëzhgimi i numërimit të votave, 10 kompani në garë
KQZ-ja pritet të shpallë sot procedurën tenderuese për të marrë ofertat zyrtare
TIRANË- Mbërrin në dhjetë numri i kompanive, që kanë shprehur dëshirën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar shërbimin e monitorimit të procesit të numërimit të votave me kamera. Midis tyre, ka kompani të huaja dhe tepër prestigjioze, por nuk ka munguar dhe interesimi i kompanive vendase.
Për këtë qëllim, KQZ-ja pritet të shpallë sot procedurën tenderuese për të marrë ofertat zyrtare dhe për të përzgjedhur midis tyre variantin jo vetëm më të sigurt, por edhe më të lirë, pasi siç dihet tashmë, për realizimin e këtij procesi janë vënë në dispozicion vetëm 2 milionë dollarë.
Kompanitë
Ka qenë vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ai që ka konfirmuar një fakt të tillë gjatë raportimit të tij në komisionin Ad-Hoc në Kuvend, disa ditë më parë, teksa ka informuar deputetët mbi ecurinë e procesit të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore.
Siç bëjnë të ditur burime edhe pranë KQZ-së, menjëherë pasi ky komision miratoi vendimin mbi përdorimin e kamerave, pranë këtij institucioni kanë vërshuar një sërë ofertash, të cilat kanë qenë të gatshme që të ofrojnë shërbimin e monitorimit.
Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm kompanish, më shumë se dhjetë, e para ndër të cilat ka qenë një kompani spanjolle me eksperiencë në këtë fushë. Ndërkohë që nuk kanë munguar as ofertat nga kompani vendase, të cilat kanë dhënë garanci për të instaluar një sistem monitorimi të sigurt.
Gjatë kësaj kohe mësohet se KQZ-ja ka nisur të studiojë kompanitë që kanë shprehur interes, dhe për këtë arsye, Kryetari Arben Ristani dhe anëtari Artan Lazaj, kanë bërë një vizitë në Spanjë, ku kanë parë nga afër teknologjinë dhe mundësitë që ofron kompania spanjolle. Siç mësohet, të dy anëtarët e KQZ-së kanë mbetur të kënaqur për shërbimin e kësaj kompanie, e cila për hir të së vërtetës, deri më tani ka operuar në qendrat votimit dhe jo në ato të numërimit të votave.
Ajo që e bën pothuajse të pamundur kontraktimin e një kompanie të tillë, është pikërisht shtrenjtësia e ofertës, pasi siç mësohet, spanjollët kanë kërkuar rreth 5 milionë euro.
Tenderi
E gjendur përballë kohës së kufizuar, KQZ-ja duket se e ka ndarë mendjen për të hequr dorë nga varianti për blerjen dhe instalimin e kamerave vëzhguese që do të përdoren gjatë procesit të numërimit të votave dhe ka vendosur që të shohë si mundësinë e vetme atë të blerjes vetëm të shërbimit nga një operator privat.
Problem në këtë rast mbetet procedura që do të ndiqet prej KQZ-së për kontraktimin e këtij operatori. Koha e mbetur deri në zgjedhje nuk i lejon asaj mundësinë për të ndjekur procedurën me negocim, me njoftim paraprak, pra procedurën e tenderit të hapur.
Kjo pasi ndjekja e rrugës normale të zhvillimit të një tenderi të tillë dhe më pas instalimi dhe testimi i rrjetit të monitorimit, do të kërkonte një kohë të paktën prej 135 ditësh.
Për këtë arsye, KQZ-ja është e detyruar që të ndjekë procedurën me negocim pa njoftim paraprak, pavarësisht se VKM nr.1, datë 10.01.2007, "Rregullat e Prokurimit Publik", përcakton se një procedurë e tillë ndiqet vetëm në rastet e një nevoje ekstreme, të shkaktuara nga ngjarje të paparashikuara.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja do të vendosë 385 kamera me rezolucion të lartë, të cilat do të instalohen mbi çdo tavolinë numërimi për regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi dhe transmetimin në kohë reale në 385 monitorë (ekrane) të vendosur përballë vëzhguesve.
Gjithashtu, do të vendosen edhe 66 kamera të mëdha me mundësi rrotullimi 360 gradë, të cilat do të mundësojnë lidhjen drejtpërdrejtë të KQZ-së me të 66 Vendet e Numërimit të Votave. Sistemi në bazë të kodit, duhet të fillojë të instalohet 40 ditë para zgjedhjeve, për të qenë gati para datës 18 qershor.