Çiklizmi dhe kampionët e rrugës

Kampionati Kombëtar Individual i çiklizmit të dielën ka ulur siparin, ndërsa ka shpallur dhe fituesit e garës së rrugës. Për kadetë etapa ishte e gjatë 44 kilometra. Për të rinj, apo junior, 102 kilometra e për Elitë dhe U-23 167.5 kilometra. Gjithçka nisi e përfundoi në kryqëzimin e Marinëz, kurse ceremonia e shpërndarjes së medaljeve u bë në qendër të Belshit. Mikail Pali i Skënderbeut ishte fitues për kadet me kohën 1h32’02”. Për të rinj triumfi shkoi për Emil Priftajn e Tiranës me kohën 2h44’05”, kurse për elitë dhe U-23 për Lukas Sulaj Klottenburg, që mundi në finish Olsian Veliaj, si dhe Ylber Sefën, i cili garën e ka kryesuar për gati pesë xhiro. E Klottenburg e ka ndalur kohën në 3h26’06.
“Por ishim përgatitur gjatë gjithë këtij muaji dhe arritëm t’ia dilnim. Ndaj dhe fitova”, thotë çiklisti i Skënderbeut, Pali.
“Patëm edhe një bashkëpunim e kombinim të bukur me shokun e ekipit Olsin, i cili në gjysmën e xhiros së fundit arriti të na kapte dhe bashkëpunuam të dy së bashku, ndërsa fitorja më takoi mua”, shpjegon Emil Priftaj.
“Unë bëj gara në Danimarkë dhe atje shumë mirë për çiklizmin, ndaj dhe kam fituar sot dhe vazhdoj të fitoj në Shqipëri. Mos harroni që kam triumfuar në Elbasan dhe Kavajë më parë”, tregon Klottenburg.
Për presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, grupi i të rinjve të ardhur nga Italia, teksa përfaqësojnë klubet e vendit, janë një perspektivë e mirë për ekipin kombëtar, që bëhet gati të marrë pjesë në një seri aktivitetesh ndërkombëtare.
“Nëse ne do të punojmë dhe ta mbajmë me seriozitet, ashtu sikurse e kemi nisur, atëherë të jeni të bindur që në 2024-ën do të shkojmë në Francë”, thekson Anxhaku.
E ndërkohë në fundin e muajit qershor, Korça do të jetë mikpritësja e Kupës së Shqipërisë, ndërsa presidenti i Skënderbeut, Leonard Bejko, kërkon më tepër mbështetje nga Bashkia e qytetit juglindor.