Cikloni gjunjëzon Birmaninë, 10 mijë viktima
Bilanci i kalimit të ciklonit Nargis në Birmani mund të ketë shkruar në mbi 10 mijë viktima. Qeveria ushtarake e Birmanisë ka një shifër provizore pas ciklonit shkatërrues, ndërkohë që mijëra persona të tjerë janë ende të zhdukur. Fillimisht, radioja dhe televizioni shtetëror folën për 3969 të vdekur dhe 3000 të zhdukur. Por, një bilanc i mëtejshëm, e ka rritur ndjeshëm shifrën. Madje, këtë e ka pranuar në një mbledhje emergjente ministri i Jashtëm i Rangunit, sipas asaj që bëhet e ditur nga diplomatë të huaj. Gjithsesi, sipas agjencisë kineze të lajmeve "Kina e Re", që citon burime nga junta ushtarake birmaneze, viktimat në dy provincat Jangon dhe Ajejavadi janë mbi 15 mijë. Junta ushtarake birmaneze, falë dimensioneve të katastrofës, ka pranuar më në fund edhe ofertën për ndihma ndërkombëtare. Kjo është konfirmuar edhe nga Kombet e Bashkuara, që kanë shpjeguar se ndihmat e para do të nisen menjëherë. Edhe Shtëpia e Bardhë ka lajmëruar se do të dërgojë ndihma, por ka nënvizuar se do të marrë masa që të shmanget që fondet të përdoren në tjetër mënyrë nga junta ushtarake birmaneze. "Jemi shumë të turbulluar nga informacionet që na vijnë nga Birmania dhe na vjen shumë keq për numrin e madh të viktimave", ka pohuar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Skot Stanzel. "Ambasada jonë është takuar me autoritetet birmaneze për të dërguar atje ndihma", shtoi ai duke saktësuar se ndihmat do të shpërndahen nga organizata ndërkombëtare për të shmangur që të përfundojnë drejtpërsëdrejti në duart e qeverisë. E në fakt, makina e ndihmave ndërkombëtare është vënë në lëvizje. "Dimë se qindra e mijëra persona kanë nevojë për një strehë, për ujë të pijshëm dhe ndihma të tjera", ka deklaruar nga Bangkoku Riçard Horsej, i zyrës së Kombeve të Bashkuara për emergjencat natyrore, "por, nuk jemi në gjendje të saktësojmë numrin e saktë". Stuhia tropikale e kategorisë së tretë, që të shtunën është përplasur mbi brigjet e Birmanisë, u shoqërua me erëra të fuqishme që i kalonin të 190 kilometrat në orë dhe ka shkatërruar gjithçka ka gjetur në rrugën e saj. Fshatra e qytete të tëra mbetën pa energji elektrike, mes të cilëve edhe Ranguni, dikur kryeqytet i vendit dhe që sot numëron 5 milionë banorë. Dëmet më të mëdha janë regjistruar në deltën e lumit Irravadi. Këtu, sipas mediave lokale, kanë mbetur pa strehë të paktën 98 mijë persona dhe në ndihmën e tyre janë hedhur edhe qindra murgj. Dhe në të vërtetë, janë të paktën 2 milionë personat e prekur nga cikloni Nargis. Ndërkohë, nga Birmania kanë ardhur edhe historitë e para të tmerreve si pasojë e dorës së njeriut. Kalimi i ciklonit Nargis, sipas një organizate tajlandeze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka shkaktuar shembjen e tavaneve të qelive nëpër burgje. Rreth njëmijë të burgosur kanë tentuar të arratisen si pasojë e kaosit të krijuar, por këta të fundit, pasi janë mbledhur të gjithë në oborr, janë "qetësuar" nga policia e burgjeve, që ka qëlluar kundër tyre. Në përfundim të katastrofës, të shtrirë në tokë, kishin mbetur 36 të vdekur dhe 70 të plagosur.