E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta dështon në parlament, i drejtohet popullit për një aksion likuidues ndaj kastës “Rama”

Sot hyn në fuqi dhe vendimi i miratuar dy javë më parë në Kuvend për ndryshimet Kushtetuese, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, duket e dorëzuar nga pamundësia për të mbledhur firmat e deputetëve, me qëllim përgatitjen e kërkesës për referendum drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ndryshimet Kushtetuese, të kontestuara së tepërmi dhe mungesa e paradigmës nga ana e forcave politike, kryesisht faktorëve të vegjël, u kthyen në ngërçin e radhës të politikës ditore në vend me replika dhe kundër replika të ashpra ndërmjet dy selive partiake në opozitë PS dhe LSI, por pa ndikuar në gamën e gjërë të politikës në vend. Duke prerë shpresat për firmat e deputetëve, kreu i LSI-së Ilir Meta, paralajmëroi dje se do të mbledhë firmat në popull për referendum ndaj ndryshimeve ne Kushtetutë. Pasi ka prerë ç’do shpresë për të mbledhur firmat nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, e kushtëzuar kjo edhe nga pamjaftueshmëria kohore, Meta, ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama se u ka bërë presion deputetëve dhe njoftoi fillimin në 10 maj të protestave në të gjithë vendin për të detyruar Kuvendin që të rishikojë Kushtetutën e ndryshuar me votim të përgjithshëm nga mazhoranca dhe opozita, duke siguruar plot 117 vota, ç’ka rikonfirmoi edhe mbështetjen e gjithanshme për këto ndryshime Kushtetuese. “Duke qenë se shumica e deputetëve të parlamentit e kanë humbur lirinë e tyre dhe ka mbetur shumë pak kohë që kërkesa e 28 deputetëve për referendum drejtuar Gjykatës Kushtetuese, të jetë e vlefshme, ne do t’i drejtohemi popullit shqiptar për të mbrojtur republikën parlamentare”, tha Meta. Për këtë qëllim “bazuar në nenin 150 të Kushtetutës, ne do të mbledhim jo 50 mijë firma të shtetasve shqiptarë që kanë të drejtë vote, por do të mbledhim minimumi 500 mijë deklarata noteriale të qytetarëve shqiptarë që kanë të drejtë vote për të kërkuar referendumin, i cili do të mbrojë lirinë e popullit shqiptar dhe sovranitetin e tij nga nëpërkëmbja që i është bërë më 21 prill”. Sipas kreut të LSI-së, mbledhja e këtyre deklaratave noteriale do të zhvillohet në të gjithë qytetet e fshatrat e Shqipërisë, por do të zhvillohet edhe në Greqi, Itali, SHBA, Britani,etj, aty ku jetojnë qytetarët shqiptarë. Mbledhja e këtyre firmave do të nisë më 10 maj, në sheshin ‘Skënderbej’, për të vazhduar në të gjithë Shqipërinë në një fushatë të pandërprerë.
Gjithsesi Meta e quan ende të mundshme idenë e referendumi, nëse arrin të mbledhë 50 mijë firma në popull, të cilat e detyrojnë Kuvendin që të rishikojë vendimin e marrë dy javë më parë për ndryshimin e Kushtetutës. Duke iu referuar nenit 150 të Kushtetutës që legjitimon firmat në popull për referendum Meta përjashtoi tashmë çdo mundësi bashkepunimi me socialistët e Ramës. Prej 2 javësh që nga dita e votimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin themeltar të shtetit që saktësojnë zgjedhjen e presidentit me 71 vota, por dhe ndryshojne mënyrën e mocionit ndaj kryeministrit është thelluar debati mes PS dhe LSI. Ftesa reciproke nga dy palët nuk kanë sjellë asnjë rezultat duke ndarë edhe një herë të majtët për Kushtetutën. Megjithatë, Meta konfirmoi edhe njëherë dje, se tashmë mbaroi edhe ultimatumi prej 48 orësh drejtuar Ramës për të vendosur mbi të ardhmen e tij politike. Sipas tij Rama mbylli cdo kapitull dhe sens bashkëpunimi me pjesën tjetër të opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›