E Diel, 1 Nëntor 2026

Tmerr në Gjermani, tre foshnje, në frigorifer

Trupat e tre fëmijëve janë gjetur në një frigorifer, në një shtëpi në Venden, në Gjermaninë Perëndimore. Një grua që besohet se është nëna e tyre, është arrestuar. E në fakt, sado tronditës, ky nuk është i pari në Gjermani. Në të shkuarën opinioni publik në Gjermani është shokuar shpesh nga ngjarje të tilla. Duke u kthyer te rasti i fundit, zyrtarët e policisë konfirmojnë se nuk bëhet fjalë për foshnje të vdekura gjatë lindjes por gjithsesi, shkaku i vdekjes dhe mosha e fëmijëve nuk bëhet e ditur. Foshnjat që dukej se kishin vdekur menjëherë pas lindjes, ishin futur në frigorifer, në qese plastike. Pritet që të kryhen tani autopsitë që do të përcaktojnë edhe shkaqet e vdekjes. Në një nga qeset gjendej edhe një gazetë që datonte nga viti 1988, duke lënë të kuptohet se ndoshta foshnjat kishin vdekur atë vit. Zyrtarët ndërkohë thanë se një çift me tre fëmijë të moshës nga 18 deri në 24 vjeç, jetonin në shtëpinë ku ishin gjetur foshnjat e pajeta. Dy prej fëmijëve të rritur të çiftit i kishin gjetur trupat ndërsa po kërkonin diçka për të ngrënë në kohën kur prindërit nuk gjendeshin në shtëpi. "Ata kishin vendosur të bënin një picë dhe vunë re se frigoriferi duhej pastruar sepse ishte i mbushur me ushqime të skaduara", thanë hetuesit. "E në këtë kohë, ata kishin zbuluar qesen e parë". Një nga djemtë e çiftit, kishte shkuar më pas në polici e pasi oficerët kishin kryer kërkime në shtëpi, arrestuan gruan 44-vjeçare që besohet se është gjithashtu nëna e tre bebeve. Ky nuk është i pari rast i tillë në Gjermani. Dy vjet më parë, trupi i një fëmije të mitur u gjet në frigoriferin e prindërve të tij, përdorues droge, në qytetin verior të Bremenit. Po ashtu, në 2006-ën, një grua në Gjermaninë Lindore u dënua me 15 vjet burg për vrasjen e tetë fëmijëve të saj. Ajo i kishte varrosur ata në kopshtin e shtëpisë së prindërve të saj, në afërsi të kufirit me Poloninë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›