E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciko: “Vuajtjen e djaloshit Verter” do të rrëfehen në Tiranë

SHKRUAN: Aida Tuci 28-03-2011 11:05

Premierat këtë vit në Teatrin e Operas dhe Baletit do të jenë të shumta dhe të përzgjedhura me kujdes. Ato janë fillimi i rëndësishëm i TKOB në drejtim të cilësisë artistike, janë sfida të vetë realizuesve, por janë dhe të vështira për t’u realizuar në skenën modeste të Teatrit të Operas. Por për drejtorin e TKOB, Zhani Ciko, sezoni i ri artistik është një faqe e re për institucionin më të madh artistik në vend. Premiera që po përgatitet në mjediset e Operas është një vepër që sipas Cikos shënon një fillim të rëndësishëm për teatrin, në drejtim të cilësisë artistike. “Premiera më e afërt do të ngjitet në skenë në muajin prill. Ajo është opera ‘Verter’ e bazuar në romanin ‘Vuajtjet e Verterit të Ri’ e Gëtes. Është një premierë që e kthen vëmendjen edhe një herë drejt operas franceze, ku vitet e fundit Teatri i Operas ka realizuar disa produksione. Por premiera ‘Verter’ është gjithashtu një fillim i rëndësishëm i teatrit në drejtim të cilësisë artistike, në drejtim të shtjellimit të disa parametrave artistikë të nivelit të lartë”- shprehet drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko. Opera “Verter” e kompozitorit francez Jules Massenet, vjen me libret të Edouard Blau, Paul Milliet dhe Georges Hartmann. “Verter” është një dramë lirike me 4 akte, bazuar në romanin “Vuajtjet e të riut Verter” i Gëtes. Massenet filloi të punonte mbi këtë vepër në vitin 1880, por premiera e saj me libret në gjermanisht u dha në shkurt të vitit 1892, ku pati shumë sukses. Ndërsa premiera në gjuhën franceze u shfaq në Gjenevë më 27 dhjetor, po të vitit 1892. Ngjarjet zhvillohen aty në vitet 1780 në Frankfurt. Në tarracën e kryetarit të komunës ku po mëson fëmijët e tij, dëgjohet kënga e krishtlindjeve. Vajza 15-vjeçare e tij Sofia është në skenë, ndërsa motra e saj më e madhe Sharlotë është duke u përgatitur për t’ia marrë një valleje. Vijnë të ftuarit që janë ftuar në shtëpinë e Sharlotës ku do të jepet një festë. Mes të ftuarve është dhe i riu Verter, që kryetari ia prezanton vajzës së tij të madhe. Ndërsa të gjithë po kërcejnë, pranë Sofisë afrohet Albert, i fejuari i Sharlotës, i cili është kthyer nga një udhëtim i gjatë. Në të njëjtën kohë hyjnë Verter i shoqëruar nga Sharlotal. I riu i thotë se e dashuron, por Sharlota i është premtuar Albertit. Akti i parë i operas mbyllet me dhimbjen e të riut Verter që nuk e bën dot për vete gruan që dashuron. Tashmë në aktin e dytë Sharlota me Albertin janë të martuar prej 3 muajsh. Sërish është festë në Franfurt. I palumturi Verter është mes të ftuarve në festë, i dashuruar me Sharlotën, por ndërkohë Sofia dashuron Verterin. Kështu zhvillohen ngjarjet akt pas akti. Sharlota që për shkak të betimin për besnikëri ndaj burrit refuzon të pranojë faktin që është e dashruar me të riun Verter dhe Sofia që e di që zemra e djaloshit nuk mund t’i përkasë kurrë asaj. E djaloshi Verter që nuk duron dot të qëndrojë larg dashurisë së tij, mendon vetëvrasjen. Vetëm në momentet e fundit të jetës, Sharlota i rrëfen sekretin e madh të zemrës; edhe ajo e ka dashur gjithmonë dhe ka sakrifikuar ndjenjat e saj të vërteta vetëm për shkak të një betimi. Më në fund Verter gjen lumturinë dhe vdes i lumtur pas këtij rrëfimi. Në sfond dëgjohen fëmijët që këndojnë këngën e krishtlindjeve. Kësisoj, gjithë atmosfera e Frankfurtit të viteve 1780 do të vijë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›