E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turi, “1+1: Jetë dhe Dashuri" ndal hapin në Tiranë

Specialistë të muzeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Muzeun Historik Kombëtar për ekspozitën; “1+1: Jetë dhe Dashuri". Ekspozita përmban punime artistike të krijuara nga të rinjtë dhe u drejtohet të rinjve. Grupi i specialistëve të 11 muzeve nga 6 vende të Ballkanit si dhe specialistë të muzeve dhe përfaqësues të medias nga Suedia, vijnë në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të "Peace Bus Tour", për të parë nga afër Ekspozitën “1+1: Jetë dhe Dashuri". Ekspozita “1+1: Jetë dhe Dashuri” është veprimtaria e parë e përbashkët e 11 muzeve të Ballkanit Perëndimor: Muzeu Kombëtar i Beogradit, Muzeu i qytetit të Novi Sadit, Muzeu Kombëtar i Sarajevës, Muzeu i qytetit të Zenicës, Muzeu i Banja Lukës, Muzeu i Maqedonisë, Muzeu i Prishtinës, Muzeu i Gjakovës, Muzeu i Cetinjës, Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës dhe Muzeu Historik i Shkodrës, i inicuar nga Fondacioni suedez “Trashëgimi kulturore pa kufij”, që trajton të njëjtën temë dhe që u çel në të njëjtën ditë, më 11 mars dhe në të njëjtën orë (18.00) në 11 muzetë e Ballkanit. Në ekspozitë janë paraqitur punime artistike të realizuara nga të rinj dhe e gjithë ekspozita u drejtohet të rinjve. Numri 11, bashkon 11 muze dhe 11 ekspozita mbledh sot specialistët e muzeve të Ballkanit që pas hapjes së saj më 11 mars zhvillojnë turin e paqes duke vizituar të gjitha ekspozitat. Ideja e një ekspozite me një tematikë të përbashkët ka lindur tre vjet më parë, kur punonjës të këtyre muzeve, duke u mbështetur në frymën e bashkëpunimit dhe pajtimit, vendosën të punojnë së bashku. Me këtë ekspozitë është mundësuar komunikimi përmes lidhjes në internet të 11 ekspozitave në 11 muze të kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore ballkanike. Kjo ekspozitë synon edukimin e të rinjve përmes veprimtarive ndërvepruese dhe performancave të ndryshme, ku secili të ketë mundësinë që të jetë pjesë e saj dhe së bashku të ndajnë momente të këndshme, duke e bërë muzeun një vend tërheqës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›