Tregjet, shtohen kontrollet, asnjë masë për mbylljen e tyre
Drejtoria e Higjienës, për shkak të temperaturave të larta, ka shtuar kontrollet në tregjet e kryeqytetit. Nga kontrollet e kryera, ka rezultuar se disa prej tregjeve kanë nuk kanë zbatuar kushtet higjieno-sanitare. Sipas specialistëve, kontrollet janë bërë të imtësishme, duke filluar nga magazinimi, ambalazhimi, madje sipas tyre, kur janë vënë re shkelje, ndaj subjekteve janë vendosur gjoba si dhe janë asgjësuar produkte ushqimore. Por një problem shqetësues, i përsëritur, jo vetëm për specialistët e higjienës ushqimore, por edhe për konsumatorët mbeten tregtarët ambulatore, të cilët nuk plotësojnë asnjë standard për tregtimin e mallit. Madje, deri tani nuk është mbyllur ende asnjë treg edhe pse Drejtoria e Higjienës, ka kërkuar që të ndërmerret një hap i tillë, pasi kushtet higjenike në të cilat tregtohen mallrat bëjnë që ato të jenë të pakonsumueshme.
Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë ka ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha pishinat e kryeqytetit për të siguruar qytetarët për ujin e pastër. Shumica e pushuesve të kryeqytetit preferojnë të pushojnë në pishina për shkak të largësisë së deti apo preferencave. Ndërsa dyndja në pishina krijon dhe ndotjen e vazhdueshme të ujit të tyre. Inspektimet e ISHP-së janë kryer në 20 pishina, të cilat kanë rezultuar brenda normave të lejuara të pastërtisë. Ky institucion, kryen inspektime çdo muaj për ujin e pishinave, për pastërtinë e ujit, për rrjedhshmërinë dhe për qarkullimin e vazhdueshëm të tij. Por, nga ana tjetër shpeshherë pishinat janë bërë vatër e “nxehtë” e marrjes së infeksioneve. Specialistët theksojnë se kjo vjen për arsye të ndryshme, që tregon moskujdesjen ndaj qytetarëve.
Pediatria, në ditë rreth 250 fëmijë në urgjencë
Ditët e fundit Pediatria e Tiranës është mbipopulluar nga fëmijët, shëndeti i të cilëve nuk i ka rezistuar dot temperaturave të larta. Pavijoni i pediatrisë pret çdo ditë mbi 250 fëmijë të vegjël në rastet e urgjencave. Arsyet e mbipopullimit të urgjencës së pediatrisë janë helmimet nga ushqimet, temperaturë, diarre etj. Mjekët sqarojnë se prindërit sjellin fëmijët për kryer vizitë dhe pas marrjes së mjekimit largohen për në shtëpi. Një pjesë e vogël e tyre kanë probleme serioze dhe janë të detyruar të qëndrojnë me ditë, duke u shtruar në spital. Ndërsa nuk është e njëjta situatë në pavijonet e tjera, ku gjatë javës ka një numër të madh pacientësh. Numri i pacientëve në pavijonet e tjera shkon deri në 40-50 pacientë.
21 Korrik 2008