Meta sulmon: OSBE-ja ka përgjegjësinë e saj në proceset e shkuara zgjedhore”

Reagimi i ftohtë dhe mesazhi se protestat nuk janë rruga më efikase për të imponuar qëndrimet e një pale apo një pale tjetër nga ana e OSBE-së, kanë bërë që kreu i LSI të artikulojë për herë të parë akuzat ndaj Prezencës për përgjegjësi direkte në cilësinë e amendimeve të shtuara të Kodit Zgjedhor.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje pas qëndrimit të dy ditëve më parë
të kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, gjatë tubimit që anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së zhvilluan para selisë së saj në Tiranë. Ilir Meta shprehu rezerva për rolin që tradicionalisht ka luajtur ky organizëm ndërkombëtar në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare apo lokale qofshin.
“Ne kemi vite që përpiqemi të punojmë me OSBE-ODIHR-in, në mënyrë që Shqipëria të shënojë progres në zgjedhje dhe jo regres, sikurse ka ndodhur. Njëkohësisht unë dua të them se OSBE ka një rekord negativ për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Ka bërë shumë pak për të parandaluar ato fenomene, të cilat kanë qenë tërësisht të pritshme dhe të paralajmëruara, jo vetëm nga ne, por dhe nga opinioni ndërkombëtar. OSBE gjithnjë rekomandimet pas zgjedhjeve, për zgjedhjet e ardhshme i ka pasur konstruktive, por nuk u ka qëndruar në mënyrë konsistente, duke marrë në një farë mënyre, dhe përgjegjësitë e saj për çështjet e zgjedhjeve në Shqipëri. Por, në radhë të parë, përgjegjësia e problemeve të zgjedhjeve ka qenë dhe mbetet e klasës politike në vend. Rekomandimi kryesor i OSBE ka qenë rritja e gjithë përfshirjes dhe mendoj që ky ka qenë një qëndrim shumë parimor dhe rezultati i reformës Xhafa-Rusmali është pikërisht monopolizimi i procesit dhe jo gjithë përfshirja”, deklaroi Meta.
Sipas tij tentativat për të shmangur nga përfaqësimi forcën e tretë politike në vend, e konfirmuar sipas tij si në vitin 2005 ashtu edhe në vitin 2007, tregojnë se nuk “kemi të bëjmë me një Reformë Zgjedhore, por me një komplot, që nuk është thjesht kundër LSI-së, është kundër zgjedhjeve, është kundër integritetit të procesit, është kundër barazisë së votës së qytetarëve shqiptarë. LSI-ja nuk është një forcë që kontrollohet apo që varet, qoftë nga PD-ja apo nga PS, është një forcë reale, është një forcë sfidante, konkurrente me to dhe ata kërkojnë të eliminojnë konkurrencën në zgjedhje, transparencën në këtë proces dhe të frikësojnë votuesit që tani me idenë, që zgjedhjet do të ndahen në tavolinë dhe jo atje, ku do të shprehen qytetarët shqiptarë në vitin 2009”, nënvizoi kreu i LSI-së. Dy ditë më parë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian i cilësoi si të pabaza shqetësimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për sa i përket formatimit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Shefi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, duke i drejtuar turmës së protestuesve komunikoi qëndrimin e tij për kërkesat e të tubuarve. Bosch ka bërë të qartë pjesëmarrësve në këtë tubim proteste, se organizata që ai drejton e konsideron reformën zgjedhore një të drejtë legjitime e klasës politike shqiptare, prandaj çdo vendim që merret prej saj në mënyrë demokratike është i pakontestueshëm nga kushdo, përfshi këtu edhe OSBE-në. Nisur pikërisht nga ky fakt, Bosch i ka bërë të ditur turmës se nuk ka të drejtë në kërkesat e veta.
“Në demokraci ka një Parlament dhe kur Parlamenti merr një vendim në mënyrë demokratike, OSBE nuk mund të protestojë kundër asgjëje. Unë e di që zakonisht turmat kanë të drejtë, por në këtë rast jo”, tha ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosch.
...