INTERVISTA/ Rama në BBC: PS-ja e vetme në zgjedhjet e 2009-s, me LSI-në kemi vizione, rrugë e sjellje të ndryshme

Kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri Edi Rama thotë se partia e tij do të konkurrojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009.
Në një intervistë për BBC në shqip gjatë një vizite në Londër Rama tha se në sistemin i ri zgjedhor çdo parti do të konkurrojë "me programin, ekipin dhe liderin e vet".
Në intervistën e tij Edi Rama, ka rikonfirmuar përçarjen me LSI-në, duke e motivuar si “vizione të ndryshme, për rrugë të ndryshme, për sjellje të ndryshme”.
Edi Rama edhe një herë nga Londra, nuk ka preferuar të njohë sukseset e Shqipërisë dhe qeverisë së saj, kur ka arritur të injorojë edhe raportet ndërkombëtare, sikurse ka bërë në këtë intervistë edhe me raportin e Transparency International, që evidentonte sukseset antikorupsion në vendin tonë.
BBC: A është gati partia juaj për zgjedhjet, edhe nga ana strukturore, sepse vihet re një lloj dualizmi. Shumë figura të reja kanë ardhur në parti këto vitet e fundit, ata përfaqësojnë partinë shpesh në konferenca shtypi duke paraqitur programet e partisë, por kemi edhe një anë tjetër atë të parlamentit. Duket sikur ka dy parti, një parti në parlament dhe një jashtë saj, pra kemi figurat e reja dhe figurat e vjetra në parti. Keni mundur ju të krijoni një kohezion në parti?
Zoti Rama: Ky nuk është dualizëm, por harmonizim gjeneratash, moshash, gjinish, këndvështrimesh dhe energjish, të cilat janë të domosdoshme për një familje të madhe politike, siç është Partia Socialiste.
BBC: A do ta pranojë votuesi në 2009 këtë parti?
Zoti Rama: Nuk është pyetje pranimi apo mospranimi i PS, është në pyetje cilësia e fitores tonë e cila është e sigurt, por ne duhet dhe po punojmë çdo ditë që ta bëjmë një fitore të plotë domethënëse, një fitore që të na jap mundësinë të ndryshojmë Shqipërinë. Për ne pushteti nuk është qëllim dhe as fitorja nuk është qëllim në vetvete, por mjete për të realizuar qëllimet e përbashkëta me të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që do të na votojnë me shumicë.
BBC: Këto vite është thënë shpesh që një nga arsyet pse koalicioni i majtë nuk erdhi në pushtet në 2005 ishte përçarja midis tyre. Duket sikur kjo përçarje këto vite është thelluar akoma më shumë, duket që qëndrimet e PS dhe LSI-së janë shumë të kundërta, madje dje në Konventën Kombëtare të LSI-së u përdor dhe fjala "tradhtar" për ju.
Zoti Rama: Nuk bëhet fjalë as për përçarje dhe as për krahasime me të shkuarën, bëhet fjalë për vizione të ndryshme, për rrugë të ndryshme, për sjellje të ndryshme. Vizioni ynë, rruga jonë, sjellja jonë janë të gjeneruara, të prodhuara, të stimuluara nga vështrimi drejt të ardhmes, nga nevoja për t'i dhënë njerëzve të ardhme të sigurt në vendin tonë, nga domosdoshmëria që këtë të ardhme ta ndërtojmë së bashku përtej kufijve të partive, përtej hendeqeve që politika e vjetër e së shkuarës ka krijuar mes shqiptarëve. Dhe nga ana tjetër besoj se çdo krahasim në këtë rast është i mangët sepse jemi në një sistem të ri zgjedhor dhe në këtë sistem të ri çdo forcë politike konkurron me programin, ekipin dhe liderin e vet dhe votuesi do të votojë për një forcë politike qoftë në rastin kur forcat politike janë bashkë, qoftë kur janë të ndara, vota shkon për një forcë politike.
BBC: Me sa kuptoj unë nga kjo që ju sapo thatë, ju do të shkoni secila parti e majtë më vete në zgjedhje, apo keni ndonjë "As nën mëngë"?
Zoti Rama: Të gjitha partitë do të votohen më vete, qofshin të majta apo të djathta, të qenurit në koalicion nuk do të thotë që do të ketë një votë të përbashkët. Votat do të jenë të përveçme dhe qofshin në koalicion apo jo, do të kërkojmë votën për partinë Socialiste, për programin e saj, për një mënyrë të re për ta qeverisur Shqipërinë dhe votuesit të zgjedhin atë parti që u garanton më shumë ndryshimin, më shumë lidhjen mes fjalës dhe veprës, u garanton më shumë të sotmen dhe të nesërmen, për veten dhe fëmijët e tyre.
BBC: Korrupsioni në drejtësi citohet shpesh si një nga shkaqet që sistemi nuk punon. Perceptimi i njerëzve, sipas anketave të kohëve të fundit, duket që është më pozitiv se vitet e tjera, ndërkohë që ju thoni që qeveria është e korruptuar.
Zoti Rama: Sipas cilave anketa?
BBC: Transparency Internationl disa muaj më parë e renditi Shqipërinë disa vende më lart, pra më pozitive, në perceptimin ndaj korrupsionit. Pse mendoni ju ndodh kjo?
Zoti Rama: Unë nuk do të mbetesha për asnjë sekondë peng i një raporti apo një raporti tjetër, sepse ndërkohë që Transparency International jep një konkluzion të tillë, FMN-ja vetëm dy muaj më parë dha një konkluzion tjetër duke e konsideruar korrupsionin në Shqipëri të dyfishuar në raport me tre vjet më parë, e ndërkohë le të presim të tjera raporte që do të japin konkluzione të ndryshme. Ajo që është e përbashkët e të gjitha këtyre raporteve është që Shqipëria është po në atë pellg dhe përmirësimi i çfarëdo qoftë brenda pellgut nuk përbën ndryshim cilësor në raport me korrupsionin.
...