Cilat janë shkeljet e Kuvendit për tetorin?
Kritikat e raport progresit për mënyrën e funksionimit të parlamentit në Shqipëri, konfirmohen edhe nga organizatat vendase. Raporti “Unë votoj” i lëvizjes Mjaft ka monitoruar zbatimin e Rregullores së Kuvendit duke evidentuarraste të shumta kur fjalori i përdorur nga deputetët mund të konsiderohet absolutisht i papërshtatshëm për një institucion publik. Sipas përfaqësuesit të kësaj lëvizjeje, Elton Kacidhja, në Kuvend janë ndjekur standarde të dyfishta. Raporti thekson se kryeparlamentarja Jozefina Topalli, me veprimet e saj ka cenuar barazinë ndërmjet deputetëve duke shkelur në disa raste të drejtat e opozitës. Sipas tij , në jo pak raste deputetët e mazhorancës janë toleruar pavarësisht etikës tepër të ulët të përdorur në sallën e parlamentit kundrejt kolegëve të opozitës. Ajo çka bie në sy edhe në rastin e shkeljes së këtij përcaktimi të Rregullores, është gjykimi i njëanshëm i Kryetares së Kuvendit, n렠 zbatimin e Rregullores se Kuvendit sa i përket dhënies së masave disiplinore për deputetët etik-cënues, thuhet në raport. Një prej rasteve të evidentuara në raport është ai i datës 13 tetor. Gjatë debatit ndërmjet Kryeministrit Sali Berisha me deputetin e Partisë Socialiste Saimir Tahiri, kryeministri i vendit iu drejtua këtij të fundit me fjalët ta bëj fytyrën me të zezë se këpuca që nga fëmijëria jote deri tani. Përfaqësuesi i Lëvizjes Mjaft u shpreh se pavarësisht incidentit që cenon rëndë etikën parlamentare, nuk u shënua asnjë tërheqë vëmendje, vërejte apo masë tjetër nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë për Kryeministrin dhe njëkohësisht deputetin Sali Berisha. Rregullorja e Kuvendit në nenet 64 dhe 65 të saj, përcakton se është detyra e drejtuesit të seancës plenare për të ndërhyrë në raste te tilla si dhe masat që mund të merren në varësi të nivelit të cënimit të rregullave dhe normave të etikës parlamentare. Por çfarë ndodhi ekzaktësisht në seancën e 13 tetorit, vetëm një ditë pas publikimit të raport progresit të BE-së? Dështimi për herë të dytë për marrjen e statusit të vendit kandidat, riktheu sharjet dhe kërcënimet në parlament. Kryeministri Berisha i është drejtuar deputetit socialist, Saimir Tahiri duke e kërcënuar: Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca që nga fëmijëria jote deri më sot dhe më pas ka vazhduar duke i përmendur familjen dhe fëmijërinë. Kërcënimi për të zgjedhurin socialist ndodhi në kohën kur kreu i ekzekutivit po mbante fjalimin e tij dhe po fliste për detyrimet e qeverisë dhe angazhimin për të ecur përpara përmes reformave dhe me rritjen e ekonomisë së vendit. Do të bëj gjithçka..,- ishte fjala që përsëriti dy herë kryeministri dhe në këtë moment ka ndërhyrë Tahiri nga vendi duke plotësuar fjalinë me shprehjen: Për familjen e tij. Ky ngacmim mori shkas nga lapsusi i kryeministrit Berisha të bërë përpara banorëve të Rrajcës në Librazhd, nga ku tha se Shqipëria vend i zhvilluar behët kur secili prej jush, kur çdo shqiptar të mendojë se si të krijojë më shumë të ardhura për familjen time.
Raporti i BE-së
Topalli ka keqpërdorur postin
Institucioni i parlamentit është më i kritikuari në raport progresin e Bashkimit Europian të publikuar në tetor. Sipas raportit, Shqipëria ka miratuar një numër të madh ligjesh, por cilësia nuk ka qenë gjithmonë e një standardi të përshtatshëm. Kuvendi ka punuar shpesh nën presionin e madh të kohës. Vihen re dallime të konsiderueshme mes punës së komisioneve, ku më i ngarkuari është ai i Ligjeve i cili punon tej limiteve të tij. Përfshirja e grupeve të interesit në seancat parlamentare dhe gjatë konsultimeve është e kufizuar – thuhet ne raport. Faji për punën e dobët sipas raportit i takon kryeparlamentares Topalli e cila akuzohet se ka keqpërdorur postin. Pozicioni i kryetares së Parlamentit është keqpërdorur sidomos duke ushtruar influencë të pabalancuar në hartimin e axhendës parlamentare duke u impostuar në mënyrë të vazhdueshme përmes vendimeve të marra në momentet e fundit, ndërkohë që këto vendime duheshin marrë nga Konferenca e Kryetarëve. Pavarësisht nga dispozitat kushtetuese, ka një mungesë të mbikëqyrjes efektive parlamentare mbi ekzekutivin dhe parlamenti nuk funksionon si institucion i pavarur. Komisionet hetimore kanë qenë shpesh herë forume për grindjet e partive politike në vend, të instrumenteve për mbikëqyrje parlamentare. Ato kanë prodhuar shumë rrallë rezultate dhe kështu kanë pasur ndikim të kufizuar në politikat e qeverisë – thuhet në raport.
Ligjet miratohen pa pasur kuorumin e nevojshëm në mbledhje
Votimi për kolegun dhe mosrespektimi i kuorumit të nevojshëm për fillimin e mbledhjeve, janë dy prej shkeljeve më të zakonshme në seancat plenare dhe në komisionet e përhershme parlamentare. Gjatë veprimtarisë parlamentare të muajit tetor, raporti “Unë votoj”, thekson se janë vërejtur raste të mos respektimit të kuorumit të nevojshëm që duhet të formojnë komisionet parlamentare gjatë zhvillimit të mbledhjeve, për votimin e nismave ligjore dhe më tej kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Sipas monitoruesve, mbledhjet kanë nisur dhe përfunduar punën pa kuorumin e nevojshëm në shkelje flagrante të Rregullores. Rasti konkret paraqitet ai i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku në hapjen e mbledhjes, kanë qenë të pranishëm 9 nga 23 anëtarët e këtij komisioni. Ndërsa në votimin e ligjit që ishte në rendin e ditës, morën pjesë vetëm 11 anëtarë, nga të paktën 12 që duhet të ishin të pranishëm. Fenomene të ngjashme raporti ka konstatuar edhe në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, në procesverbalin përkatës i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë ku rezultojnë të pranishëm 13 anëtar. Në jo pak raste hartuesit e ligjit kanë pasur guximin që të votojnë për kolegët e tyre. Një rast i tillë ka qenë në seancën kur u miratua ligji për Censusin ku dy deputetët të mazhorancës shtypën butonin te makineria e kolegut që mungon, duke shfrytëzuar kartën elektronike të tij, edhe pse sekretaria duhet ti kishte mbledhur kartat.
Prifti e Seseri, deputetë jashtë Kuvendit
Dritan Prifti dhe Rudina Seseri janë dy deputetët e parlamentit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë për këtë sesion. Nga dhjetë seanca plenare, dy deputetët nuk janë parqitur në seanca plenare apo në komisione parlamentare ndonëse janë votuar për të përfaqësuar zonat e tyre elektorale. Deputet kanë përfituar nga mbrojtja që i garanton kushtetuta mandatit, sipas së cilës mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Deputetja e Partisë Socialiste Rudina Seseri ka edhe numrin më të madh të mungesave në seance plenare për këtë legjislaturë. Që prej fillimit të mandatit si deputetet e qarkut të Durrësit,ajo ka marrë pjesë vetëm në mbledhjet ku ka qenë tepër e domosdoshme pjesëmarrja e saj me urdhër të grupit parlamentar. Në dy raste, Seseri është paraqitur në seancë plenare në ditën e fundit që toleron ligji për të mos djegur mandatin. Ndërsa deputeti Dritan Prifti, që pas prishjes me kryetarin e LSI-së Ilir Meta, nisi mungesat në seance plenare. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, Prifti është deputet i pavarur duke u shkëputur nga grupi parlamentar i LSI-së.