Shefi i urgjencës në QSUT: Jemi më keq se në vitin 1997
Shefi i urgjencës kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, Ylli Ziçishti, ka thënë në një intervistë për Shqiptarja.com, se gjendja aty është më keq se në vitin 1997. Ai thotë se mungojnë edhe penjtë për operacionet. Unë do të them një gjë, që në daç besoje, në daç jo. Në ’97-’98 kemi pasur urgjencë jashtëzakonisht të madhe, por nuk na ka munguar gjë. Ishin gjërat. Gjaku po, ka qenë gjithmonë problem, pasi duhet të sensibilizohen vetë familjarët. Më tepër mungesa kemi pas tani. Jo se nuk kemi gjë, se në urgjencë ka gjithmonë furnizime, por jo që t’i kemi shpatullat e ngrohta. Ka disa mungesa. Për urgjencën është menduar. Këtu ku jemi është spitali i ri, ne kemi futur skanerin në urgjencë. Por ka mangësi në gjëra të tjera. P.sh vonesa e tenderave për fijet e operacionit, jo se nuk kemi, por janë të limituara. Dhe plot mungesa të tjera. Nëse të gjithë do punojnë me përgjegjësi, çdo gjë rregullohet. Mua mu bë qejfi, që i vetmi personalitet që ka ardhur na ka vizituar, është Jozefina Topalli. Ka ardhur dy herë. Më bëri përshtypje, pasi ajo nuk është e fushës së mjekësisë, por erdhi u interesua për urgjencën, për mamografinë e grave. Dhe unë e vlerësoj këtë, ka thënë Ziçishti.
QSUT drejtohet prej dy vitesh nga LSI, e cila e ka kthyer në një plaçkë lufte. Disa drejtorë janë ndërruar, ndërsa vetë një deputet i LSI ka akuzuar se aty bëhen afera.