Kastriot Islami padi ndaj gazetarit Sokol Balla se bëri lojë fjalësh me shkurtimin e emrit të tij
Gazetarët ia kanë lejuar gjithmonë penës së tyre pak ironi e sarkazëm ku ka qenë e mundur me politikën e politikanët, në mos të bëjnë kaq gjë, atëherë për çfarë u duhet pena që shkruajnë? Por që të ngrihen politikanët e të padisin gazetarët pse e shkruajte emrin tim kështu apo ashtu nuk ndodh shpesh. Këtë e ka bërë për herë të parë Kastriot Islami, deputet i PS-së, por në vijën ndryshe nga vija e partisë. Ai ka bërë publik vendimin për të paditur gazetarin Sokol Balla se e ka sulmuar i nxituar nga Edi Rama me anë të një opinioni në gazetën Mapo. Kur lexon reagimin e Islamit mendon se Balla ska lënë të zezë pa thënë për të, por në fakt gazetari i Top-Channelit ka zgjedhur vetëm të ironizojë me Kastriot Islamin duke e quajtur Kaç ose kaçë në një analizë që në fakt flet për atë çfarë ofroi kongresi i fundit i PS-së. Islami e quan një kërcënim për ata që mendojnë ndryshe këtë shkrim, por nga ana e tij i përmend Ballës karrierën që gruaja e tij po bën në PS.
Duke iu drejtuar miqve të tij në rrjetin social Facebook, Islami shkruan: Më kuptoni drejt, kam hezituar gjatë të gjithë ditës se sotme për të reaguar ndaj një sulmi të orientuar dhe të sponsorizuar nga Rama përmes Sokol Balles, të bërë publik me një shkrim të tij në gazetën MAPO. Me rezulton se ai shkrim përben një shpifje të ndyrë, një diversion për të gjithë ata që mendojnë ndershmërisht ndryshe, dhe një kërcënim. Po në një mënyre mjerane, tinëzare dhe frikacake. Flet pa emër dhe me nënkuptime, flet me terma rrugaçësh dhe perversitet, tërësisht nga pozitat e një frikacaku medioker për të mos thënë injorant të venë në shërbim të Ramës, i cili duhet të distancohet publikisht nëse kërkon të pastrohet nga ky vlerësim. Sokol Balla meriton të klasifikohet në të njëjtin mënyrë siç një diplomat stigmatizonte disa gazetarë të paguar për të sulmuar pa argumente SHBA, si një pjesëtar i një celule “terroriste kundër mendimit të lirë”. Reagimi im i qetë është shumë i thjeshtë 1) për shpifjen në ditët në vijim do te ngre një padi ose për të nxjerrë në dritë të diellit se Sokol Balla nuk ka guximin ti thotë haptas të gjithë shpifjet dhe sajesat, ose nëse i thotë haptas të marrë dënimin e merituar, kurse 2) përsa i përket bashkimit dhe afrimit të pashembullt në PS dhe largimit tim që e ka në gojë prej disa kohësh, të përshkuar me terma qesharakë e vulgarë, Sokol Balla, ne shkrimin e tij, nuk do të bënte keq të shtonte se afrimi spektakular në PS do të ndodhë kur e shoqja e tij do të caktohet në postin e administratores apo në një post të ngjashëm në hierarkinë e lartë në PS (këto janë fjalët që janë përhapur në PS vërtetësia e të cilave do të provohet në ditët në vijim), para se shqetësohet për fatin tim apo të bëjë diversion midis meje dhe kolegëve të mij Blushi, Bello, Malaj apo edhe Harasani.
(SHKRIMIN E BALLES E GJENI TEK RUBRIKA OPINION TEK GAZETA TEMA)