Cilën rrugë duhet të ndjekë Kosova?

Cilën rrugë duhet të ndjekë tani Kosova? Aktivitetet të cilët institucionet as të Kosovës dhe as të Serbisë duket se nuk kanë guxim t’i kryejnë, qoftë në Prishtinë apo në Beograd, por as dhe në atmosferën aristokratike të hoteleve luksoze në Vjenë, po mbahen nga qytetarë të thjeshtë të dy vendeve fqinjë, aty ku lindi konflikti, një vend që ka prodhuar më shumë histori sesa mund të konsumohet dhe kapërdihet rajonalisht: Kosova dhe Serbia. Një takim ballë përballë mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë në prezencën e përfaqësuesve rajonalë dhe evropianë për të diskutuar mbi ngjarjet dhe eksperiencat të pasluftës në Kosovë, u organizua nga OJQ “Integra” në bashkëpunim me IKV “Pax Christi” të Holandës, më 12 shtator, shumë larg atmosferës aristokratike dhe darkave luksoze që iu shtroheshin deri pak kohë më parë liderëve nga të dy vendet. “Gjetja e së vërtetës: cilën rrugë duhet të ndjekë tani Kosova? - ishte tryeza e rrumbullakët e organizuar si fazë finale e kërkimeve empirike mbi qëndrimet ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe të treguarit e së vërtetës. Në takim morën pjesë gjithashtu anëtarë të shoqërive civile nga Holanda, Belgjika dhe Bosnje-Hercegovina. Sekuenca që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte prezenca e figurave publike nga fusha politike, juridike dhe kulturore e Kosovës, të cilët mezi prisnin të mësonin se cila ishte formula që i bindi shqiptarët dhe serbët të diskutonin dhe të përballeshin me të vërtetën e luftës në Kosovë, ndërsa liderët e dy vendeve bëjnë gjithçka për të evituar këto lloj takimesh. E vërteta e një konflikti mes dy grupesh etnike është një koncept më shumë abstrakt, sesa relativ, që bie pre e interpretimeve diametralisht të kundërta të palëve të përfshira, që megjithatë bashkëjetojnë në një vend të përbashkët, ndajnë vlera, besime dhe gjykime të ndryshme mbi të kaluarën dhe plagëve të saj të hapura. Vakuumi i krijuar nga ngrirja e ndërveprimeve mes palëve shërben si një avantazh për ata që duan të shfrytëzojnë mungesën e këtyre ndërveprimeve, në mënyrë që të precipitojnë situata të pakëndshme, ku urrejtja ndëretnike shërben si minerali kryesor për të nxitur këtë shoqëri të pasluftës. Megjithatë, këto lloj iniciativash që kanë si qëllim të nxjerrin interpretime të kundërta, me qëllim përpunimin e analizave dhe vlerësimeve të së kaluarës mes dy grupeve etnike, janë mekanizmat më eficientë për të sjellë pajtimin dhe respektin reciprok mes palëve dhe nuk duhen konsideruar aspak si kripë mbi plagën e hapur. Duke vizituar kryeqytetin Newborn (i sapolindur, Prishtina) që pushtoi vëmendjen e medias mbarë botërore, ashtu si edhe të asaj serbe, në shkurt të këtij viti beogradasit dukej se po analizonin interesat e përbashkëta me homologët e tyre kosovarë sa i takon së kaluarës, dhe u përpoqën ta shohin situatën në dimensione të ndryshme për të eksploruar fusha të bashkëpunimit për të ardhmen. Të bindur plotësisht se gjetja e së vërtetës dhe pajtimi ndëretnik janë themelet e respektit dhe mirëkuptimit nën ombrellën e BE-së, përfaqësuesit kosovarë (përfshirë këtu edhe shoqata të viktimave të luftës apo OJQ) ranë dakord se propaganda e nacionalistëve serbë dhe atyre kosovarë gjithashtu duhet varrosur thellë në një tokë të pastër dhe të përqendrohen në konsolidimin e Komisionit të së Vërtetës. Prezenca e kryetares së Qendrës së Ligjit Humanitar, zonjës Natasha Kandiç, një figurë e urryer dhe e adhuruar njëkohësisht në masë të barabartë nga popujt e Ballkanit, i dha flakë debatit. Diskutimi arriti majën, kur Kandiç nisi të ndajë eksperiencën saj të të treguarit të së vërtetës nga luftërat e tjera në ish-Jugosllavi, si dhe të sugjeronte teknika sesi duhet trajtuar kjo çështje në mënyrë profesionale. Kërkimi i OJQ-së “Integra” përfshiu 73 për qind shqiptarë, 25 për qind serbë dhe 1,3 për qind nga komunitetet e tjera në Kosovë, si boshnjakë, goranë romë dhe ashkalinj. Të pyetur mbi rrënjët e konfliktit mes dy grupeve etnike në Kosovë, shqiptarët drejtuan gishtin nga Beogradi dhe ndërhyrja e tij në Kosovë, si dhe mungesa e interesit mes serbëve për t’u integruar në shoqërinë kosovare, duke thënë se këto faktorë janë embrioni i problemit. Ndërsa serbët qortuan qëndrimin e liderëve kosovarë dhe mungesën e përpjekjeve shqiptare për integrimin e serbëve të Kosovës. Ekziston një ndryshim domethënës, kur analizohen burimet e historisë për sa i përket së kaluarës. Të parë nga prizmi shqiptar dhe ai serb, burimet kryesore janë mediat, respektivisht 28.6 për qind dhe 48.8 për qind, familja 23.4 për qind dhe 3.4 për qind dhe në fund librat përbëjnë 31.6 për qind dhe 21 për qind, respektivisht. Është mjaft evidente se krijimi i opinioneve dhe ideve sa i përket luftës në Kosovë mes shqiptarëve bazohet kryesisht tek ruajtjet e familjes, diçka krejt e ndryshme tek serbët. Kërkimi na mëson një fakt interesant, se që të dyja palët e konfliktit në Kosovë mbështesin idenë e ndarjes së eksperiencës me njëri-tjetrin. Megjithatë, vetëm një numër i vogël personash thanë se janë të gatshëm të marrin pjesë aktivisht në këtë proces. Gjykuar nga këndvështrimi i shqiptarëve të pyetur në këtë kërkim, fajtori kryesor që çoi në luftën ë Kosovës ishte kombi serb (78 për qind), ndërsa sipas serbëve të pyetur, është kombi shqiptar që duhet fajësuar (64.9 për qind). Një rezultat mjaft interesant doli në pah për sa i përket kredibilitetit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë (ICTY). 99.5 për qind e serbëve të anketuar nuk bien dakord me qëndrimin se kjo gjykatë po bën një punë të shkëlqyer në zbulimin e së vërtetës dhe ndëshkimin e individëve që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Ndërsa mes shqiptarëve, 22.7 për qind janë dakord me këtë qëndrim, 22 për qind janë neutralë, 44.3 për qind nuk bien dakord dhe 9.7 për qind nuk kanë një opinion. Të anketuarve iu kërkua që të japin një përgjigje se sa kohë do të duhet për normalizimin e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve dhe një skepticizëm i qartë u vu re mes dy palëve për sa i përket kësaj çështjeje. 28 për qind thanë se marrëdhëniet nuk do të normalizohen kurrë, 30.9 për qind u shprehën se do të duhen nga 3 deri në 10 vjet, ndërsa 32.9 për qind thanë se nuk kanë një përgjigje mbi këtë. Vetëm 5.3 për qind e të anketuarve treguan optimizëm, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve do të ndodhë shumë shpejt brenda një ose dy vjetësh. Rezultatet e kërkimit, të sjella së bashku si një bashkëprodukt i rekomandimeve të dy grupeve punuese, ka një fokus specifik, që iu dedikua besimit se ngritja e Komisionit të së Vërtetës (Truth Commission) do të thellojë edhe më shumë përpjekjet për të thënë të vërtetën mbi këtë luftë. Tani mbetet për t’u parë se deri në çfarë pike serbët do të integrohen në jetën e Kosovës, nëse ata do të zgjedhin të jetojnë nën moton “Unë e dua enklavën time” dhe të promovojnë liritë e tyre të lëvizjes nga një enklavë në tjetrën. Mbetet gjithashtu për t’u parë, nëse shqiptarët do të vazhdojnë të shkarravisin dhe të zhdukin fjalët serbisht në dokumentet zyrtare dhe nëse do të vazhdojnë të dëgjojnë Bijelo Dugme, me frikën se mos e marrin vesh fqinjët ngjitur.