E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB-ja e re, supershërbimi i gjithëpushtetshëm

I gjithëpushtetshëm. Kjo fjalë mund të stimulojë vetëm frikë në një vend që ka vuajtur shumë dhe që e njeh mirë se çfarë është diktatura, por edhe mungesa e rregullave ligjore në një demokraci të brishtë. Për dr. Sofokli Dukën, ish-oficer karriere në shërbimet e inteligjencës dhe në Policinë e Shtetit, aktualisht drejtues i Institutit për Parandalimin e Krimit, projektligji i paraqitur nga qeveria për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme krijon një supershërbim, nga i cili duhet të tremben të gjithë. Një supershërbim i cili jo vetëm ka të drejtë të detyrojë të gjithë shërbimet e tjera t’i japin informacion pa kufi, por madje mund edhe të arrestojë shtetas të ndryshëm, pavarësisht se ata nuk janë punonjës të Policisë së Shtetit. Në një intervistë ekskluzive për “Korrierin”, Duka ngre shqetësimin se ky shërbim i gjithëpushtetshëm do të cënojë rregullat demokratike të shoqërisë, pasi sipas projektligjit të qeverisë, ai ka më shumë kompetenca se çdo lloj strukture homologe në botë.

-Zoti Duka, a jeni njohur me projektligjin e ri për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm që është përgatitur nga qeveria dhe cili është opinioni juaj lidhur me këtë draft?

“Jo vetëm që jam njohur me këtë projektligj, por e kam studiuar me kujdes dhe kam një sërë objeksionesh për të. Unë ende nuk e kam të qartë sesi është motivuar nga qeveria bërja e një ligji të ri, ndërkohë që pak vite më parë është hartuar ligji ekzistues, i cili ishte bazuar mbi praktikat evropiane, ishte mjaft bashkëkohor dhe deri tani nuk është dhënë ndonjë arsye se përse duhet shfuqizuar. Për sa i përket draftit të ri, ai nuk sjell ndonjë ndryshim thelbësor sa i përket rritjes së efikasitetit të këtij shërbimi, përveçse grumbullon shumë kompetenca, që aktualisht u përkasin strukturave të tjera ligjzbatuese. Është një përmbledhje e neneve të veçanta të marra nga ligje të ndryshme që krijon një lloj bashkimi artificial në një projektligj të vetëm. Nëse do të duhej të bëhej një ligj i ri, për këtë ka modele. Ne nuk kemi arsye të bëjmë shpikje të reja. Bota i ka këto shërbime, i ka krijuar prej kohësh, ka krijuar eksperiencë. Ne nuk kemi pse të krijojmë një shërbim, i cili nuk ka asnjë model jo vetëm në Evropë, por as në botë. Nuk ka askund shërbim që të fusë brenda edhe kompetencat informative, edhe ekzekutive, edhe administrative, edhe gjurmuese, edhe gjyqësore, edhe kontrollin e pasurive etj., etj., etj. Pra, një supershërbim që është mjaft i frikshëm”.

-Dhe cilat janë sipas jush pikat më të diskutueshme të këtij drafti?

“Së pari, në këtë projektligj tentohet që të tejkalohen kompetencat e një Shërbimi të Kontrollit të Brendshëm. Aty ka një zgjerim të pajustifikuar të objektit të punës së kësaj strukture. Çdo shërbim informativ në botë ka një objekt pune të përcaktuar, ka kufij se ku fillon dhe ku mbaron detyra, kurse kufijtë e shërbimit që synohet të ndërtohet me draftin e përgatitur nga qeveria jonë, nuk kuptohet se ku fillojnë e ku mbarojnë. Së dyti, në draft nuk kuptohet se cili është rrethi i subjekteve, të cilët janë objekt pune i këtij shërbimi. Sipas tij, SHKB-ja mund të kontrollojë dhe hetojë jo vetëm punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, por edhe individë që janë jashtë këtyre strukturave. Së treti dhe që është më e rëndësishmja, këtu nuk përcaktohet qartë se cili është kufiri midis këtij shërbimi dhe shërbimeve të tjera të inteligjencës, si Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit të Ushtrisë, apo kufiri me prokurorinë, Policinë Kriminale etj”. 

-A parashikohet në këtë projektligj marrja e kompetencave nga shërbimet e tjera informative apo edhe nga institucionet e tjera shtetërore, për të cilat ju thatë se nuk ka një kufi të qartë dallues me SHKB-në?

“Unë mendoj se nëpërmjet këtij projektligji synohet që SHKB-ja të përvetësojë kompetenca nga shumë shërbime shtetërore. Konkretisht, ai synon të marrë kompetenca informative, kompetenca ekzekutive, kompetenca të Policisë Gjyqësore, kompetenca të prokurorisë, kompetenca të administratës publike, kompetenca të Kontrollit të Lartë të Shtetit etj. Në një shtet demokratik këto kompetenca, që në një farë mënyre përkthehen në fuqi shtetërore, janë të shpërndara në institucione të ndryshme, me qëllim që të funksionojnë në mënyrë paralele, demokratike dhe, në fund të fundit, që institucionet të kontrollojnë njëri-tjetrin, jo që të jenë të grumbulluar në një dorë. Në këtë mënyrë i jepet një fuqi e jashtëzakonshme dhe e pajustifikuar një shërbimi, i cili nuk është gjë tjetër, veçse një shërbim në funksion të ruajtjes së pastërtisë së radhëve të Policisë së Shtetit”.

-Pra, sipas jush, rregullat demokratike të shoqërisë janë të rrezikuara nga ky lloj supershërbimi. Por si mund të ndikojë kjo tek qytetarët e thjeshtë?

“Në bazë të kompetencave që i njeh projektligji i paraqitur SHKB-së, ky bëhet një shërbim gjigant, nga i cili duhet të kenë frikë jo vetëm qytetarët, por edhe vetë shërbimet e tjera që funksionojnë në vendin tonë. Konkretisht, me draftin e ri nuk parashikohet se deri ku mund ta shtrijë veprimtarinë e tij Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm? Fakti është që edhe në praktikën e tij të kohëve të fundit, nga ky shërbim janë arrestuar edhe qytetarë të implikuar në veprimtari të jashtëligjshme, por që nuk kanë qenë punonjës të Policisë së Shtetit. Kanë qenë disa raste për kontrabandë nafte apo për trafik klandestinësh. Por për këto figura krimi ka struktura të posaçme shtetërore të Policisë Kriminale. Shërbimi i policisë jo më kot ka emrin Shërbim i Kontrollit të Brendshëm. Ai kontrollon veprimtarinë e punonjësve të policisë. Sigurisht që projektligji i paraqitur krijon të gjitha hapësirat e mundshme që SHKB-ja t’i kalojë kompetencat e tij jo vetëm jashtë radhëve të policisë, jo vetëm jashtë Ministrisë së Brendshëm e deri tek pushteti lokal, por edhe shumë më gjerë”.

-Por, gjithsesi, përse ju tremb kaq shumë shtimi i kompetencave? Çfarë mund të bëjnë kaq të frikshme oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm?

“Vetë prishja e rregullave demokratike është e frikshme. Por për më tepër mund t’ju them se me projektligjin e paraqitur nga qeveria, SHKB-ja ka të drejtë t’i kërkojë Policisë Kriminale çdo lloj informacioni të klasifikuar. Pra, mund të njihet me çdo lloj dosjeje që i përket një vrasjeje, një krimi të rëndë apo krimi të organizuar. Ndërkohë që ka një ligj, që është ligji “Për informacionin e klasifikuar”, ku sanksionohet se kush ka të drejtë të njihet me dosjet. Dhe ky ligj nuk lejon jo më një inspektor të thjeshtë të SHKB-së, por as drejtorin e tij të njihet me informacionet e klasifikuara. Ka dosje që me ligjin ekzistues vetëm ministri mund t’i shikojë. Ai ka të drejtën t’ia delegojë drejtuesit të SHKB-së, por jo në të gjithë rastet dhe jo në mënyrë të pakufizuar. Vetëm atëherë kur një problem është objekt i punës konkrete të SHKB-së. Përveç kësaj, inspektorët e SHKB-së kanë të drejtë të kërkojnë informacion nga çdo punonjës policie për veprimtari keqbërëse të të gjitha llojeve. Por, po ashtu, ata kërkojnë informacion edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Ndërkohë, SHISH-i është një shërbim qendror që nuk varet nga SHKB-ja dhe kurrsesi nuk mund të detyrohet nga një shërbim i zakonshëm që të japë informacionet që disponon”.

-Nisur nga gjithë këto objeksione që ju keni për projektligjin e paraqitur, a mendoni se ai mund të rregullohet gjatë diskutimit në komisionet parlamentare edhe në seancë plenare, apo duhet ribërë tërësisht nga e para?

“Për mua ky është një ligj hibrid, krejtësisht i panevojshëm. Por nëse duhej rregulluar baza ligjore e SHKB-së, do të mjaftonte të amendohej ligji ekzistues, duke futur elementet e rinj, të cilët në fakt në projektin e paraqitur nuk janë fare të rinj. Kështu si është hartuar projektligji, nuk di të them sesi mund të miratohet ai dhe kush do ta marrë përsipër këtë përgjegjësi, për të vënë në funksionim një mekanizëm të tillë kontrolli, pasojat e të cilit do të jenë mjaft të rrezikshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›