Sëmundja e duhanit

Pirja e duhanit është demonizuar me kohë, në përpjekje për t’i bindur duhanpirësit ta lënë, dhe tani ndodhet shumë pranë të përcaktuarit si një sëmundje. Shoqëria Mjekësore Federale (SHMF) në Gjermani ka propozuar që varësia ndaj nikotinës të klasifikohet si një sëmundje në përpjekje për të ndihmuar duhanpirësit që ta lënë këtë ves. Tani shumë njerëz mbështesin idenë dhe e kanë bërë këtë një çështje mbarëkombëtare. Mjekët gjermanë u janë bashkangjitur politikanëve në vend, këshilltarëve mjekësorë dhe ligjvënësve rajonalë, duke marrë një qëndrim kundër duhanit. Kjo gjë nuk duhet të vijë si surprizë, duke pasur parasysh pasojat fizike që tregojnë se pirja e duhanit është e dëmshme për shëndetin e një personi, por ajo që të çudit, është fakti se SHMF kërkon që varësia ndaj nikotinës të klasifikohet si sëmundje. Ajo sugjeron se duhanpirësit që kanë një varësi reale duhet të trajtohen prej mjekëve në të njëjtën mënyrë me ata që ata që vuajnë nga simptoma të tjera fizike. Nëse duhanpirësi përcaktohet nga mjeku se ka një varësi, atij i përshkruhet program i përshtatshëm i rikuperimit. Ideja pas këtij propozimi është që të rritet presioni ndaj duhanpirësve, duke i cilësuar ata si të sëmurë dhe që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Është gjithashtu një mënyrë për t’ua hequr cigaren dhe për t’i vendosur në rrugën e rikuperimit me anë të ndihmës profesionale. E ndërsa nuk është aspak e habitshme që Federata Gjermane e Duhanit nuk është aspak e kënaqur me këtë propozim, fakti se edhe kompanitë e sigurimit shëndetësor “kanë mbledhur buzët” është bërë shqetësim. Duke e klasifikuar duhanpirjen si një sëmundje, disa prej tyre thonë se shumë e më shumë njerëz do të pretendojnë të paguhen nga siguracionet për problemet e tyre me duhanin dhe trajtimet që u nevojiten. Shumë vetë janë të hapur që të paguajnë për trajtimet mjekësore lidhur me aksidentet apo sëmundjet natyrore, ndërsa disa kompani nuk kanë aspak dëshirë që të ofrojnë pagesa për ndihmë mjekësore njerëzve që e shkaktojnë vetë varësinë ndaj duhanit. Pasoja e presionit financiar në sistemin shëndetësor dhe në biznesin e sigurimeve mund të jetë tepër e madhe, nëse propozimi i Shoqërisë Mjekësore Federale Gjermane aprovohet këtë muaj nga Bundestagu. Rreth 14 mijë vetë vdesin çdo vit në Gjermani nga sëmundje të shkaktuara prej pirjes së duhanit.