Cilësia e karburanteve, Prifti: Kontroll të gjitha pikave
Cilësia e karburanteve në vend le shumë për të dëshiruar, po ashtu edhe puna e Inspektoratit Qendror Teknik. Kreu i Ministrisë së Energjetikës, Dritan Prifti, ka kritikuar dje punën e bërë deri më tani nga Inspektorati Qendror Teknik. Sipas tij, konsumatorët kanë probleme me cilësinë e karburanteve që tregtohet në vend. Sipas ministrit, kjo ka ardhur si pasojë e keqfunksionimit të Inspektoratit Qendror Teknik, i cili ka për detyre ta mbikëqyrë tregun. Në një situatë të tillë, Prifti ka kërkuar monitorim të rreptë dhe masa shtrënguese ndaj abuzuesve. Po dje kreu i METE-s deklaroi se ka shkarkuar nga detyra Ilir Kurtin, drejtorin e IQT-së dhe emërimin në këtë post të Virgjil Jotit. Inspektorët e Inspektoratit Qendror Teknik nuk kanë marrë masa ndaj kompanive të mëdha që operojnë në këtë treg. Kështu është shprehur dje ministri Prifti gjatë një takimi të zhvilluar me punonjësit e kësaj administrate. “Konsumatori ka probleme me cilësinë e karburantit që tregtohet në tregun shqiptar”, deklaroi ai. Por sipas tij problemi nuk vjen nga importi, por nga abuzimet pasi futet në tregun tonë. Sipas Priftit, është absurd fakti që në vitin 2008 u vendosën vetëm 60 gjoba për shkelje nga kompanitë nga inspektorët në terren, që sipas tij, janë peshq të vegjël dhe nuk është gjobitur asnjë nga kompanitë e mëdha që kanë shkelur ligjet. “Është i patolerueshëm fakti që ende nga ky Inspektorat nuk janë mbledhur 27 milionë lekë gjoba”, u shpreh Prifti. Ministri Prifti tha se nga inspektimet e bëra rezulton se asnjë nga pikat e karburanteve në vend nuk ka një shenjë të importuesit, ç’ka e konsideroi një shkelje, nga e cila importuesit vendas kanë përfituar. Por kritikat e ministrit vazhduan edhe më tej. “Duhet të jetë një punë shumë fitimprurëse kjo tek ju derisa vinë njerëz tek unë dhe thonë ‘na 10 mijë euro dhe na fut inspektor aty’. Duhet të ketë shumë mundësi për të bërë pisllëqe në punën tuaj, por unë nuk do të toleroj asnjë njeri dhe do filloj të marr informacion vetë dhe nuk mund ta lejoj më këtë situatë të tillë në treg”, deklaroi ministri Prifti. Në takimin e djeshëm ministri u la tre muaj afat punonjësve që të ndryshojnë situatën e krijuar.