E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikolin Jaka zgjidhet në krye të Dhomës së Tregtisë, Ministria:Votimi i pavlefshëm

 

Fabiola Çela

Nikolin Jaka është zgjedhur dje me shumicë votash kreu i ri i Dhomës së Tregtisë. Pas dorëheqjes së Gjok Uldedaj nga ky post, Asambleja e Dhomës së Tregtisë ka zgjedhur Jakën me 55 vota pro për kryetar të ri të dhomës. Por vetëm pak kohë pas përfundimit të asamblesë ka reaguar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Përmes një deklarate për mediat, ajo e ka cilësuar si të pavlefshëm zgjedhjen, pasi Jaka është ende në proces gjyqësor.
Votimi
Jaka është përzgjedhur nga Asambleja e Dhomës së Tregtisë si kryetari i ri kësaj dhome. Pas dorëheqjes së Uldedaj nga ky post, tre ishin kandidaturat për kryetarin e ri, Edmond Rusmali, Nikolin Jaka dhe Sami Cela. Në asamblenë e djeshme morën pjesë 74 anëtarë, nga 101 anëtarët e asamblesë votuan 65 prej tyre. Pro Jakës votuan 55 anëtarë. Tre fletë votimi ishin të pavlefshme, 3 shkuan në favor të zotit Rusmali, 4 në favor të zotit Cela.
Reagimi
Zgjedhja e Jakës është cilësuar si e pavlefshme nga METE. Sipas ministrisë, zgjedhja e kryetarit të ri bie ndesh me statutin e institucionit, neni nr.6, i cili thotë se asnjë anëtar asambleje nuk mund të zgjidhet nëse është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale. “Nikolin Jaka pretendon se ka fituar pafajësi nga gjykata, në lidhje me dënimin dhe burgosjen e tij për vepër penale, por nuk kishte paraqitur përpara asamblesë së Dhomës së Tregtisë Tiranë asnjë dokument që vërteton këtë, kusht i domosdoshëm sipas kërkesave të statutit. METE është informuar se Prokuroria vazhdon të ndjekë çështjen me Jakën në Gjykatën e Lartë. Ky fakt tregon se pafajësia e Nikolin Jakës nuk është një proces i mbyllur nga gjyqësori. Zgjedhja e Nikolin Jakës në këtë mënyrë është e pavlefshme, sipas rregullave të vetë statutit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë”, thuhet në deklaratën për mediat të ministrisë.
Jaka
Nikolin Jaka nuk është një emër i panjohur. Pas zgjedhjeve të 2005-ës, Jaka u emërua si sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ku qëndroi për disa muaj për të kaluar më pas zëvendësministër i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në kohën kur mbante postin e zëvendësministrit të MPPTT-së, Jaka u akuzua për korrupsion në tenderat e rrugëve dhe u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Duart e pastra”, më 15 shtator të vitit 2007. Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 1 vit e 20 ditë burg, 800 mijë lekë gjobë, si dhe për tri vite iu hoq e drejta për të ushtruar ndonjë funksion publik. Më pas Gjykata e Apelit e la në fuqi  këtë vendim. Ndërkohë Jaka iu drejtua Gjykatës pasi  qëndroi në qeli për nëntë muaj me radhë, duke kërkuar urdhër ekzekutimi për lirimin e tij, duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim. Gjykata urdhëroi lirimin e Jakës duke llogaritur kryerjen e dënimit, pasi ai kreu 9 muaj burgim si dhe pjesën e paraburgimit e cila llogaritet 1 ditë=1.5 ditë burg. Nikolin Jaka së bashku me disa zyrtarë të tjerë u akuzuan për abuzime me pesë tendera rrugësh e konkretisht rruga paralele me autostradën Tiranë-Vorë, rruga Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit, rruga Has-Qafë Prush, rruga Dragobi-Valbonë dhe rruga Dhërmi-Himarë-Qeparo. Vetë Jaka i ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se është i pafajshëm. Pas reagimit të ministrisë, burime nga Dhoma e Tregtisë janë shprehur se Jaka do të paraqesë publikisht të hënën dëshminë e penalitetit, me të cilën do të vërtetojë që është i padënuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›