E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilët janë Kodikët e Shqipërisë

Një prezantim i detajuar i aktivitetit të kodikëve të Shqipërisë nga momenti që u zbuluan deri më sot.

Kodikët janë vepra në dorëshkrim me përmbajtje biblike, liturgjike, hagjiografike, martirologjike, patrologjike. Kodikët e Shqipërisë janë dorëshkrime me rëndësi botërore për historinë e zhvillimit të letërsisë së krishterë prej fillimeve deri në kohët moderne. Koleksioni i tyre përbën një prej pasurive të rëndësishme kulturore dhe një fond vlerash të parikrijueshme për historinë e mendimit të krishterë.

Koleksioni i kodikëve përbëhet nga 100 vëllime që përmbajnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilat së bashku njihen si fondi “888” që ruhen në AQSH. Këto kodikë ndjekin kronologjikisht njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve (nga shek XVI-deri në shek. XVIII).Pjesa më e madhe e teksteve të tyre janë në greqishten antike dhe bizantine. Për herë të parë ekzistenca e kodikëve të Shqipërisë është bërë e ditur nga një botim në gjuhën greke i peshkopit të Beratit. Ndërsa në Shqipëri dijetari i parë që ka bërë të ditur ekzistencën e Beratinus-it dhe të disa kodikëve të tjerë ishte Ilo Mitko Qafëzezi. Tre prej kodikëve më të lashtë të Shqipërisë janë “Kodiku i Purpurt i Beratit”, “Kodiku i Artë i Anthimit”, “Kodiku Liturgjik i Gjon Gojartit”.

“Kodiku i Purpurt i Beratit” është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike. Sipas paleografëve, duke iu referuar teknikës së shkrimit është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shek. 6 pas Krishtit. Ai është një ndër kodikët më të vjetër në botë, bashkëkohës me dorëshkrime të tjera të famshme siç janë: “Petropolitaus”, “Vindeobone-usis”, “Sinopencis” dhe “Kodiku i Purpurt i Beratit”që renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor.

Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç “Kodikut të Beratit", bëjnë pjesë edhe dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar "Kodiku i Vlorës", afërsisht shekulli i 10-të; "Kodiku i Përmetit", i shekullit të 14-të; "Kodiku i Shkodrës", i të njëjtit shekull; "Kodiku i Gjirokastrës", i shek. të 16-të; "Kodiku i Fierit" ose i Shën Kozmait, i fillimit të shekullit të 19-të. Kodikët që i takojnë periudhës prej shekullit të 12-të e më tej kanë edhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë.

Kanë kaluar tetë vjet kur në emër të "Arkivave të hapura" u ekspozuan për herë të parë në Shqipëri kodikë, me t'u përhapur lajmi se ekzistonin dhe me t'u verifikuar vlera e rrallë, u quajtën nga UNESCO pasuri e njerëzimit. Kodikët e Shqipërisë janë përmendore e kulturës dhe e qytetërimit të krishterë dhe mbajnë vulën e hapësirës biblike-ekumenike ku kanë jetuar të parët e tyre.

Ato nuk janë vetëm doktrina dhe sende në përdorim, por ruhen si pjesë e kulturës shpirtërore dhe materiale, si shprehje e nivelit të lartë të kohës që u përcillen brezave me vonë. Janë burim krenarie për bibliologët, për njohësit e shkrimeve të shenjta e për kishën, por edhe për etnopsikologjinë, për gjuhën dhe teknikën e shkrimit, për kaligrafinë për artet e zbukuruara figurative dhe për ikonografinë.

Kodikët në Shqipëri dëshmi e rrënjëve të lashta të krishterimit, dorëshkrime ungjillore, që e bëjnë të njohur një periudhë historike gati 135-vjeçare. Sot kodikët e famshëm gjenden në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Kodiku i Beratit

“Kodikët e Purpurt të Beratit” sjellin sot dëshmitë e vlerave të qytetërimit të lashtë si vetë qyteti i bardhë. Për herë të parë ekzistenca e tij është bërë e ditur në botën e letrave më 1868 nga një botim në gjuhën greke i peshkopit të mitropolisë së Beratit. Kodiku gjendet në listën botërore të letërsisë ungjillore i indeksuar numerikisht 043. Kodiku ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Mateut.

Shkruar me germa të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të eksperteve, në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, sfondi mbi të cilin janë derdhur germat, ka ngjyrë të kuqe të thellë (e purpurt) prej nga ka marrë dhe emrin, germat e tekstit të kodikut janë të derdhura në ar, janë aplikuar kapitale të vogla, ndërsa kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike që duhet të jetë disa shekuj më vonë se vetë vepra. Teksti i ‘Kodikut të Purpurt’ është shkruar në stilin antik scripta-continuae d.m.th. pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa theksa dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve.

Kodiku kronologjikisht lidhet me një periudhë jo më vonë se mesi i shek. VI, por nuk përjashtohet të jetë dhe me i hershëm. Rëndësia e këtij dorëshkrimi rritet mjaft prej faktit se është dorëshkrimi i parë i letërsisë biblike që përmban pjesë të “Dhiatës së Re”. Në vitet ‘70 në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore “Kodiku i Purpurt i Beratit” u dërgua për restaurim pranë Institutit Arkeologjik të Kinës. Mbas restaurimit kodiku u nda në 9 vëllime, të cilat ruhen pranë AQSH-së. Gjatë kësaj kohe dorëshkrimi është studiuar nga studiues dhe bibliologë, paleografë amerikanë dhe gjermanë. “Kodiku i Purpurt” është ekspozuar për herë të parë jashtë vendit në ekspozitën jubilare “I Vangeli dei Popoli”, organizuar nga Biblioteca Apostolica e Vatikanit, në rastin e 2000-vjetorit të Krishterimit.

Për herë të parë, është ekspozuar për publik (jo në një meshë kishtare), për disa orë, me rastin e jubileut të 2400-vjetorit të qytetit të Beratit dhe pa njoftim publik, në vitin 1989. Për herë të dytë, ky kodik ekspozohet me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Arkivave Kombëtare Shqiptare, në vitin 1999, në Muzeun Historik të Tiranës, gjithashtu për një numër shumë të kufizuar personash dhe pa njoftime publike.

Për herë të tretë dhe të fundit “Kodiku i Purpurt i Beratit” u ekspozua nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, në maj të vitit 2002, në ekspozitën "Kodikët e Shqipërisë - përmendore të historisë së mendimit njerëzor". “Kodiku i Purpurt” vlerësohet ndër veprat themelore të letërsisë ungjillore si dorëshkrim me rëndësi të posaçme për kulturën e Krishterimit.

Ai çmohet gjithashtu për historinë e shkrimit për vlerat evidente kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së dijes si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve. Dëshmi e zhvillimit kulturor e shoqëror të rajonit, duke qenë një ndër katër kodikët me të vjetër në botë me rëndësi historike për fillimin e letërsisë biblike.

Ai është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohura me emrin “Kujtesa e Botës” dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e UNESCO-s.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›