E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezët mezi pritën largimin e Capellos

Dorëheqja e Fabio Capellos nga posti i selektorit të Anglisë ka qenë lajmi kryesor i javës në sportin ndërkombëtar. Rreth kësaj teme është deklaruar edhe i madhi Diego Maradona.

Legjenda e Argjentinës komentoi dorëheqjen e Capellos, duke theksuar se Federata Angleze e Futbollit (FA) mezi priti largimin e strategut të mirënjohur italian.

“FA ka shfrytëzuar rastin e Terryt për ta detyruar Capellon të largohet. Tashmë një kohë të gjatë nuk duket se ishin të kënaqur me punën e tij, andaj shfrytëzuan këtë situatë për ndarjen me italianin”, deklaroi Maradona, trajner i skuadrës Al-Wasl nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kujtojmë se disa ditë para dorëheqjes së Capellos, FA kishte vendosur t’ia merrte shiritin e kapitenit mbrojtësit John Terry, pa u konsultuar me selektorin. Largimi i Capellos ka lënë Anglinë në kërkim të një selektori të ri për Euro 2012.

Stuart Pearce është emëruar përkohësisht në detyrë, kurse menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, konsiderohet favorit për pasardhës të italianit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›