Cili do zëvendësojë Ançelotin? Murinjo, Lipi apo Deshamp
Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, lojtarët e Çelsit kërkojnë rikthimin e Zhoze Murinjos si trajner i Bluve të Londrës. Sipas ‘Daily Mirror’, veteranët e ekipit do të përpiqen të bindin pronarin rus, Roman Abramoviç, që të sjellë sërish në pankinë trajnerin portugez të Real Madridit verën e ardhshme. Gjithashtu, futbollistët kërkojnë edhe që ish-trajneri i tyre Gus Hidink të rikthehet në Londër në rolin e drejtorit teknik. Parë këtë lëvizje, duket se aventura e Karlo Ançelotit te Çelsi po shkon drejt fundit, ndërsa trajneri italian do të largohet nga stoli i bluve të Londrës në fund të këtij sezoni. Tekniku u ul në pankinën e skuadrës londineze pas largimit nga Milani, ndërsa arriti të fitonte titullin kampion në Premier Ligë që në sezonin e tij të parë në Angli. Ky triumf shtoi më tepër optimizmin e pronarit të klubit Roman Abramoviç se italiani ishte njetiu i duhur për të drejtuar skuadrën në fitimin e Ligës se Kampionëve për herë të parë në histori. Por besimi i tepruar i drejtuesve të klubit është kthyer në një zhgënjim më të madh për tifozët e Çelsit që kanë parë skuadrën e tyre të eliminohet në çerekfinale pikërisht nga rivalët e tyre të përjetshëm të Mançester Junajtid. Sipas mediave britanike, drejtuesit e klubit kanë vendosur që Ançeloti të largohet në fund të sezonit, ndërsa që tani kanë nisur të përfliten emrat e zëvendësuesit të tij. Veç Zhoze Murinjos, i dëshiruar nga lojtarët, përmendet edhe emri i trajnerit kampion bote, Marçelo Lipit. Ka qenë vetë ky i fundit që ka provokuar mediat duke lëshuar deklaratën se “do t’i pëlqente ta drejtonte Çelsin, pasi Premier Liga e tërheq shumë”.
Por, lista nuk mbaron këtu. Edhe një njohje e vjetër Çelsit, Didie Deshamp, mund të marrë stolin londinez. Trajneri i Olimpik Marsejës, Didier Deschamps, është në kontakte me Çelsin për të marrë nën drejtim ekipin gjatë verës. Ish-mesfushori i bluve, i cili refuzoi Liverpulin sezonin e kaluar, shikohet si një kanditaturë e fortë, pasi tifozët e duan dhe eksperienca e akumuluar me Marsejën, ku fitoi një titull kampion. Deshamp, edhe pse ka edhe një vit kontratë me Olimpikun e Marsejës, dëshiron të largohet. Ai është përplasur me drejtuesit e ekipit për shkak të mungesës së investimeve dhe raportet e dobëta me drejtorin sportive, Zhoze Anigo. Mediat shkruajnë se Çelsi tashmë ka hapur bisedat për një transferim të francezit në Londër. Pasi refuzoi Liverpulin, Deshamp mund të mos mendojë dy herë për t’u transferuar te Çelsi.