E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit: Ju rrëfejmë pushtetin tonë

SHKRUAN: Milena Harito 15-04-2011 11:18

“Unë kam qeverisur, nuk kam pasur pushtetin” – më tha Aleksandër Meksi, në takimin tonë të parë. Pikërisht qeverisja e vendit, pesha e këtij posti që duket aq i lakmuar, është tema e bisedave të zhvilluara me krerët e shtetit. Krahas shkëlqimit të pushtetit, dita-ditës të gjithëve u është dashur të pranojnë ta ndajnë pushtetin me të tjerë, të bëjnë kompromise, që ndoshta nuk i kishin imagjinuar më parë, të përballojnë situata të rënda e të papritura, shkurt të qeverisin. Bisedat u ndërtuan në mënyrë të tillë, që secili të jepte sa më tepër detaje konkrete mbi punën në drejtimin e Shqipërisë. Sigurisht këto biseda nuk pretendojnë të trajtojnë subjektin në mënyrë tërësore. Nuk është fjala këtu për një studim historik ose sociologjik. Por rrjedha e tyre jep një panoramë të përmbledhur e të shpejtë të historisë sonë të përbashkët njëzetvjeçare, që prej shpalljes së pluralizmit në Shqipëri në dhjetor 1990, me fjalët e disa prej protagonistëve të kësaj historie. Fjalë që mbartin si të vërtetën e ngjarjeve, ashtu edhe përjetimet e secilit dhe transformimet që, me ose pa dashje, pësojnë kujtimet. Bota e lirë, e pasur, ideale që imagjinonim përpara vitit 1990, ndryshon mjaft nga realiteti që kemi sot. Por a mund të ndodhte ndryshe?

Krerët e shtetit: Ata që janë dhe ata që s’janë

Bisedat u zhvilluan me kryeministrat dhe me presidentët e Shqipërisë, që kanë qeverisur që prej vitit 1991. Shumica e tyre i pranuan me dashamirësi bisedat që iu propozova. Por, me gjithë përpjekjet e mia, këtu mungojnë disa prej tyre. Ndonëse u dërguan disa kërkesa pranë kabineteve përkatëse, nuk u realizuan bisedat me Sali Berishën, Bamir Topin dhe Ilir Metën. Veçanërisht më vjen keq që Sali Berisha, protagonist i padiskutueshëm i skenës politike së tranzicionit, nuk është intervistuar. Pandeli Majko është rast i veçantë. U takuam më 7 korrik 2010 dhe i paraqita projektin, por nuk pranoi të intervistohej. Më tha që sipas opinionit të tij “... ende nuk ka ardhur koha për të folur...”. Fatmirësisht, periudhat kur Pandeli Majko ka qenë kryeministër, mbulohen gjerësisht nga biseda me zotin Mejdani. Bisedat më protagonistët janë zhvilluar në harkun kohor, tetor 2009- janar 2010.

Stili personal si pasqyrë e stilit politik

Fjalët mbartin sigurisht stilin e secilit prej tyre, stil personal, si pasqyrë e stilit politik. Shkrimi i profesor Rexhep Meidanit është konkret, me fakte, do të thosha gati-gati shkencor për shkak të referencave të plota, aktuale dhe historike që jep për çdo ngjarje konkrete. Fjalët e Aleksandër Meksit mbartin hovin dhe energjinë që duket e freskët dhe e pashtershme. Biseda me Fatos Nanon është shumë e ngarkuar me informacion, në asnjë moment s’duhet të humbësh përqendrimin, që të mos të të ikë filli. Gjuha e tij spontane është krejtësisht e strukturuar dhe politike. Në mënyrë të papritur për mua, që kisha ruajtur imazhin e një shtetari të ftohtë të epokës komuniste, biseda me Ramiz Alinë është e ngrohtë dhe njëkohësisht e mprehtë dhe e sofistikuar. Fjala dhe qëndrimi i Alfred Moisiut kanë diçka dinjitoze, pothuajse ushtarake, përshtypje që mbase përforcohet edhe nga fakti që kafenë na e sjell një bodygard. Biseda me Ylli Bufin është e organizuar me seriozitet dhe profesionizëm, por edhe me njëfarë distance të shëndetshme ndaj ngjarjeve që nuk është dhe aq e shpeshtë në politikë. Detajet pikante të Vilson Ahmetit e bëjnë bisedën shumë të këndshme. Ndërsa Bashkim Finon e takoj pasi kam lexuar librin e tij “Humnerë ‘97", ku historia e rënduar e pak muajve qeverisje, është përshkruar sa me ngrohtësi, aq edhe me thjeshtësi. Komunikimi me të është i qartë dhe i drejtpërdrejtë.

(marrë nga parathënia)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›