E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cili është flamuri ynë?

Erzen Vraniqi

Flamuri i Ahtisaarit nuk është flamur i popullit shqiptar. Në ditën e çlirimit të qyteteve në Kosovë, ne kujtojmë gjithë përpjekjen e popullit për liri dhe pavarësi me plot kuptimin e fjalës. Kjo përpjekje e cila kulminoi me luftën e armatosur të UÇK-së, u bë nën flamurin kombëtar kuqezi, sepse ishte përpjekje kombëtare, për qëllime kombëtare. Sot edhe 13 vjet pas, Kosova është një vend me rregullim shtetëror të kompromisit. Ka pavarësi pa sovranitet e shtet pa integritet, ekonomi të pazhvilluar, simbole të imponuara, dhe qeveri të kompromentuar e të shantazhuar. Kjo klasë politike që ka hequr dorë nga historia, nga vullneti i popullit dhe parimet e drejta të luftës për çlirim dhe bashkim, që duke i shitur interesat e vendit dhe të popullit e po pasurohet vet reagon në formën e dhunës policore sa herë që aktivistë të VETËVENDOSJE!-s i rikujtojnë qytetarëve në Kosovë secilën shitje kombëtare ekonomike apo politike ata bëjnë. Flamuri i Ahtisaarit nuk ka asnjë lidhje me datat historike të kombit shqiptar dhe shqiptarëve.

Nëse datat historike paraqesin kulmimin e përpjekjeve e sublimimin e vullnetit për liri e bashkim, ky flamur paraqet në mënyrën më të qartë shkeljen e vullnetit të shqiptarëve përmes imponimit të një projekti të dëmshëm politik, siç është Plani i Ahtisaarit. Flamuri i Ahtisarit nuk është flamur i popullit të Kosovës por i atyre politikanëve të cilët pavarësinë e kanë shpallur për vete e jo për popullin. Dita e Çlirimit nuk duhet të jetë ditë e çlirimit të politikanë por ditë e çlirimit të popullit, veç tjerash edhe nga ky lloj i politikanëve. Kremtimi i ditës së çlirimit të popullit nuk mund të bëhet duke përdorur si simbol flamurin e këtyre politikanëve.

Por, siç edhe opinioni publik e ka vënë re, pas çdo aksioni të VETËVENDOSJE!s sado simbolik qoftë, policia nuk heziton për të ushtruar dhunë, e për të arrestuar secilin, e në secilin rast urdhrat janë qeveritarë.  Në aksionin e djeshëm aktivistë të Kaçanikut po zëvendësonin flamurin e Ahtisarit me atë kombëtar duke qenë se në këtë qytet po afron data e çlirimit. Publiku e mban mend foton e famshme tashme të Kaçanikut ditën e Pavarësisë së Kosovës, ku hyrja për qytet ishte e tejmbushur me flamuj kombëtarë.
Kjo ishte arsyeja e dhunës policore këtë herë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›