E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërheqja dhe roli i Zaganjorit

Kol. Kostandin Koliqi

Kur doli emri i Xhezair Zaganjorit si kandidat për kryetarin e shtetit, u kujtova se emrin e tij e kisha dëgjuar shumë vite më parë. Rreth figurës së tij kanë dalë dhe po dalin shumë informacione pasi ai tashmë u bë një person publik, më shumë se sa kur ishte dhe do të jetë në Gjykatën Kushtetuese.
Nisur nga këto, unë si qytetar i këtij vendi por edhe si votues i ligjvënësve, dua ta përshëndes tërheqjen e tij nga gara presidenciale. Zoti Zaganjori është rritur në qytetin e kulturuar dhe të bukur të Shkodrës, por familja e tij ka pasur probleme me diktaturën komuniste. Megjithatë, ai ka marrë të drejtën e studimit për në fakultetin më të kërkuar të asaj kohe, Fakulteti i Drejtësisë. Të studioje atje, në fakt, ishte privilegj. Edhe një nga fëmijët e mi e mbaroi gjimnazin shkëlqyeshëm, por e dërguan të studionte për inxhinieri edhe pse nuk kemi pasur probleme me diktaturën… Mbas fakultetit, Zaganjori ka mbaruar kursin për zbulimin e jashtëm që maskohej me emrin kurs diplomatik dhe që në të vërtetë drejtohej nga Sigurimi i Shtetit me zyra në Ministrinë e Jashtme. Kjo lë disi për të dëshiruar… Më vonë, Zaganjori është lidhur me një diplomat të Ambasadës Gjermane dhe nga fundi i diktaturës është pranuar në Partinë e Punës si anëtar i saj. Biografia e zotit Zaganjori vazhdon me edukimin e tij nga Arben Puto dhe Luan Omari ndërsa u emërua nga Skënder Gjinushi si ambasador në Gjermani.
Ajo që për mua është kryesorja, është fakti se Xhezair Zaganjori ishte relator i mbrojtjes së marrëveshjes me Greqinë për ujërat territoriale, negociata këto të turpshme në dëm të interesit kombëtar. Në intervistën e tij për një media vizive, zoti Zaganjroi u prezantua si pedagog i të Drejtës Ndërkombëtare pranë fakultetit të Drejtësisë si dhe autor i disa librave. Gjykata Kushtetuese dhe kolegët tuaj, z. Zaganjori, e hodhën poshtë si të parregullt dhe të padrejtë marrëveshjen me Greqinë. Si qytetar i këtij vendi, ndjej respekt dhe nderim për ta. Sa për Zaganjorin, unë mendoj se duhet ti hiqet menjëherë e drejta e ushtrimit të detyrës së pedagogut pas përfshirjes së tij në marrëveshje antikushtetuese dhe antikombëtare. Unë kam shërbyer në sektorë të vështirë dhe në kohë të vështira, por Zaganjori dhe të tjerë donin të bënin të mundur atë që ne e mbrojtëm në 1997. Atë që Greqia nuk e bëri dot duke sjellë kriminelë të liruar nga burgjet në vendin tonë me qëllim grabitjen e territorit, donte ta bënte relatori Xhezair Zaganjori në kohë paqe. Vetëm për këtë dakordësi që ka bërë në favor të shtetit grek dhe në dëm të vendit të tij, Xhezair Zaganjori ishte dhe është figura më e papërshtatshme për president. Nëse kjo është një lojë dhe ai rikthehet si kandidat dhe votohet, dua tju them z. Zaganjori se nëse shihni një qytetar me kurriz nga zyra juaj, ai jam unë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›