Pazaret politike për presidentin
Prof. Dr. Ago Nezha
Loja për të gjetur një president vazhdon. Edhe në raundin e tretë, nuk u gjend një e vërtetë mes palëve. Në këtë lojë me raunde, klasa politike e sheh veten si klasë sunduese, partikraci ku vendosin dy liderët kryesorë të së majtës dhe të së djathtës, pa përfillur pjesëmarrjen e mendimit të gjerë demokratik me sens popullor. Legjenda për të gjetur presidentin po vërtitet rreth ritualit të përditshëm konsensus që e lakojnë jo vetëm liderët, por edhe suita e ndërkombëtarëve që na qëndrojnë te koka, siç veprohet me një të sëmur rëndë që lëngon dhe e përgjojnë çdo ditë se si do gdhihet e ngryset. Konsensus, në vështrimin tim nuk do të thotë pëlqimi i dy liderëve të dy forcave kryesore politike PS-PD, si të jenë zembereku që kurdisin makinerinë për të punuar mekanizmi konsensus.
Konsensus do të thotë që të ketë rregulla loje të barabarta, të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme për të dy palët. Për të arritur objektivin duhet një marrëveshje që mbron dhe nxit ndryshimin e mendimit brenda këtyre rregullave në nivel të lartë vlerash, për të gjetur jo një person që pëlqejnë palët, por që përfaqëson interesat e gjëra të popullit. Në këtë garë për president, duhet të ketë jo pazare emrash simpatizantësh të dy liderëve kryesor, e majtë e djathtë, por një galeri emrash elitarë që vijnë nga të dy palët, me kualitetet e nevojshme, ku përzgjedhja të jetë konkurruese për të dalë në krye më i miri i tyre. Individi nuk ka rëndësi nga vjen, nga e majta, nga e djathta apo shoqëria civile, rëndësi ka identiteti, personaliteti dhe integriteti i tij që ti shkojë për shtatë kostumi i presidentit. Këtë vizion e përligj shembulli i Moisiut, që edhe pse erdhi nga e djathta ai u ngrit mbi palët dhe u bë faktor ekuilibri për interesa madhore të kombit. Mënyra se si procedohet deri më sot, tregon se është një pazar imponues midis dy palëve Berisha-Rama, ku njëri e shet dhe tjetri e blen, pa alternativë, në një treg elitash ku vepron përzgjedhja e më të mirit për të dalë në krye të shtetit.
E djathta, ka hedhur në treg një emër ku vijnë rrotull rreth tij si të ishte Zeusi i piramidës, që ky veprim e ka kompromentuar procesin dhe e ka dështuar atë që në nisje. Ndërsa e majta kërkon që të ketë një kandidaturë që pëlqehet nga të dy palët para se të kaloi në balancën parlamentare. Edhe ky variant, është një oportunitet pazaresh, por jo konsensus demokratik. Momenti kërkon një filozofi gjithëpërfshirëse, ku të dy palët të kenë disa kandidatura që i miraton opinioni i gjerë shoqëror. Duhet të ndërpritet loja e kungulleshave, që na u shfaq me një listë intelektualësh të djathtë e të majtë, mandej edhe jashtë kufijve shtetëror, nga bashkëkombësat tanë për kandidaturën e Nanos. Kjo komedi, të bën të mendosh sa mirë merren vesh shqiptarët nëpërmjet mesazheve të majtë e të djathtë dhe si ka mundur të ndizen llambat inkandeshente, të kuqe e blu, për të ndriçuar emrin e presidentit në një sinkron që ska ndodhur ndonjëherë deri më sot. Është vërtetuar historikisht se në Shqipëri njerëzit e ndeshëm janë në periferi, në krye dalin marifetçinjtë që e kanë kthyer vendin në një plaçkë gjahu, ku zhvatin vetë në pangopësi dhe i ofrojnë shansin edhe komshinjve për rreth nesh.
Reagimi i Zaganjorit duke u vetëtërhequr, mbasi nuk e kaloi klasën në raundin e tretë, tregon se arriti të kuptojë lojën e pandershme të mazhorancës që e përdori si zar, kur Berisha, në fjalën e tij në Parlament, iu drejtua opozitës me akuzën që juve keni komplekse se nuk pranoni për president ish-liderin tuaj që ju mbajti në pushtet për tetë vjet. Nënteksti është i kuptueshëm, që loja vazhdon me aktorë të rinj.
Në raundin e katërt presim që presidenti të shkëputet si meteor nga galaktika e politikës apo shoqërisë civile dhe të bjerë në tokë, ku do të ndriçojë gjithë horizontin mbarëkombëtar Në këtë raund shpresojmë që kumbara ti vejë emrin, që pa mëdyshje do jetë një omëgjë e politikës shqiptare.