E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cili më patriot, përplasen Thaçi e Kurti

(E plotësuar) Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë thirrje për debat televiziv kryeministrit Hashim Thaçi.

------------

Kryeministri po ashtu ka akuzuar deputetin e Vetëvendosjes, Liburn Aliun, se e ka fshehur armën gjatë luftës dhe iu ka dorëzuar policisë serbe.

Akuzat janë mohuar nga Aliu, sipas të cilit, arrestimi i tij ka ndodhur në Ulpianë.

 ---------

Kryeministri Hashim Thaçi, ka pasur një përplasje në Kuvend me kreun e Vetëvensojës, Alin Kurtin.

Pas fjalimit të deputetit Kurti, ku ai tha se kryeministri Thaçi, bënë patriotizëm në Shqipëri duke e ngritur flamurin kombëtarë, ndërsa në kufi me Serbinë nuk guxon ta bëjë atë, ka reaguar kryeministri duke i bërë Kurtit pyetje krejt personale.

Ai ka pyetur Kurtin, ai si patriot që tregohet pse nuk shkon që flamurin kombëtarë ta ngrit në Vlladimir në Mal të Zi ku ai e ka vendlindjen.

Ndërsa përgjigja e Kurtit ka qenë se atij vendi nuk i thuhet Vlladimir por i thuhet Katërkodër, dhe se ai e as babai i tij nuk e kanë vendlindjen e atje. “Unë kam lindur në Prishtinë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa akuzave të Kurtit se pinjolli i Millosheviqit, kryeministri serb Ivica Daçiq, po duket mirë para Bashkimit Evropian se këtë po ia bënë të mundur Hashim Thaçi, ky i fundit i është kundërpërgjigjur me pyetje.

Thaçi e ka pyetur Kurtin, se si është e mundur kur shqiptarët vriteshin e rraheshin brutalisht në burgjet e Serbisë, “ty nuk të preku kush, por të organizonin konferenca shtypi në burg”. Thaçi i tha Kurtit se ti ke hyrë në politikë, përmes derës së Daçiqit duke të organizuar konferenca shtypi në burg, për promovim politik./Indeksonline/

--------------

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se nuk janë të mjaftueshme informatat e kryeministrit, për faktin se, siç tha ai, mosprezantimi i marrëveshjeve në mënyrë të shkruar, lë hapësirë për interpretime të ndryshme.

“Nëse ato nuk i shohim, ose në një të ardhme nuk na prezantohen të shkruara, vërtetë shtrohet pyetja, cila është e vërteta, a po fshihet diçka nga ne dhe qytetarët tanë. Këtu nuk mund të shtrohet pyetja se kujt mund t’i besohet. Nuk është çështje besimi, por çështje faktimi dhe argumentimi”, tha Beqiri.

Kryeministri Thaçi mori fjalën sërish për të sqaruar shqetësimin e deputetit Beqiri.

“Gjithçka është shumë e qartë. Ne do të respektojmë në plotni rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Gjithçka është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sa i përket asaj se kujt duhet t’i besohet, mendoj se duhet t’i besohet më së shumti vetë realitetit të krijuar”, tha Thaçi.

Ndërkaq, Afrim Kasolli nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Kosova në këtë dialog, ndodhet në një rrugë pa krye. Ai tha se mënyrat e informimit të kryeministrit për këto takime, janë më tepër plotësim formal i demokracisë.
“Sipas kësaj qasje, vetë Kuvendi po zhvishet nga çdo fuqi përmbajtësore. Për pasojë Kuvendi dhe deputetët po ndodhen para një fakti të kryer ku me këtë rast, qëllimi themelor mbetet vetëm plotësimi formal i demokracisë, por jo edhe ai përmbajtësor”, tha Kasolli.

E ndërkaq Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se Qeveria duhet të insistojë në implementimin e të gjitha marrëveshjeve, ngase mosimplementimi i tyre, mund të ketë pasoja shumë të rënda.
“Është jashtëzakonisht me interes që askush mos ta ketë ndjenjën se diçka përpos asaj që shihet, është duke ndodhur”, tha Gjini.

Gjithsesi kryeministri Hashim Thaçi shprehu gatishmërinë ta informojë Kuvendin dhe të gjitha institucionet tjera për çdo takim me homologun e tij serb. Ai tha se në takimin e radhës që është paraparë të mbahet më 17 janar 2013, çështja e shpërbërjes së strukturave ilegale të Serbisë dhe financimi i tyre, do të jetë temë e veçantë në këtë takim, ndërsa tha se një pikë kryesore nga ana e tij në këtë takim, do të jetë çështja e personave të pagjetur.

----------------

Gjatë seancës së Kuvendit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka informuar deputetët për takimin që ka pasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.

Thaçi gjatë raportimit të tij ka thënë se edhe në këtë takim është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Derisa ka shtuar se gjatë këtij takimi janë arritur edhe disa marrëveshje. Siç tha ai, ajo e marrëveshjes se IMB-së dhe hapjes së zyrave ndërlidhëse mes Kosovës dhe Serbisë.

“Implementimi i marrëveshjes se IBM-së ka filluar tani e dy ditë. Zbatimi i kësaj marrëveshje është de fakto dhe de jure njohje e shtetit te Kosovës nga ana e Serbisë. Në pikat tjera në Bërnjak dhe tek Dhe i Bardh kjo marrëveshje do të nis të implementohet deri në fund të këtij viti. Ne takimin e fundit është arritur edhe marrëveshje e fillimit të hapesë së zyrave ndërlidhëse. Këto zyre fillimesh do te vendosen në zyrat e BE-së, si ne Kosovë ashtu edhe ne Beograd. Hapja e zyrave do të behët deri në fund të muajt dhjetor", ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa përfaqësuesit e partive opozitare kanë kërkuar nga kryeministri detaje nga takimi që ka pasur me Daçiqin.

----------------

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas fjalimit vjetor të Presidentes Atifete Jahjaga.

Sot presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga prezantoi raportin për vitin 2012. Ky raport përmbante më shumë premtime të thata për vitin 2013, sesa angazhime të përfunduara në vitin 2012.

Ajo foli për integrimin evropian dhe liberalizimin e vizave, por nuk përmendi krizën e thellë në të cilën gjendet vendi, nga aferat e shumta të kësaj qeverie të korruptuar.

Për më tepër, ajo i bëri ftesë publike Presidentit Nikoliç për takim, gjë që dëshmon se kjo Presidente është shumë më thellë në probleme me aspektin politik sesa me atë procedural, thuhet në njoftimin e VV-së./Indeksonline/

-----------------

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bojkotuar fjalimin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

LDK ka kërkuar që të respektohet marrëveshja e nënshkruar mes tre liderëve, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli.

Ndërsa pjesërisht seancën e kanë bojkotuar edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/ 

-----------------

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbajtur sot një fjalim vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai ka folur për të arriturat e Kosovës në pesë vitet e fundit dhe është zotuar se do të punojë për të ardhmen e vendit.

“Ne do të garantojmë se Kosova dhe qytetarët e saj do t’i respektojnë të gjitha rregullat e Bashkimit Evropian”, ka thënë Jahjaga, duke shpresuar se që nga viti 2013 qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në Evropë.

Ajo ka thënë se është e përkushtuar qe dukuritë negative t’i çrrënjosë.

“Ne nuk duam që vendi ynë dhe të rinj tonë të mbesin peng i korrupsionit dhe dukurive negative”, tha ajo.

Jahjaga ka folur edhe për formimin e këshillit për luftën kundër korrupsionit.

“Ne kemi formuar edhe këshillin për luftim te korrupsionit. Kjo është formuar vetëm për ta shkatërruar ketë dukuri që ka ndikime negative në gjithë shoqërinë”, ka thënë ajo para deputetëve të Kuvendit.

Presidentja Jahjaga ka folur edhe për zhvillimin ekonomik. “Vendi ynë po ashtu është duke punuar edhe ne zhvillimin ekonomik të vendit. Kosova tani ka nderuar rrugë dhe magjistrale evropiane. Tani Kosova është duke i ndërtuar edhe autostradat te kualitetit botërorë. Ndërtimi i tyre do të ndihmoi shumë zhvillimin e vendit tonë”, ka thënë ajo./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›