Qeveria të jetë më serioze në përmbushjen e kritereve

Vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, që Kosova të filloj negociatat e mundshme për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pas raportit të Komisionit Evropian që pritet të dal në pranverën e vitit të ardhshëm, qeveria e vlerëson si pozitive. Por analistët e fushës thonë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më serioze në përmbushjen e kritereve që dalin nga studimi i fizibilitetit për MSA-në.
Bashkimi Evropian e ka lënë të hapur mundësinë që Kosova të filloj negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në momentin kur të përmbushen të gjitha kriteret.
Edon Cana, këshilltar i Kryeministrit për integrime evropiane e vlerëson si pozitive këtë mundësi, duke thënë se pritet që vitin e ardhshëm Kosova të filloj inicimin për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“ Ne tashmë kemi përfunduar gati të gjitha punët tona dhe besojmë që në fillim të viti të ardhshëm do të jemi të gatshëm që t''i themi KE, që prioritete afatshkurtra të përcaktuara nga studimi i fizibilitetit dhe rekomandimet e Komisionit Evropian janë të përmbushura nga ana jonë”, tha Cana për Radio Kosovën.
Por, në anë tjetër ekspertët e fushës së integrimeve evropiane janë më kritik ndaj Qeverisë së Kosovës. Ata thonë se qeveria duhet të ndërmarr hapa konkret drejt përmbushjes së kritereve të dala nga Komisioni Evropian.
Shenoll Muharremi thotë se duhet vlerësuar faktin që vendet anëtare të BE-së, e kanë konfirmuar rekomandimin e Komisionit Evropian, që Kosova mund të filloj negociatat për MSA. Por sipas tij duhet një qasje më serioze e kryeministrit Thaçi në përmbushjen e kritereve që dalin nga studimi i fizibilitetit.
“ Kryeministri i Republikës së Kosovës, dje në vend që të ishte në Bruksel për të lobuar për Kosovën që të marr dritën gjelbër për fillimin të negociatave ai në orar të punës shkon në Podujevë dhe premtoi më shumë autostrada që nuk do e avancojnë punë e Kosovës drejt BE-së” , tha Muharremi.
Emrush Ujkani, ekspert i fushës së integrimeve evropiane i sheh si pozitive këto zhvillime, sepse sipas tij, për herë të parë proceset integruese të Serbisë, kushtëzohen krahas atyre të Kosovës.
“ Puna varet më tepër nga institucionet tona, besoj që qershori nuk është larg dhe duhet të bëhet një punë më dinamike me qëllim që të kapet hapi i fundit, po e them ashtu, që të ecet krahas vendeve tjera të rajonit”, tha Ujkani.
Në pranverën e vitit 2013, Komisioni Evropian duhet të përpilojë raportin me vlerësimet se në cilën masë Kosova i ka përmbushur prioritete e përfshira në Studimin e fizibilitetit e më pas të shqyrtojë nëse lejon apo jo hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit./Indeksonline/