E Diel, 1 Nëntor 2026

Cirku i Metropolit në festivalin ndërkombëtar në Kroaci



Nga 9-14 qershor një grup artistik i përbërë prej 13 artistësh të Cirkut të Metropolit dhe nxënësve të Shkollës së Cirkut të ftuar nga KAM-HRAM, mori pjesë në Festivalin e 3-të Ndërkombëtar “Street talks” që u zhvillua në Split të Kroacisë. Karakteristikë e festivalit të këtij viti ishte zhvillimi i të gjitha performancave të grupeve pjesëmarrëse në ambjente të hapura dhe nëpër rrugët apo sheshet kryesore të qytetit. Grupi ynë dha tre shfaqje në sheshin qendror të qyteit për banoret e Splitit dhe turistët e rastit. Numrat e bukur të ekzekutuar me mjeshtëri e profesionalizëm nga artistët e talentuar shqiptarë, veshjet shumëngjyrëshe dhe muzika me motve shqiptare transmentuan emocione të veçanta te publiku që ndoqi shfaqjet dhe që duartrokiti shpesh. Mediat elektronike dhe ato të shkruara pasqyruan aktivitetin, mes tyre edhe gazeta më e madhe lokale “Sllobodnia Dalmacija”. Klouni i mirënjohur Vilson Gjoca dhe veterani i numrave të shpejtësisë Fatos Roshi, u lanë mbresa të veçanta shikuesve me lojrat, surprizat dhe truket “magjike” të zgjedhura prej tyre enkas për këtë aktivitet. Me duartrokitje dhe simpati u pritën e u vlerësuan artistët profesionistë Manushaqe Mullai, Stela Mema e Bledin Balla. Po kështu, u pritën mirë edhe interpretimet e nxënëseve të Shkollës së Cirkut; Loredana, Klea, Albana, Pamela dhe Sabina, të drejtuara nga mesuesja e tyre Silvana Dumi. Përveç shfaqjeve, grupi organizoi edhe tri uork-shope në parkun qendror të qytetit, duke demonstruar anën profesionale të artisteve dhe traditës akrobatike shqiptare në disa disiplina të cirkut. Publiku i çdo moshe u afrua duke komunikuar me artistët dhe duke provuar të mësojë sadopak nga mjeshtëria e tyre. Përshtypjet e organizatorëve për të parin grup artistik të Cirkut Shqiptar që jepte një shfaqje në Kroaci ishin nga më të mirat. Artistët tanë u larguan duke marrë ftesën për të qenë sërish të pranishëm në festivalin e radhës, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në të njëjtën kohë.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›