Kujtim Çashku kërkon ndërhyrjen e presidentit Topi në favor të Akademisë “Marubi”
Paraditen e djeshme, sikurse ishte paralajmëruar nga rektori i Akademisë të Filmit Marubi, Kujtim Çashku, para bashkisë së Tiranës është zhvilluar një protestë që zgjati 45 minuta, e cila bllokoi hyrjen e këtij institucioni. Sipas organizatorëve të protestës, ajo u përshkallëzua duke qenë se Bashkia e Tiranës është përgjegjësja kryesore për indiferencën e treguar kohët e fundit ndaj prishjes së ullinjve 100-vjeçarë në parkun para Akademisë “Marubi”. Në protestë merrnin pjesë edhe Shoqata e Kineastëve Shqiptarë “Lumiere”, kineastë të ndryshëm, studentë e pedagogë të universiteteve publike e private, aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë si dhe përfaqësuesit e familjes Hysa, që janë pronarët legjitimë të truallit. Folësit në protestë, deklaruan se nuk do të tolerohet asnjë veprim i mëtejshëm për prerjen e pemëve dhe betonizimin e parqeve të vetme të mbetura në zonën e ish-Kinostudios, si dhe në rast të kundërt, protesta do të përshkallëzohet, duke i kërkuar të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrojnë më çfarëdo lloj mjeti hapësirat publike, e mbi të gjitha hapësirat që mbartin kujtesën historike. Përfaqësuesit e Familjes Hysa (pronarët legjitimë) që e kanë trashëgimi këtë hapësirë që prej 150 vitesh, do të deklaronin se prona e tyre mund t’ju hiqet për ekzistencën e institucioneve publike, të artit dhe të filmit, hapësira të gjelbra, por kurrësesi për ndërtime të paligjshme betoni. Gjatë protestës u deklarua se vullneti i mbrapshtë i qeverisë “Berisha”, ministrit të METE, z. Genc Ruli, ministrit të shkarkuar të Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, hartoi një VKM për dhënien me qera për llogari të Top Channel të këtyre ambjenteve në ish-Kinostudio. Ky akt i la shkas veprimeve antiligjore të Albafilmit, drejtori i së cilës Fatmir Musaj, tashmë nën hetim nga Prokuria për shkelje të të drejtave të individit dhe shfrytëzim të postit. Sipas Çashkut, Bashkia e Tiranës duhet të gjobisë kundravajtësit e Top Channel, ndonëse ka një VKM për këtë çështje që e përligj veprimin e tyre. Në fund të fjalës së tij, Kujtim Çashku i ka bërë thirrje edhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të ndërhyjë për të zgjidhur situatën absurde të krijuar prej 121 ditësh në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, si dhe të ndalojë krimin që po ndodh në ambjentet e ish kinostudios.
18 Qershor 2009