E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në NATO, fushata zgjedhore, më e dhunshmja e 18 viteve

Që nga vrasja e Fatmir Xhindit deri te ekzekutimi mafioz me eksploziv C4. Dhuna verbale dhe fizike për posterat dhe tensionimi ekstrem elektoral

Tiranë – Shqipëria, ndonëse në NATO, po regjistron çdo ditë fushatën më të dhunshme të postkomunizmit. Fushata elektorale dhe paraelektorale e këtij viti ka shënuar një numër rekord vrasjesh, përplasjesh dhe incidentesh në të gjithë vendin. Duket se kjo fushatë do të jetë e krahasueshme me fushatën delikate zgjedhore të bërë në vitin 1997, por sot është një tjetër kontekst dhe duket se vendi po i rikthehet dhunës verbale, psikologjike, madje dhe asaj fizike, që buron nga arkaizmi politik. Sipari u hap me ekzekutimin e deputetit Fatmir Xhindi rreth dy muaj më parë, ndërsa ende sot e kësaj dite duket sikur misteri i kësaj vrasjeje trimëron çdo ditë e më tepër atentatorët politikë. Si për të paralajmëruar një ogur të zi, natën e 3 majit është ekzekutuar në rrethana misterioze, me 6 plumba automatiku, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15 ndërsa deputeti i PS-së po hynte në shtëpinë e tij. Pikërisht në këtë moment mbi të është hapur zjarr nga persona ende të paidentifikuar. Pak para se të mbërrinte në banesën ku jetonte së bashku me familjen, mbi të është derdhur një breshëri plumbash. Dyshohet se autorët mund të kenë hapur zjarr nga gjimnazi i Roskovecit, por policia nuk ka arritur ende në një konkluzion përfundimtar për këtë çështje, ndonëse nga krerët më të lartë të saj në vazhdimësi janë bërë premtime për zbardhje të shpejtë të ngjarjes.
Dhunimi
Disa javë pas vrasjes së Xhindit nisi zyrtarisht fushata elektorale, ndërsa sinjalet e para të dhunës po evidentoheshin në të gjithë vendin. Më datë 2 qershor kryetari i PS-së për fshatin Zëmblak të Korçës u rrah barbarisht së bashku me një kushëririn e vet nga kryeplaku i fshatit, i cili i përkiste PD-së, Bilal Mullalli. Shkak për rrahjen e kryetarit të PS-së së fshatit, Fatos Hysaj, ishte fakti pse kishte vizatuar në murin e shtëpisë së vet inicialet “PS” të partisë së tij. Ky akt u pasua dy ditë më vonë me dhunimin e zyrave elektorale të PS-së te “Don Bosko” në Tiranë dhe në Xhafzotaj të Durrësit. Ende pa u tretur jehona e këtyre dhunimeve të para të fushatës, nga Korça erdhi lajmi se persona ende të paidentifikuar kishin dëmtuar zyrën elektorale të Partisë Socialiste në fshatin Dhashtimë të qarkut të Korçës. Në vendngjarje mbërritën edhe përfaqësues të OSBE-së.
Më tej seriali zhvendoset sërish në kryeqytet, me grisjen e posterave të Partisë Socialiste në qendër të Tiranës. Partia Socialiste reagoi publikisht pas ngjarjes që ndodhi në zemër të kryeqytetit duke e shpjeguar aktin me frikën e humbjes nga ana e Berishës.
Më tej, në datën 8 qershor 2009, ka ndodhur një incident i rëndë në fshatin Vreshtas të Korçës. Një simpatizant i Partisë Socialiste është plagosur me mjete të forta dhe ndodhet në gjendje të rëndë, pasi kishte ngjitur postera të PS-së në shtëpinë e tij. Policia dyshon se personat që e sulmuan ishin militantë të Partisë Demokratike. I plagosuri ishte Defrim Rrema, 40 vjeç, i cili është sulmuar në banesën e tij me mjete të forta nga persona ende të pa identifikuar, duke e lënë të plagosur rëndë.
Shembujt
Pas këtyre dhunimeve të zyrave elektorale të partive kryesisht opozitare, nisi beteja e shkatërrimit të posterave dhe billbordeve. Ngjarja më flagrante ishte ndërhyrja e Bashkisë së Shkodrës, e cila hoqi me një aksion të posaçëm të gjitha reklamimet e forcës politike “G99”. Më tej kjo forcë ka reaguar ndaj Bashkisë së Shkodrës në lidhje me mbylljen e tendave elektorale në këtë qytet, në Koplik e Velipojë, si dhe gjobës së vendosur. G99-a e ka akuzuar Bashkinë e Shkodrës se e konsideron këtë forcë jo si subjekt politik, por si një kompani private. Ndërsa në datën 12 qershor fushata për pak sa nuk u kthye në një përplasje të armatosur kur një vrasje që rezultoi për motive hakmarrjeje në Katundin e Ri në Durrës u cilësua publikisht nga Partia Demokratike si e motivuar politikisht. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Artan Zeka, një militant i PD-së. Ngjarja ka ndodhur në qendër të fshatit, në afërsi të një lokali. Autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Skënder Balla, simpatizant i Partisë Socialiste, 45 vjeç, ka goditur me një armë automatike dhe ka gjuajtur në drejtim të shtetasit Artan Zeka, duke e plagosur rëndë, i cili më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin e qytetit të Durrësit. Kjo vrasje u deklarua nga policia sikur ishte shkaktuar nga grindja për posterat elektoralë, por familjarët e autorit kishin një tjetër variant dhe këmbëngulën ta thoshin publikisht. Bashkëshortja e Skënderit tregoi detaje. Ajo tregoi se dy ditë para ngjarjes gjithçka ishte si zakonisht, derisa Zaim Zeka me të birin, Artanin (viktima) dhe dhëndrin e këtyre, i sulmuan burrin që dilte me makinë për të shkuar në lokalin ku punonte. Vetëm pak momente më pas, edhe vetë ajo do të gjendej mes burrit dhe personave që e goditnin atë. Së fundi ishte shpërthimi me eksploziv C4 të telekomanduar ndaj kreut të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka, vrasje e cila deri tani ka treguar se Policia e Shtetit ka paragjykuar paraprakisht shkaqet me reagimin e saj.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›