E Shtunë, 31 Tetor 2026

Citroen C4, fotografitë e modelit të ri



Edhe pse deri në panairin e automjeteve të Parisit kanë mbetur më shumë se tre muaj, Citroen nuk ka mundur të presë dhe ka shfaqur fotografitë e para të gjeneratës së re të modelit C4. Konkurrenti francez në klasën e ashtuquajtur Golf, gjykuar sipas fotografive, duket si modeli konceptual, të cilin Citroen na e kishte paraqitur në panairin e Gjenevës, ai DS Highrider. Asgjë për t’u habitur, kur merret parasysh se Citroen do të shfrytëzojë platformën e tij edhe për zhvillimin e modelit më luksoz dhe pamjen e modelit diç më të avancuar DS4, ashtu siç kishte bërë edhe me modelet C3 e DS3. Modeli i ri C4 është rritur në dimensione. Krahasuar me paraardhësin e tij, ky automjet është për 55 milimetra më i gjatë, më i gjerë për 17 milimetra dhe më i lartë për 32 milimetra. Francezët lavdërohen edhe për rritjen e hapësirës së bagazhit për 80 litra, në gjithsej 400 litra.
Pas ridizajnimit të theksueshëm të eksterierit, ndryshime më të mëdha ka përjetuar enterieri ku pajisjet kontrolluese nga pozita e mesme më në fund janë vendosur para shoferit, dhe vetë timoni nuk ka pjesë të fiksuar në mes, por ka ndërtim konvencional. Në raportin për media, Citroen nuk përmend motorët, të cilët do të gjenden nën kapakun e modelit C4, mirëpo mbetet të pritet që, përveç paletës standarde të motorëve me turbo-mbushës me naftë e benzinë, për herë të parë ai do të ketë një zgjidhje hibride të kombinuar në mes motorit me naftë dhe elektrik nga grupimi PSA.

EVO4G
Modeli modern i HTC

Telefoni i mençur me lidhjen më të re të internetit në celular, 4G, modeli HTC EVO 4G, tani është në dispozicion për të gjithë përdoruesit amerikanë, të cilët mund të blejnë këtë pajisje në dyqanet e shitjes Sprint, RadioShack, Best Buy, Walmart, si dhe online nëpërmjet Sprint.com. HTC EVO 4G kushton 199,99 dollarë me një marrëveshje dy-vjeçare me operatorin (përjashtuar taksat). EVO HTC 4G ka marrë disa nga vlerësimet maksimale nga ekspertët, dhe në pak fjalë, ky është një “smartphone” shumë i avancuar me harduerët më të fundit në industri, i cili gjithashtu ofron shpejtësinë e lidhjes 4G gjatë transferimit të të dhënave, ndërsa llogaritet të jetë rreth 10 herë më i shpejtë, krahasuar me tani.

Aston Martin DB5

Automjeti legjendar del në ankand
Secilit prej nesh i kujtohet automjeti protagonist i viteve të hershme dhe ndoshta më i njohuri nga bota e filmit. Aston Martin DB5 i agjentit sekret Xhejms Bond, do të vendoset në ankand në fund të këtij viti në Londër për të mbledhur fonde humanitare. Sa për rikujtim, Aston DB5 nga filmat "Goldfinger" e "Thunderball" është prodhuar në vetëm dy njësi, e “gjallë” ka mbetur vetëm njëri automjet, i cili që prej vitit 1969 është në pronësi të pronarit të parë dhe të vetëm, amerikanit Xherri Li, i cili atëherë kishte paguar 12.000 dollarë amerikanë për të. Pritet që vlera e automjetit në ankand të arrijë në katër ose pesë milionë euro. Mirëpo, nëse në mesin e ofertuesve do të gjendet edhe ndonjë adhurues i flaktë i agjentit sekret me xhepa të thellë, atëherë shuma e paguar për të do të jetë e paparashikuar.

E73
Vjen nga gjiganti i kompanisë Nokia

Kompania Nokia ka prezantuar edhe një model të ri, nga linja e saj e telefonave të mençur, E-series, e cila është mjaft e dashur për shumë përdorues. Kjo seri është pak a shumë e ngjashme me telefonat e prodhuar nga Research In Motion, e cila prodhon BlackBerry’n. Të gjithë ata që duan të posedojnë Nokia, ndërkohë që telefoni i tyre t’i ngjajë BlackBerryt, atëherë Nokia ka prezantuar modelin e ri të telefonit të mençur, të cilin e ka emërtuar E73, ngjashëm sikur modelet paraprake. Për më shumë, dizajni i Nokia E73 i ngjan BlackBerryt dhe është i bazuar në sistemin operativ Symbian dhe mund të blihet vetëm përmes rrjetit të dyqaneve T-Mobile. Çmimi i Nokia E73 ende nuk dihet, mirëpo ajo që dihet tashmë është data e lansimit të këtij telefoni, i cili do të dal në shitje prej 16 qershorit.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›