E Diel, 1 Nëntor 2026

C‘kerkoi dhe c‘tha metropoliti serb ne Veri te Shqiperise

Për dy ditë, Mitropoliti i Kishës Serbe për Malin e Zi, Amfilohije Radoviç, shëtiti në Veriun e Shqipërisë, duke vizituar varrezat e vithisura të ushtarëve serbë të vrarë në tokën shqiptare gati 100 vjet përpara, në kohërat gati të harruara të luftërave ballkanike e të Luftës së Parë Botërore.

Qënia e mitropolitit, urë lidhëse midis tokës e qiellit, e justifikon vizitën, por qëllimi vjen më shumë era politikë e atyre viteve, kur ata ushtarë u vranë, se sa merak për vendin që kanë në tokë trupat e atyre, që shpirtrat kanë ndonja 100 vjet që kanë kapur qiellin.

Mbase Mitropoliti i ka harruar arsyet përse erdhën në tokën shqiptare ushtarët serbë e malazezë në vitet 1912-1914 deri më 1915 (jo më 1939) dhe çfarë bënë ata. Por, për hir të së vërtetës dhe kujtimit të atyre shqiptarëve, të vrarë nga bashkatdhetarët e Mitropolitit, na takon të rievokojmë edhe njëherë ngjarjet, ashtu siç kanë ndodhur.

Në Tetor të vitit 1912, filloi Lufta Ballkanike, e cila si objektiv të deklaruar kishte përzënien e otomanëve nga gadishulli Ballkanik, por në realitet kishte si synim zgjerimin e territoreve të malazezve, serbëve, grekëve dhe bullgarëve, të cilët e kishin fituar më herët pavarësinë, në kurriz të territoreve otomane, praktikisht territoreve ku banonin shqiptarët. Kjo ishte edhe arsyeja që shqiptarët nuk u entusiazmuan për këtë luftë dhe nuk nxituan t‘u kthenin pushkët osmanëve, siç kishin bërë historikisht më përpara. Përkundrazi, në disa raste u bashkuan me ta, si në rastin e mbrojtjes së Shkodrës. Ky pozicionim i shqiptarëve nuk kishte lidhje me afërinë fetare (pavarësisht besimit mysliman të shumicës së shqiptarëve, besim që nuk i kishte penguar në të kaluarën të bënin kryengritje tronditëse për perandorinë), por me perceptimin e drejtë se "çliruesit" e ardhshëm, nuk do kishin aspak ndërmend të largoheshin nga tokat që do shkelnin.

Kështu, malazezët sulmuan Shkodrën dhe, në pamundësi pushtimi në ecje e sipër, e rrethuan duke i shkaktuar për 183 ditë radhazi uri, vuajtje dhe 3500 të vrarë. Serbët sulmuan garnizonet otomane që gjendeshin në drejtimin e Lezhës dhe Durrësit, duke i pushtuar edhe këto qytete. Grekët sulmuan nga Jugu, duke pushtuar territoret shqiptare që sot janë nën sovranitetin grek, dhe Shqipërinë e Jugut, duke arritur në periferi të Vlorës. Bullgarët në drejtim të Shkupit (qyteti më i madh shqiptar i asaj kohe), duke arritur deri në Ohër. Nga të gjithë "çliruesit", këto përparime territoriale, u shoqëruan me masakra në popullsinë civile.

Asnjëri nga "çlirimtarët", serb, malazez, bullgar apo grek, nuk u kujtua t‘i lironte territoret e zaptuara shqiptare deri në fund të vitit 1913, pas presionit që ushtruan Fuqitë e Mëdha.

Në vitin 1914-1915, ushtritë serbe të thyera dhe të zbythura nga forcat austro-hungareze, pa respektuar neutralitetin e shtetit shqiptar, kaluan kufirin tonë verior. Hyrja dhunshëm e trupave serbe në territorin shqiptar, pa dorëzuar armët dhe pa një marrëveshje paraprake, nga një shtet normal do kishte si reagim çarmatimin, me ose pa luftë. Duke shtuar këtu edhe kujtimet e hidhura që kishin lënë një vit më parë këta "çlirimtarë", ishte normal një reagim i armatosur nga shqiptarët, të cilët në mënyrë të çorganizuar, nuk munguan ta bënin. Gjithsesi, hyrja e trupave serbe në Shqipëri, bashkë me shumë faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, shkaktoi humbjen e neutralitetit dhe kthimin e territorit shqiptar në shesh luftimi.

Duhet thënë se në rrëmujën e Luftës së Parë Botërore, fqinjët tanë nuk harronin zbatimin e praktikës së eliminimit të shqiptarëve të shquar. Isa Boletini, Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi e Çerçiz Topulli, janë thjesht disa shembuj.

Sa për ndihmën në Luftën e Dytë Botërore, historia tregon se nga 7 Prilli 1939, dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, deri në 17 Prill të vitit 1941, kur Jugosllavia u pushtua nga ushtritë naziste, qeveria e mbretit Pjetri I, jo vetëm që nuk e ndihmoi ushtarakisht drejtpërdrejt ose tërthorazi rezistencën shqiptare, por përkundrazi ishte një aleate e heshtur e fuqive të boshtit, fakt ky i njohur botërisht.

Ndaj, në këtë kontekst, ushtarët e vrarë në motet e 1912-‘13-‘14-‘15, nuk u ftuan nga shqiptarët; nuk luftuan për lirinë e tyre, ndaj nuk mund të pretendojnë varreza me statusin e çlirimtarëve, ose të aleatëve tanë.

Në praktikën botërore, ngritja e varrezave bëhet për ata ushtarë të fuqive të huaja, të cilët kanë dhënë kontribut në çlirimin dhe emancipimin e popujve ku është ngritur varreza dhe ky kontribut duhet të jetë njohur dhe pranuar nga mikpritësit. Në rastin e të vrarëve në radhët e trupave ndërluftuese (kur palët ndeshen në një territor të huaj) ose pushtuese, trupat e të rënëve zhvarrosen pas vendosjes së paqes, për t‘u prehur përfundimisht në tokën amë. Përjashtim bëjnë varrezat e ushtarëve gjermanë të vrarë në Verdun (Francë) gjatë Luftës së Parë Botërore. Këto varreza janë ngritur me mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në betejën ku u vranë 1 milion ushtarë, për t‘u treguar brezave të ardhshëm se ç‘shkatërrim jetësh njerëzore është lufta kur ajo bëhet qëllim në vetvete. Nëse do ngrinim varreza për çdo luftë dhe të vrarët e saj, përfshirë pushtuesit, çliruesit ose ndërluftuesit, planeti do kthehej në një varrezë gjigante.

Kaq sa për histori!

Nëse do shohim anën protokollare, vizita e Amfilohijes në kishat ortodokse ngjante më shumë si inspektim i eprorit ndaj vartësve, se sa vizitë miqësore, duke harruar se Kisha Ortodokse Shqiptare është autoqefale dhe ka autoritet edhe në kishat që ndodhen në fshatrat minoritarë. Ndaj duhet një prononcim nga drejtuesit e Kishës Ortodokse Shqiptare, nëse ishin në dijeni të kësaj vizite dhe programit të saj, si dhe nëse u ishte marrë leje. Në të kundërt duhet të protestojë për këtë shkelje të sovranitetit të saj dhe t‘i kërkojë mbrojtje shtetit shqiptar.

Mungoi në vizitën e Amfilohijes në fshatrat me minoritet malazez mesazhi për bashkëjetesë dhe paqe me shqiptarët. Do bënte mirë ta jepte këtë mesazh, sidomos në trevat ballkanike, ku veprimet dhe mosveprimet kanë shpesh vlera simbolike. Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, me shfrytëzimin e ndjenjave fetare, si dhe me nxitje të hapur ose të fshehtë nga kleri i tre feve prezente në Kroaci e Bosnjë, filloi një nga plojat që e mbyllën shekullin e 20-të për Ballkanin, ashtu siç e kishte filluar: me gjak.

Në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, fshatrat me minoritet malazez (për saktësi dy), me një shpresë për një jetë më të begatë u larguan nga Shqipëria. Regjimi i Millosheviçit i vendosi në Kosovë, me qëllim shtimit e elementit sllav në këtë krahinë dhe në perspektivë konfrontimin e tyre me shqiptarët. Për fat, këta njerëz nuk ranë në kurth dhe pas disa vitesh u kthyen në fshatrat nga ishin nisur, duke u mirëpritur rishtazi nga fqinjët shqiptarë. Le të përpiqen përfaqësuesit e fesë të përhapin sa më shumë këto mesazhe dashurie dhe të mos përdoren nga segmente politike, që mbijetesën e tyre e gjejnë te konflikti dhe konfliktin e përdorin si pasaportë për karrierë. Nga minimi i bashkekzistencës askush nuk përfiton, aq më pak minoritetet. Shembujt se ç‘po heqin serbët e enklavës së Kninit në Kroaci, janë ende të prekshëm.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme: Nuk kanë kaluar shumë vite nga koha kur kjo kishë lejoi të përdorej nga nacionalizmi serb dhe t‘i mbështeste pretendimet e tij. Dhe kjo kishë ende nuk ka shprehur keqardhje për masakrat që bënë bijtë e saj në hapësirat e Ballkanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›