Raporti 2007, ndryshojnë 53 drejtorë bankash
Bankat vazhdojnë ta rrisin konkurrencën midis tyre në drejtim të implementimit të produkteve të reja elektronike bankare, në shërbim të klientëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, në sistemin bankar shqiptar 11 prej tyre përdorin transaksionet në rrugë elektronike, sipas produkteve të ndryshme. Ajo që u vu re gjatë vitit 2007 është shtrirja e shërbimit të internet banking edhe në 3 banka të tjera të sistemit. Dëshmi e rritjes së konkurrencës bankare, si dhe e rritjes së vëllimit të transaksioneve financiare nëpërmjet bankave, ishte zgjerimi i konsiderueshëm që pësoi rrjeti bankar, me degë dhe agjenci të reja. Kështu, numri i degëve dhe agjencive të hapura gjatë vitit 2007, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë arriti në 104, nga të cilat vetëm 43 në rrethin e Tiranës. Gjithashtu, janë miratuar ndryshime në përbërjen e administratorëve të bankave. Administratorët e emëruar nga bankat dhe të miratuar nga Banka e Shqipërisë kanë qenë me reputacion dhe përmbushën kriteret tona. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", Banka e Shqipërisë miraton edhe drejtuesin e njësisë së kontrollit të brendshëm të bankës. Gjatë vitit 2007, Banka e Shqipërisë ka miratuar rreth 53 administratorë bankash. Natyra e miratimeve të administratorëve mund të klasifikohet sipas katër kategorive, si: administratorë që u paraqitën për herë të parë për miratim (të rinj), administratorë që ndryshuan pozicion brenda të njëjtës bankë, administratorë që u përfshinë në dy funksione drejtuese, brenda të njëjtës bankë dhe administratorë që ndryshuan pozicionin, duke lëvizur nga një bankë në tjetrën. Këto elemente janë hedhur në raportin e mbikëqyrjes bankare për vitin 2007, hartuar nga BSH-ja.