E Shtunë, 31 Tetor 2026

Claude Durand largohet nga "Fayard"

Botuesi i Kadaresë dhe i disa veprave të autorëve shqiptarë drejtoi për çerek shekulli një nga shtëpitë më të mëdha botuese në Francë

Pas afro çerek shekulli në krye të shtëpisë prestigjioze botuese franceze, "Fayard", Claude Durand largohet, por do të vazhdojë të meret me veprën e autorëve me të cilët ka krijuar një raport personal.

Durand ka një përvojë po kaq të gjatë me botimin e veprës së autorit shqiptar Ismail Kadare, me të cilin u njoh kur në Shqipëri botohej "Pallati i ëndrrave" në vitin 1981. Sapo kishte marrë postin drejtues atëherë.

Qysh në janar e përditshmja "Le Figaro" pat njoftuar lënien e funksionit në krye të "Fayard" nga një figurë emblematike, lëvizje që u bë së fundi zyrtare edhe me emërimin në vend të tij të 50-vjeçarit Olivier Nora.


Që në tetor të vitit të kaluar, 70-vjeçari Claude Durand, i kishte shkruar kolegut të tij, Arnaud Nourry, drejtor i përgjithshëm i "Hachette Livre", pronar i të dyja shtëpive botuese, se po e linte "Fayard"-in për arsye personale. Ishte pikërisht Durand ai që i ka sugjeruar emrin e zëvendësuesit të tij.


Megjithatë Durand nuk ka për ta lënë krejt shtëpinë botuese në rrugën e Monparnasit. "Kemi rënë dakord që ai të ndjekë dhe shoqërojë Olivier Nora-n për një apo dy vitet në vazhdim. Po ashtu, ai do të vazhdojë të ndjekë autorët e tij më besnikë", shpjegon Arnaud Nourry.


President i botimeve "Fayard" ka ardhur disa herë në Shqipëri i ftuar nga shkrimtari Ismail Kadare. Ai do të rrëfente para disa vitesh me rastin e botimit të romaneve "Pasardhësi" dhe "Bija e Agamemnonit", historinë e nxjerrjes në mënyrë klandestine nga Shqipëria të disa dorëshkrimeve të autorit, 1986, si planin e arratisë që u përmbush vetëm katër vjet më vonë, kur Kadare kërkoi azil politik në Francë.
"Ishte momenti i trazirave, momenti historik i rënies së diktaturës. Ne kishim përgatitur gjithçka më përpara.

Pra, familja e tij do të vinte për pushime tek ne në Paris. Përfituam nga rasti të bënim gati valixhet, që përmbanin arkiva, dorëshkrime të shkrimtarit. U nisëm me vajzën e vogël të Ismalit ndërkohë që vajza e madhe ishte në Paris. U nisëm pa ndonjë vështirësi nga Rinasi.

Ai do të vinte më pas i ftuar nga unë si botuesi i tij.", do të tregonte Durand në një intervistë për "Shekullin" disa vite më parë. Atëherë ai pohoi edhe diçka që as vetë Kadare nuk e kishte deklaruar. "Pas udhëtimit tim të parë në Shqipëri, e përjavshmja e rëndësishme franceze "L'Express", boton një artikull për gulagët e fundit në Evropë dhe një pjesë e këtij artikulli bënte fjalë për Shqipërinë. Një hartë që tregonte për kampet dhe burgjet e regjimit.

Dhe nuk ishte asnjëri nga ata bashkëpunëtorët e shtëpisë sime botuese, që e bëri këtë. Unë vetëm sa i mora këto të dhëna dhe ishte Ismaili ai që më vuri në dijeni për të gjitha, me qëllim që shtypi i huaj perëndimor, të njihte vendet e torturave dhe kampeve të internimit në Shqipëri."


Në vitet e fundit ai përfundoi botimin e veprës së plotë të Kadaresë në frëngjisht dhe shqipe, sepse "për ne është një rast i veçantë", do të thotë thoshte ai.

"E botova në frëngjisht pse qysh në fillim e kuptova që Kadare do të ishte një nga klasikët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore. Duhej të linim një gjurmë me botimin përfundimtar të veprës së plotë të tij. Kjo do të thotë se do t'i garantonim autorit cilësinë e përkthimit dhe të jepnim versionin përfundimtar të kësaj vepre, duke përfshirë edhe veprat e censuruara në Shqipëri.

Dhe përse në shqip? Sepse në atë epokë nuk kishte botues, të gatshëm të rrezikonte për të gjitha këto. E për më tepër, sot për t'u përkthyer në gjuhët e botës, nga kjo vepër ne ofrojmë tekstet definitive." Për këtë arsye Durand-i pati bashkëpunim 20-vjeçar me përkthyesin në frëngjishte të veprës së Kadaresë, Jusuf Vrioni.

Gjatë kësaj kohe, ai mori përsipër të botojë një libër me proza të Migjenit për të cilin pat thënë se "mund të konsiderohet një Rimbaud shqiptar", një antologji me 26 shkrimtarë shqiptarë, nga Shqipëria dhe Kosova, një libër të Bashkim Shehut, dy vepra historiko-politike "Çështja e Kosovës" e Ibrahim Rugovës dhe "Çështja shqiptare" e Rexhep Qoses.


Kur flitet për përvojën e Claude Durand-it si botues, përvojë që zë fill në "Les Editions du Seuil", në moshën 25- vjeçare, shkrimtari i parë që të vjen ndër mend është pikërisht disidenti dhe nobelisti rus Aleksandër Solzhenicin me veprën e të cilit është marrë që prej viteve '70. Qysh atëherë ai është marrë me botimin e veprave të shumë shkrimtarëve të rinj, me letërsinë ruse, më pas me atë spanjolle për prezantimin e tyre ndërkombëtar.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›