Wilson: Shqipëria në BE, varet nga reformat
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, përfundon misionin në Shqipëri
TIRANË- Në përfundim të misionit të tij në Shqipëri, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Fraser Wilson, largohet nga vendi ynë me përshtypjet më të mira. "Kam kaluar shumë mirë në Shqipëri.
Ka qenë një eksperiencë shumë e vyer, sepse e kam parë Shqipërinë të ecë përpara dhe mendoj se është një vend, që ka potenciale shumë të mëdha",- thotë Wilson në një intervistë për BBC-në.
Ambasadori britanik flet për bujarinë e shqiptarëve, por kur pyetet për zhvillimet politike në Shqipëri e, konkretisht për kohën se kur Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE-së, Wilson deklaron se gjithçka varet nga reformat. "Shqipëria mund të jetë gati për aplikimin për kërkesë për të qenë anëtare e BE-së dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm.
Por gjëja më e rëndësishme për Shqipërinë, është që të shohë që Marrëveshja e Stabilizim -Asociimit hyri në fuqi më 1 prill dhe ky është një rast shumë i rëndësishëm. Por, ka ende gjëra që duhen bërë për të përmbushur gjithë kriteret e MSA-së. Raportet e progresit të KE-së janë shumë të qarta në hapat e mëtejshëm që duhen bërë.
Ka shumë për të bërë, shumë reforma, si ajo juridike dhe e administratës publike, që janë më të rëndësishmet. Unë mendoj se është e rëndësishme, që klasa politike shqiptare duhet t'i shikojë këto reforma shumë seriozisht dhe duhet të bëjë shumë përpjekje për të ecur përpara. Sepse këtu varet dhe vendimi për të hyrë apo jo në BE",- tha Wilson. Me Shqipërinë, Wilson përfundon edhe misionin e tij si diplomat karriere.
"Do të dal në pension. Kam shumë vite tashmë që shërbej në shumë vende të botës dhe tani mezi pres të bëj të gjitha ato gjëra që s'i kam bërë gjatë kohës që punoja, si p.sh., të udhëtoj me gruan time dhe të bëj ato gjëra, që nuk kam pasur kohë t'i bëja deri tani",- tha ai.