G20-a, 1.1 trilion dollarë kundër krizës
Samiti i 20 vendeve më të zhvilluara, përfundon me sukses dhe krerët e shteteve firmosin marrëveshjen
Udhëheqësit e botës ranë dakord dje për një marrëveshje prej më shumë se 1 trilion dollarësh, për të luftuar rënien më të madhe ekonomike, që nga Depresioni i Madh. Agjencia "Reuters", raporton se marrëveshja u nënshkrua dhe në samitin e 20 vendeve më të zhvilluara të botës, që u organizua në Londër.
"Kjo është dita kur e gjithë bota u bashkua, për të luftuar kundër rënies globale. Jo me fjalë, por me një plan për përmirësimin global, për reformim dhe me një plan të mirëpërcaktuar kohor",- tha Kryeministri britanik, Gordon Braun.
Bursat
Ndërkohë, reagimi i bursave ka qenë i menjëhershëm. Indeksi i aksioneve kryesore evropiane u rrit me 5%, duke ndjekur rritjen prej 4.4% të treguesit japonez, Nikkei. Në Wall Street, Nasdaq fitoi 4% dhe Dow Jones 3.6%. Gjithashtu, rritje pësoi edhe çmimi i naftës, duke kaluar 52 dollarët për fuçi. Por, ekonomistët kërkuan vetëpërmbajtje dhe jo eufori.
"Fondi i FMN-së është më i lartë sesa ishte parashikuar dhe kjo do të thotë që do të ketë më shumë para për të ndihmuar ekonomitë e trazuara, dhe ky është një lajm i mirë. Por, këto vatra të trazuara, veçanërisht në Evropën Lindore, ndodhen akoma aty dhe nuk do të zhduken brenda natës",- tha Nigel Rendall, strateg tregjesh.
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se rezultatet ishin përtej asaj që mund të imagjinohej. Ministri gjerman i Financave mirëpriti faktin se nuk ishin vendosur detyrime për vendet që adoptojnë paketa të mëtejshme stimulimi.
Fondi do të jepet nëpërmjet FMN-së dhe institucioneve të tjera. Kjo përfshin 250 miliardë dollarë nga rezerva e FMN-së, e quajtur "Të Drejtat Speciale të Tërheqjes".
"Kjo është e disponueshme për të gjithë anëtarët e FMN-së",- tha Braun. Përveç kësaj, Fondit do t'i trefishohen burimet deri në 500 miliardë dollarë me fonde të reja, nga të cilat 40 miliardë do të jepen nga Kina. G20-a i kërkoi FMN-së të shpejtojë shitjet nga rezervat e saj të arit, për të rritur fondet në ndihmë të vendeve të varfra.
Fondi ra dakord për një paketë financiare prej 250 miliardë dollarësh gjatë dy viteve të ardhshme, për të mbështetur flukset e tregtisë globale, të cilat janë tkurrur nga ndikimi i krizës së kredive.