E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cliff: Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë, i balancuar

Britania e Madhe ka insistuar që Kosova të përfaqësohet në konferenca rajonale si shtet i pavarur, jo nën rezolutën 1244, tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.

“Megjithatë edhe përfaqësimi me: Deklaratën e 17 shkurtit, mendimin e GJND-së dhe Rezolutën 1244 është një model i balancuar”, tha Cliff.

”Kjo është një balancë e mirë tash për tash. Ajo çka është e rëndësishme për Kosovën që gjatë dialogut të arrihet marrëveshja për përfaqësimin rajonal. Ne miqtë tuaj do mund ta përdorim këtë formulë për të siguruar marrëdhënie tregtare me BE-në dhe marrëdhëniet kontraktuale dhe forma tjera të marrëveshjeve me BE-në”, tha ai.

Ambasadori britanik tha se kjo gjë duhet të shikohet si një çështje nacionale dhe në nivel të partive politike. ”Ky është një çmim i madh i Kosovës për të ecur përpara në perspektivën evropiane. Pra ne shpresojmë se marrëveshja të arrihet. Dhe është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të pajtohem me këtë çështje nacionale dhe jo ta shikojnë atë si çështje partiake. Kjo është për Kosovën, si një shtet i pavarur dhe sovran”, tha ai.

Këtë qëndrim ambasadori britanik Cliff e shprehu të martën gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe të Rahovecit, ku i dhuroi në gjenerator kooperativës së grave fermere. Ai ka theksuar rëndësinë edhe të vazhdimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe arritjen e marrëveshjeve të domosdoshme. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›