Filmi që trishtoi Festivalin në Cannes

Filmi “Parajsa: Dashuria” (Paradise: Love), në fakt është pjesa e parë e trilogjisë së regjisorit, Urlich Seidl. Filmi trajton temën e seks-turizmit, i cili po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar në mesin e evropianeve të pasura të moshës së mesme.
Në gala premierën e filmit, në Cannes u shfaq edhe aktorja kryesore, Margarethe Tiesel, e cila në film luan rolin e austriakes 50-vjeçare. Ajo kryesisht luan në teatër, dhe ky është roli i parë i saj i madh filmik.
Në film ka shumë skena ku ajo shfaqet e zhveshur, por edhe disa skena ku ajo shihet me djelmosha kenianë në plazh. Vetë Tiesel pohon se në asnjë moment nuk e ka dënuar sjelljen e kryeprotagoniste në film. Sipas sqarimit të saj, filmi e hulumton vetminë e femrës dhe mënyrën sesi njerëzit që eksploatohen në shtëpi udhëtojnë jashtë vendit për të mundur që t’i eksploatojnë të tjerët.
Regjisori, ndërkaq, thekson se është munduar që personazhet evropiane dhe ato afrikane t’i vështrojë me syrin e një antropologu.
Nga ana tjetër, kritika në Cannes ka dhënë mendime të ndryshme për filmin. Përderisa disa kritikë shprehen të trishtuar me eksploatimin e afrikanëve, disa të tjerë pohojnë se këtu bëhet fjalë për një skenar psikologjik, ndërkohë që ka edhe nga ata që thonë se e lavdërojnë tejmase aktrimin dhe guximin e aktorëve kryesorë.
Ndryshe, filmi është shfaqur si pjesë e konkurrencës zyrtare, dhe garon për çmimin kryesor të festivalit - Palmën e Artë.